Kombetarja

Futbollistët kuqezi ndërpresin agjërimin, vetëm njëri sfidon sprovat e grumbullimit!

Gazeta Si – Prej pak ditësh Kombëtarja ka filluar grumbullimin për përgatitjen e dy ndeshjeve miqësore me Kilin më 22 mars në Parma të Italisë dhe me Suedinë në Solna më 25 mars. Një periudhë shumë e rëndësishme për lojtarët, një pjesë e të cilëve janë me një këmbë brenda dhe një jashtë listës së Europianit të Gjermanisë.

Kjo ka bërë që impenjimi të jetë maksimal për këto ndeshje, që i shërbejnë secilit për të bërë një figurë sa më të mirë përpara trajnerit ndaj dy kundërshtarëve të një niveli të lartë. Trajneri Silvinjo ka zhvilluar nga dy seanca në ditë, paradite dhe pasdite, me një ritëm relativisht të lartë, që i ka bërë futbollistët të harrojnë gjithçka tjetër veç futbollit.

Për të gjithë myslimanët këto ditë janë më të shumëpriturat dhe më të vlefshmet në aspektin e religjonit, pasi është muaji i shenjtë i Ramazanit, ku besimtarët agjërojnë për 30 ditë.

Në Kombëtare janë rreth 10 futbollistë që agjërojnë dhe e respektojnë këtë muaj çdo vit, por me sa duket këtë herë është e pamundur. Dy seanca stërvitore në ditë e bëjnë shumë të vështirë agjërimin. Vetëm njëri prej lojtarëve, portieri Elhan Kastrati, ka vendosur të sfidojë trajnerin, veten dhe të gjithë shokët, duke e vazhduar agjërimin edhe këto ditë stërvitjeje intensive.

Elhan Kastrati, portieri i 3-te i Kombetares

Gazeta Si u interesua pranë stafit të ekipit kombëtar, nëse ka një kërkesë të trajnerit, apo një vendim për të mos e lejuar agjërimin, por me sa duket gjithçka ka qenë e lirë dhe secili ka vendosur sipas mundësive.

“Këto 10 ditë të grumbullimit dhe ndeshjeve do t’i zëvendësojmë në fund”, – deklarojnë lojtarët që e kishin filluar agjërimin. Ramazani ka hyrë të hënën e 11 marsit dhe deri ditën e diel, më 17 mars, ata kanë agjëruar, për ta ndërprerë të hënën, me fillimin e grumbullimit.

Në fakt, ka shumë përfaqësuese, ku herë pas here ndërhyrjet e drejtpërdrejta për t’u ndaluar me vendim zyrtar agjërimin futbollistëve, kanë sjellë përshkallëzime të situatave. Mbremjen e djeshme Federata Franceze, me një vendim të brendshëm jo të shkruar, i ka ndaluar çdo futbollsiti të saj, nga U-16-a deri tek ekipi i parë, agjërimin.

Kjo për shkak të krizës që shpërtheu një vit më parë, kur disa lojtarë të kombëtares U-21 kërcënuan me grevë, nëse do t’u ndalohej të praktikonin agjërimin e Ramazanit gjatë grumbullimit. Më pas ndërhyri presidenti Philippe Diallo, duke vënë një rregull të përbashkët për të gjithë.

Për këtë arsye në muajt e fundit, drejtuesit kanë përgatitur terrenin, duk e vendosur që nga përfaqësuesja U-16 e deri te kombëtarja nënkampione e botës, të përdorë termin “çdo praktikë fetare mund të çojë te ndryshime të organizmit kolektiv”. Kështu, në respekt të principit të laicitetit, nuk do të ndryshohen oraret e stërvitjeve, vakteve të ushqimit, apo ndeshjeve për të respektuar praktikat fetare.

Megjithatë, te ne nuk është ky rasti, pasi gjithçka është vendosur nga vetë lojtarët, për shkak të një përqendrimi të madh mendor dhe fizik tek aktiviteti sportiv dhe te ndeshjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë