Nga Lucrezia Lozza- Tre vjet më parë, kur punëtorët nisën të shkatërrojnë një sërë digash në lumin Hiitolanjoki në Finlandë, u befasuan jo pak kur panë një tufë peshq salmon. Pjesë e popullatës së fundit të egër dhe pa dalje në det, ata po riktheheshin në lumë pas vitesh mungesë.
Për Pauliina Louhi, kjo ishte një shenjë se kishte filluar rimëkëmbja e ekosistemit.
“Nuk ishin vetëm peshq të rritur. Kishte edhe shumë salmonë të vegjël”, rrëfen me entuziazëm Louhi, ekologe në Institutin e Burimeve Natyrore në Finlandë.
“Ata kishin nisur vendosjen e vezëve në pjesën më të poshtme të lumit. U përlota kur pashë se si dukej vendi pas heqjes së digës” shton ajo. Lumi ishte dikur një rrugë kryesore e migrimit të salmonit të rrezikuar të ujërave të ëmbla nga liqeni Ladoga në Rusinë fqinje në Finlandë.
Por ndërtimi midis viteve 1911-1925 i 3 digave që furnizonin zonën me energji elektrike, krijoi barriera midis salmonit dhe zonave ku i kishin vendosur vezët. Salmoni dhe peshq të tjerë, si trofta e murrme, u bllokuan në anën finlandeze të lumit, i cili mbeti i fragmentuar për 100 vjet.
Ndërkohë sot pas heqjes së digave, uji rrjedh sërish lirshëm përmes pragjeve të sapondërtuara, të rrethuara nga pemë të larta. Sa herë që hiqej një digë, salmoni “përqafonte” pjesën e re të lumit, thotë Hanna Ollikainen, drejtore ekzekutive e Fondacionit të Zonës Rekreative të Karelias Jugore, një organizatë e shoqërisë civile, e cila i bleu digat dhe është përgjegjëse për zhvillimin mjedisor dhe turistik të zonës.
Në vitin 2021, pas heqjes së digës së parë, u pikasën 5 fole vezësh. Dhe në vjeshtën e vitit 2022, salmoni i vogël arriti një numër rekord prej 200 peshqish për 0.4 hektarë. Kur në dhjetor 2023, përfundoi heqja e digës më të lartë, Ritakoski, ata zbuluan një kalim të lirë në pjesët e sipërme të lumit dhe degët e tij.
Heqja e 3 digave ishte rezultat i një pune prej disa dekadash, e cila mori parasysh jo vetëm gjendjen e lumit, por edhe kontekstin ekonomik, thotë Ollikainen. Disa studime arritën në përfundimin se prodhimi i energjisë elektrike prej tyre ishte jofitimprurës për pronarët e tyre, sidomos kur u morën parasysh kostot e mirëmbajtjes dhe të mbrojtjeve të detyrueshme mjedisore, si ndërtimin e shkallëve për lëvizjen e peshqve.
Prandaj digat u shitën dhe u çmontuan. Por çmontimi i 3 digave finlandeze nuk është një rast i izoluar. Në të gjithë Evropën, shumë diga ose po i afrohen fundit të jetës së tyre funksionale, ose kostot e mirëmbajtjes së tyre janë më të mëdha sesa përfitimet që ofrojnë.
Edhe në SHBA, shumë prej tyre duhet të ri-licensohen, duke nxitur debatin nëse ato janë ende të përshtatshme për të ofruar shërbime. Dhe nuk janë vetëm digat e mëdha. Miliona barriera të vogla bllokojnë aktualisht lumenjtë evropianë. Deri vonë, mungonte një vlerësim gjithëpërfshirës i shkallës së fragmentimit të lumenjve në Evropë.
Por tani ekziston, ndaj ka nisur një prirje e kundërt, ajo e heqjes së tyre. Lumenjtë në zonat shumë të industrializuara, si në Evropë dhe SHBA, janë modifikuar shumë për shekuj me radhë, nga marrja e ujit për bujqësi, deri tek shtimi i barrierave të ulëta si kanalet, mullinjtë e ujit dhe hidrocentralet.
Sipas vlerësimeve të studiuesve, pak më shumë se një e treta e lumenjve të botës më të gjatë se 1000 km, mbeten ende të rrjedhshëm në të gjithë gjatësinë e tyre. Barriera të tilla kanë krijuar një sërë problemesh. Ato shkaktojnë jo vetëm humbje të biodiversitetit, duke prekur peshqit dhe mikroorganizmat, por parandalojnë rrjedhjen e lëndëve ushqyese dhe sedimenteve në rrjedhën e poshtme të lumenjve.
Kjo pengon peshkimin dhe jetesën e atyre që varen nga ky aktivitet. Hulumtimet tregojnë se të paktën 1.2 milionë pengesa brenda rrjedhës, po bllokojnë rrjedhat e lumenjve në 36 vende evropiane, me rreth 68 për qind të tyre që janë më pak se 2 metra të larta.
“Edhe barrierat e vogla, qoftë edhe 20 centimetra mund të ndikojnë ose vonojnë lëvizjen e disa organizmave”- thotë Carlos Garcia de Leaniz, profesor në Aquatic Biosciences në Universitetin Suonsi dhe koordinator i Amber, një projekt që krijoi atlasin e parë të barrierave lumore evropiane.
Kur diskutohet heqja e një dige apo pengese, janë të rëndësishëm disa faktorë, nga licencimi dhe ligjet shtetërore, tek financimi për punën inxhinierike dhe fizibiliteti. Sipas “Dam Removal Europe”, sot 150.000 nga pengesat konsiderohen të vjetruara.
Digat e vjetra kanë nevojë për më shumë mirëmbajtje dhe janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve të shembjes. Shtimi i ngjarjeve atmosferike ekstreme, siç janë reshjet e mëdha, mund të vënë në rrezik sigurinë e digës.
Pao Fernández Garrido, menaxher i projektit “Dam Removal Europe” (Lëvizja Evropian për Heqjen e Digave) e themeluar në vitin 2016 ka arritur të sigurojë heqjen e të paktën 325 prej tyre vetëm në vitin në vitin 2022, ose 36 për qind më shumë se një vit më parë.
Por pranimi i faktit që digat kanë një efekt të dëmshëm mbi ekosistemet, s’do të thotë të mohosh përfitimet e hidrocentraleve në furnizimin me energji. “Askush nuk po propozon që të hedhim në erë apo heqim barrierat që janë në përdorim”- sqaron Garcia de Leaniz.
“Ne po synojmë heqjen e barrierave që janë të vjetruara, të cilat nuk po ofrojnë më asnjë shërbim për shoqërinë dhe që nga ana tjetër paraqesin rrezik për rrjedhën normale të lumenjve”- shton ai. Spanja, është në pararojë të procesit çmontimit të digave në Evropë, me 133 heqje të ndodhura vetëm në vitin 2022, e ndjekur nga Suedia dhe Franca.
Lidhja e lumenjve, është gjithashtu një temë qendrore e Ligjit të Komisionit Evropian për Restaurimin e Natyrës. Në nëntorin e vitit 2023, vendet anëtare arritën një marrëveshje të përkohshme që përfshin detyrimin për të hequr barrierat e krijuara nga njeriu, për të arritur objektivin e 25.000 km lumenj me rrjedhje të lirë deri në vitin 2030.
Ligji u miratua më 27 shkurt nga Parlamenti Evropian. Por vështirësitë janë jo të vogla.
Studiuesit janë të shqetësuar nga perspektiva e ndërtimit të digave të reja të planifikuara përgjatë lumenjve të mëdhenj si Amazona, Kongo dhe Mekong. Shqetësime të ngjashme ka edhe në Ballkan, ku ka plane për të ndërtuar një sërë hidrocentralesh të vegjël, për të cilat studimet sugjerojnë se do të gjenerojnë më pak energji dhe do të shkaktojnë më shumë dëme.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.