Gazeta Si - Pak ditë pas arrestimit të drejtorëve dhe zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës nga SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ka vendosur t’i largojë nga detyra, pasi duhet të zgjidhin problemet me drejtësinë.
Në një bashkëbisedim me disa nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa”, Veliaj tha se zyrtarët që tashmë akuzohen nga SPAK për korrupsion me miliona euro tenderë, duke i përfituar përmes kompanive të tyre, janë larguar nga stafi i Bashkisë.
Ai shtoi se “organizata” e tij në Bashkinë e Tiranës është “më e rëndësishme se 1 apo 2 persona”.
“Sot e kam nisur ditën me një takim, ku morëm vendimin për largimin e disa kolegëve sepse organizata e madhe është më e rëndësishme se 1 apo 2 persona, të cilët mund të kenë probleme me ligjin dhe duhet t’i zgjidhin këto probleme me drejtësinë. Unë uroj që të provojnë pafajësinë e tyre, por teksa i zgjidhin ato probleme, na duhet që organizata të vazhdojë përpara. Në një organizatë, - nuk ka rëndësi nëse është shkollë, nëse është bashki, nëse është drejtori apo kompani e madhe, - nëse ka një problematikë, ajo duhet adresuar”, deklaroi Veliaj.
Veliaj shtoi më tej se ish-bashkëpunëtorët e tij në Bashkinë e Tiranës, tashmë duhet “të sqarojnë problemet e tyre me drejtësinë”, ndërsa “organizata”, tha ai “duhet “të ecë përpara”.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se u dëshiron pafajësinë atyre, dhe se në vijim do të duhet të mendojë me kolegët e bashkisë, “disa masa konkrete që do duhen marrë, në mënyrë që të ketë një kontroll më të rreptë e një parandalim më efikas ndaj çdo lloj devijimi potencial nga standardet më të mira publike”.
“Kjo është arsyeja pse disa njerëz duhet të bëjnë ‘time out’, dhe pse organizata vetë, në këtë rast Bashkia e Tiranës, duhet të vendosë disa sisteme vetëkorrektuese. Ne e kemi një sistem të brendshëm auditi, por unë besoj se duhet të vëmë edhe sistem për të kontrolluar konfliktin e interesit. Ka shumë organizata, të cilat për dikë që ka punuar aty dhe më pas është larguar, vendosin që ai person të mos ketë të bëjë më me atë organizatë për një periudhë të caktuar 3 vjet, 5 ose 10. Këtë po e mendoj ta zbatoj seriozisht edhe në Bashkinë e Tiranës”.
Më 28 mars, GJKKO vendosi 9 masa sigurie për drejtorët dhe zytarët e Bashkisë së Tiranës, mes të cilëve në pranga ranë Mariglen Qato dhe Redi Molla.
Kështu, u vendos lënia në fuqi e masës “arrest me burg” për Redi Mollën (Ish-drejtor i UKT-së), Mariglen Qaton (ish-kreu i IMT) dhe Taulant Tushen (ish-drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike), i cili aktualisht ndodhet në qeli për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Për 5 personat e tjerë është lënë në fuqi masa e “detyrim paraqitje”. Gjykata thotë se ata duhet të paraqiten në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 13:00. Ndërsa për Enton Punavian nuk është ekzekutuar ende masa, pasi ai ndodhet jashtë vendit.
Nga hetimet e SPAK-ut, ka rezultuar se Molla dhe Qato janë pronarët "de facto" të kompanisë "5D Konstruksion", nëpërmjet së cilës dyshohet se janë përfituar me dhjetëra tenderë në shkelje të ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.