Nga Paolo Rossetti-Në fillim dëgjuam idenë e dërgimit të trupave në Ukrainë. Pastaj erdhi deklarata mbi nevojën për t’u përgatitur për luftë. Po çfarë synon realisht presidenti francez Emmanuel Macron? A dëshiron vërtet ai ta përfshijë direkt Evropën në një konflikt me Rusinë?
Fjalët e tij duken të orientuara drejt këtij kursi, duke nxitur frikën për një skenar katastrofik për kontinentin e vjetër. Por Vincenzo Giallongo, gjeneral në pension i ushtrisë italiane që dikur ka qenë në misione në Irak, Kuvajt, Shqipëri dhe Kosovë, thotë se në të vërtetë Macron synon vetëm të detyrojë vendet e BE-së ta mbështesin më shumë Ukrainën, duke dërguar armë më të rënda dhe raketa me rreze më të gjatë, sidomos tani që është pezulluar ndihma e SHBA-së.
Por në të njëjtën kohë, ai përpiqet të dalë në skenë si një udhëheqës i fortë, si një lider edhe në nivel evropian, sidomos në prag zgjedhjeve që do të sjellin rinovimin e Parlamentit Evropian por edhe drejtuesve të lartë të BE-së.
Nga Franca ka zëra për një presion në rritje nga bota e financës ndaj presidentit për ta nxitur atë të luftojë, por edhe për të dërguar më shumë ndihma për Kievin, që pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të Evropës, do të ishin një burim i fortë fitimi, të paktën për industrinë e armëve. Nga ana tjetër nëse pajiset me raketa të afta për të goditur territorin rus, Ukraina mund ta trembë më shumë Moskën, dhe të jetë në një pozicion më të mirë sesa sot, në një tryezë të mundshme të negociatave për paqe.
Gjeneral, cilat janë qëllimet e Macron? A dëshiron vërtet ai të na futë në luftë me Rusinë?
Macron dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, sepse së shpejti edhe ai do të duhet të mbështesë zgjedhjet që do të bëhen në këtë moment kritik. Ai dëshiron të bashkojë të gjithë ata që janë pro-ukrainas, dhe të detyrojë ata që nuk janë, të bien dakord me një kompromisi, duke u thënë atyre:”Në rregull, nuk do të dërgojmë trupa në front, por të paktën le të dërgojmë armët”
Problemi i vërtetë është se Gjermania, furnizuesja kryesore evropiane e Ukrainës me armë, nuk dëshiron t’i dërgojë raketat e saj me rreze të gjatë. Për ta bindur Scholz-in, presidenti francez do të shmangte këmbënguljen për të dërguar trupa, duke i kërkuar gjermanëve të dërgojnë armë të një kalibri pak më të madh dhe në sasi më të mëdha.
Sipas medias gjermane, ngurrimi i Scholz për të dërguar raketat “Taurus” në Ukrainë, vjen sepse ai dëshiron t’i mbajë ato si një mjet mbrojtës në rastin e fitores së Rusisë në Ukrainë. A mund të jetë kjo arsyeja?
Kjo është një shaka. A mendojmë vërtet se Rusia do ta sulmojë ndonjëherë Gjermaninë? Frika ime është se me fitoren në zgjedhje, duke garantuar edhe 6 vite të tjera qeverisje në Rusi, Putini mund të përshpejtojë veprimet ushtarake në Ukrainë, duke përfituar edhe nga dobësia aktuale e ushtrisë ukrainase.
Gjithsesi, Macron përdori fjalë të ashpra:Ai tha se po përgatitet për luftë, të cilën Putini nuk duhet ta fitojë, duke argumentuar se nëse do të ndodhte kjo, do të viheshin në rrezik siguria evropiane dhe interesat jetike të Francës. A nuk mendoni vërtet mbi mundësinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë në konflikt?
Tek kjo luftë nuk beson as Macron. Është fakt se ai ka frikë për Evropën, e cila do ta gjente veten të vetmuar përballë Rusisë nëse Trump i fiton zgjedhjet në nëntor. Ndaj presidenti francez, po përpiqet të shkundë fort evropianët. Megjithatë, është ende NATO, një strukturë që Trump nuk mund ta çmontojë.
Pasi në të përfshihen marrëveshjet ndërkombëtare. Putini nuk do të ishte asnjëherë aq i çmendur sa të sulmonte Evropën. Prandaj, Macron dëshiron që shtetet e BE-së të mbështesin më shumë Ukrainën, edhe sepse ai e kupton se zgjedhjet e ardhshme evropiane mund të jenë shumë përçarëse.
A dëshiron Macron të paraqitet si një udhëheqës i fortë përpara zgjedhjeve evropiane?
Po, i atyre por edhe i zgjedhjeve që do të mbahen në Francë. Ai është një politikan që synon kërkon udhëheqjen evropiane, kërkon të imponohet me çdo kusht. Dëshiron të pengojë forcimin e Rusisë, që kjo e fundit të mos përpiqet të pushtojë pas Ukrainës edhe Gjeorgjinë dhe Moldavinë.
Në këtë kuptim, Moska do të dëmtonte rëndë interesat jetike jo vetëm të Francës, por të gjithë Evropës. Në këtë situatë, dikush duhet të zgjohet nga gjumi. Dhe në mungesë të ndihmës amerikane, Macron dëshiron të organizojë një mbrojtje të fortë të Ukrainës nga vendet evropiane.
Pra, a po i kërkon ai Scholz-it që të mbështesë Ukrainën?
Po, që Gjermania ta furnizojë Ukrainën me municione, dhe madje edhe me armë me rreze të gjatë që i trembin rusët. Dhe e bën këtë për ta bindur Moskën të ulet në një tryezë negociatash për paqe. Ukraina duhet ta ketë këtë mundësi. Moska mund të kundërpërgjigjet me përdorimin e armëve shumë më të rënda.
Por unë mendoj se në një moment do të pranojë të ulet në bisedime. Dhe Putini, që synon të pushtojë të gjithë Ukrainën edhe pse nuk e thotë këtë publikisht, do të përdorë një retorikë më të zbutur. Gjithsesi do të gllabëronte 25-30 për qind të territorit, dhe mund të thotë se është i kënaqur me kaq.
Megjithatë ne na rezulton se në Francë ka kompani të mëdha që po i bëjnë presion Macron për t’u përfshirë në luftë, duke e parë atë si një mundësi për fitime të mëdha…
A mund ta imagjinojmë ndonjëherë Evropën që t’i bashkohet Ukrainës për të zhvilluar luftë kundër Rusisë pa mbështetjen e NATO-s? Edhe sikur të donim, dhe të gjitha vendet të binin dakord për këtë, në realitet ne s’kemi mjete të mjaftueshme që të mund të mendojmë për dërgimin e kontingjenteve serioze për të luftuar në Ukrainë kundër rusëve.
A mund të vendosë Macron që të ecë përpara i vetëm? Apo edhe vetëm me Gjermaninë?
Le të zëmë se dërgohen trupat, dhe Rusia e kupton që Franca është në luftë kundër saj. Po sikur ajo të nisë të lëshojë raketat ndaj saj? A do ta pranojnë këtë rrezik të gjitha vendet midis Rusisë dhe Francës? Unë e shoh këtë sjellje më shumë si një trill politik. Pra besoj se Macron po përpiqet ta nxisë Evropën në tërësi që ta furnizojë Ukrainë me armë të kalibrit më të madh. Në këtë kuadër, pasurimi për kompanitë e industrisë së mbrojtjes do të ndodhte ende. Biznesi i armëve është kryesori në botë:të gjithë do të pasuroheshin, duke përfshirë ndoshta edhe “miqtë” e Macron.
Burimi: Il Sussidiaro/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.