A zbatohen rregullat anti-doping njësoj për të gjithë lojtarët dhe ekipet? Pasi Real Madrid fitoi Ligën e Kampionëve në 2017, Sergio Ramos u testua për një substancë të ndaluar që ra në syrin e inspektorëve. Por rasti kurrë nuk doli i plotë në dritën e diellit. Por tani, kapiteni i ekipit “Los Blancos” është i përfshirë në një çështje të re.
Të dielën e 4 qershorit 2017, një mostër arriti në laboratorin e anti-dopingut në Seibersdorf, një qytet në Austri në jug të Vjenës. Mostra mbante kodin 3324822 dhe kishte ardhur nga Uellsi. Brenda shishes së mbyllur ishin 110 mililitra urinë të ofruara nga një lojtar i Real Madrid pas përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve kundër Juventusit në stadiumin “Millennium” të Cardiffit.
Pak më shumë se një muaj më vonë, më 5 korrik, nënkryetari i laboratorit Seibersdorf dërgoi një raport në selinë e UEFA, në Gjenevë. Austriakët kishin analizuar mostrën dhe zbuluan se përmbante gjurmë të substancës deksametazon, një preparat kortizon që ka një efekt anti-inflamator përveç lehtësimit të dhimbjes. Gjithashtu ky medikament rrit njohurinë, përqendrimin dhe mund të ketë një rritje tëefektit euforik. Ky preparat gjithashtu është në listën substancave që janë të ndaluara nga Agjencia Botërore anti-Doping (WADA).

Nuk ishte e vështirë për njësinë mjekësore të UEFA-s për të përcaktuar se cili prej lojtarëve kishte nënshkruar për mostrën me kodin 3324822 pas përfundimit të Ligës së Kampionëve në Cardiff. Në fund të fundit, ata ishin në posedim të dokumenteve që bënin lidhjen e lojtarit me kodet e mostrës.
Dhe ky kampion i përkiste Sergio Ramos, kapiten i Real Madridit dhe i ekipit kombëtar spanjoll, një lojtar që ka fituar Kampionatin Botëror një herë, kampionatin evropian dy herë dhe që sapo ishte bërë fitues tre herë radhazi i Ligës së Kampionëve. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në botë.
Rasti i deksametazonit nuk është publikuar kurrë dhe dosja vijon të mbetet kyçur në dosjet e UEFA-s. Asnjë veprim disiplinor nuk është marrë, as kundër lojtarit, as kundër mjekut të ekipit nga Real Madrid, pavarësisht të gjitha anomalive që ky rast paraqet. Në të vërtetë, mënyra në të cilën UEFA e kaloi në heshtje këtë çështje është një zgjedhje e pahijshme në luftën kundër dopingut në futbollin europian të niveleve të larta.

Dy ditë pas ardhjes së raportit nga Austria, një anëtar i njësisë anti-doping të UEFA-s kontaktoi Sergio Ramos, 32 vjeç, për t’i marrë atij një shpjegim. Lojtari u përgjigj më 10 korrik, duke iu drejtuar punonjësit të UEFA-s me një ligjëratë të drejtpërdrejtë dhe personale. Ishte një deklaratë e shkurtër me vetëm katër rreshta. Mjeku i ekipit të Real Madridit, shkroi se ai e kishte trajtuar atë ditë para ndeshjes Ramosin. Të gjitha detajet shtesë, ishin të specifikuara në një “raport mjekësor” të bashkangjitur që mjeku e kishte përgatitur. “Shpresoj që kjo të sqarojë plotësisht situatën,” përfundoi Ramos.
WADA ka vendosur rregulla të qarta për përdorimin e deksametazonit. Administrimi i saj lejohet para ndeshjeve. Por është e detyrueshme që një përdorim i tillë të raportohet nga mjeku i ekipit gjatë testit të dopingut. Nëse mjeku neglizhon ta bëjë këtë kontroll dhe gjurmët e deksametazonit gjenden në gjakun e atletit, konsiderohet si një rast i dyshimtë i dopingut. Hapi tjetër i detyrueshëm në një rast të tillë është fillimi i një hetimi për përdorim dopingu.
Ky ishte problemi me të cilin Ramos do duhej të përballej. Tek mostra me kod 3324822, (Mostra e Sergio Ramos) në hapësirën, ku duhet të listohen medikamentet e marra në shtatë ditët e fundit, nuk përmendet fare deksametazoni.
Vetëm u vu në dukje se mbrojtësi i Real Madridit kishte marrë një injeksion intra-artikular një ditë para finales ndryshe nga medikamenti Celestone Chronodose. Ai kishte marrë 1.2 mililitra të medikamentit në shpatullën e tij dhe një injeksion tjetër me të njëjtën dozë në gjurin e tij. Ashtu si deksametazoni edhe Celestone Chronodose është i njohur si betametazonë, që është një glukokortikoid dhe gjithashtu ka një efekt anti-inflamator. Dhe kjo gjithashtu, është në listën e WADA të substancave të ndaluara.

Raporti i UEFA-s vëren se Ramos u paraqit në stacionin e kontrollit të dopingut në Cardiff në orën 10:38. më 3 qershor, menjëherë pas ceremonisë së dhënies së titullit. U deshën gati dy orë për marrjen e kampionit të mostrës së gjakut dhe urinës dhe Ramos, proces që u përfundua vetëm pas mesnatës, rreth orës 12:26. Mjeku i ekipit, Dr A., një traumatolog, i cili është gjithashtu mjeku i ekipit kombëtar të Spanjës në regbi shoqëroi gjithë procesin. Ai nënshkroi formularin e kontrollit të dopingut së bashku me Sergio Ramos.
Pas gjetjes së deksametazonit, Dr. A. mori rolin e fajtorit. Raporti i tij për UEFA ka në brendësi dhe një “mea culpa”. Mesazhi ishte i qartë: Ramos ishte i pafajshëm dhe isha unë, doktori, i cili nuk duhet të kishte gabuar.
Për shkak se Ramos vuan nga një patologji kronike në gjurin e tij të majtë mjeku shkroi, se ai i kishte dhënë lojtarit dy injeksione të deksametazonit një ditë para përfundimit të Ligës së Kampionëve. Fakti se ai kishte shënuar substancën e gabuar në raportin e dopingut pas lojës, ishte për shkak të “euforisë” që rezultoi nga fitimi i titullit dhe rrethanave specifike në të cilat bëhet kontrolli i dopingut. Domethënë, fakti që Madhëria e Tij Juan Carlos, ish-mbreti i Spanjës, bashkë me kryeministrin spanjoll, kishte kaluar nga stacioni i kontrollit të dopingut për të vizituar Ramosin, kishin dhënë efektin e tyre.
Në konfuzion e sipër, ai kishte bërë një gabim, përzierjen e dy substancave të ngjashme që i nënshtrohen të njëjtit kriter gjatë një test dopingu. Ishte një “gabim njerëzor”, shkruante Dr. A., “dhe për këtë arsye është e kuptueshme”. Ai shkroi se kurrë nuk kishte për qëllim të “shkelte ndonjë rregullore anti-doping”.

Deklarata e mjekut ishte me sa duket e pranuar në njësinë anti-doping të UEFA-s. Sipas përgjigjes së dërguar për Sergio Ramos dhe Real Madrid, UEFA konsultoi një “ekspert”. UEFA mori parasysh në këtë vlerësim edhe shpjegimin e klubit, ku thuhej, “shumë e mundshme që lojtari dhe mjeku të kishin kryer një gabim administrativ”.
Me këtë qëndrim, UEFA e mbylli rastin. “Në të ardhmen, ne kërkojmë nga ju dhe mjeku juaj i ekipit që të jenë më të kujdesshëm kur të plotësoni formularin e kontrollit të dopingut dhe më saktësisht deklarimin e ilaçeve.”shkruhej në letrën e qeverisë europiane të futbollit.
Në përgjigje të kërkesës, UEFA u përgjigj se vendimi u mor në përputhje me kodin e WADA. Si FIFA dhe WADA kanë mundësinë të sfidojnë vendimet e UEFA-s në lidhje me çështjet e dopingut para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për Sportin në Lozanë. As Ramos, as mjeku i ekipit as Real Madrid nuk zgjodhën të komentojnë mbi procedurat.
Megjithatë, mbetet një përshtypje se në rastin e Ramos me deksametazon, mbetet për tu parë se sa ka qenë rëndësia që ka pasur kjo substancë në rendimentin e sportistit dhe të ekipit. Kjo përshtypje ka të bëjë me një incident tjetër, por po aq të bezdisshëm që edhe një herë, ajo ka të bëjë me një test anti doping që përfshin Real Madrid.
Më 1 shkurt 2017, katër muaj para përfundimit të Ligës së Kampionëve në Cardiff, dy oficerë të kontrollit të dopingut nga UEFA udhëtuan për në Madrid për të kryer teste të pa njoftuara në 10 lojtarë të Real Madridit gjatë një stërvitje të ekipit. Gjatë testeve, megjithatë, tesuesit e UEFA-s përkohësisht kanë humbur kontrollin e procedurave, një situatë që UEFA përshkroi si të pa këndshme. Një letër iu dërgua drejtorit të përgjithshëm të ekipit, Hose Angel Sançez, dhe një tjetër letër për Cristiano Ronaldon.
Sipas raportit, Ronaldo u ankua për faktin se ai ishte zgjedhur gjithmonë për të bërë testimin anti doping. “Kur testuesit e UEFA-s duhej ta fillonin testimin, “ylli” portugez përsëri tregoi pakënaqësinë e tij. Kjo sjellje shkaktoi shumë tension në pikën e kontrollit të dopingut”, shkruanin zyrtarët e UEFA-s në raport.

Situata më pas u bë edhe më e pakëndshme. Pas marrjes së gjakut nga Ronaldo dhe nga lojtari i kombëtares gjermane Toni Kros, personeli mjekësor i Real Madridit papritur bllokoi testimin për tetë lojtarët e mbetur. Kontrollorët e UEFA-s e pranuan atë ndërhyrje në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes së tensionit që ishte në pikën e Kontrollit të Dopingut.”-shkruajnë testuesit në raportin e tyre.
Ekzistojnë rregulla dhe udhëzime të qarta për testet e pa njoftuara. Ekipet duhet të garantojnë që oficerët e kontrollit të dopingut të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje. Për më tepër, lojtarët nuk duhet t’i shoqërojë askush në banjë për të dhënë mostrën e urinës ose të gjakut të tyre. Zyrtarët e kontrollit të dopingut mund të futin një gjilpërë tri herë në kërkim të venës së lojtarit. Por gjërat bëhen më të ashpra kur një ekip dërgon mjekët e vet për të marrë përsipër punën e testuesve të UEFA-s.
Pas ngjarjes, UEFA kërkoi një reagim nga Real Madrid. Përgjigja ishte e qartë, drejtori i Përgjithshëm Sanchez akuzoi dy testuesit UEFA për mungesë të përkujdesjes. Ai fajësoi mungesën e tyre të “aftësive apo ekspertizës profesionale, për faktin se gjendja kishte dalë jashtë kontrollit gjatë testeve. Sanchez gjithashtu mbrojti Ronaldon, duke thënë se ai ishte ankuar me respekt dhe jo sepse ai ishte përzgjedhur përsëri për t’u testuar, por sepse oficeri anti-doping i UEFA kishte provuar dy herë me një gjilpërë pa gjetur një venë.
Nuk pati pasoja për Real Madridin, UEFA, Real Madrid dhe Ronaldo janë shprehur të rezervuar me komente në lidhje me incidentin.
Tani ekziston edhe një dosje shtesë që lidhet me rastin e tanishëm që përfshin Real Madridin. Dhe kjo është ajo që mund të dëmtojë reputacionin e klubit dhe atë të një prej lojtarëve më të mirë të saj. Këtë herë, dosja në fjalë nuk është në posedim të UEFA-s, por të agjencisë spanjolle anti-doping AEPSAD. Dhe përsëri, fokusi është tek mbrojtësi Sergio Ramos.
Më 15 prill të këtij viti, në mbrëmjen e së dielës, Real Madrid luajti një ndeshje në Primera División kundër FC Malaga, duke fituar në shifrat 2-1. Pas fishkëllimës përfundimtare, një oficer anti-doping iu afrua Ramosit dhe i kërkoi atij të paraqiste një test dopingu. Ajo që ndodhi është përshkruar nga kreu i Njësisë së Kontrollit të agjencisë spanjolle anti-doping në një letër dy faqesh dërguar shefit mjekësor të Real Madridit më 21 shtator 2018.

Sipas raportit, Ramos i kërkoi oficerit nëse mund të dilte para dhënies së mostrës së urinës. Ai tha se shokët e tij ishin duke pritur për të dhe ata donin të fluturonin përsëri në Madrid sa më shpejt të ishte e mundur. Zyrtari vuri në dukje në raportin e tij se ai ia ndaloi Ramosit një gjë të tillë, një përgjigje që Ramos nuk e pëlqeu aspak, ashtu siç edhe mjekut të ekipit të Real Madridit, i cili po shoqëronte mbrojtësin gjatë këtij testi.
Sipas raportit, të dy u ankuan, por oficeri anti-doping pohon se ai nuk u tërhoq dhe insistoi që Ramos të mos bënte dush para se të testohej. Por Sergio Ramos me sa duket vendosi të injorojë zyrtarin e anti-doping. Dhe pavarësisht nga paralajmërimi i oficerit se mund të ketë pasoja serioze, ai sërish nuk dëgjoi.
Për këtë arsye ekzistojnë rregullore të tilla të qarta. Kur një lojtar i cili thirret për një test dopingu në dushe ose banjë para dhënies së mostrës së urinës, mund të përbëjë një shkelje të ligjeve antidoping të vendit.
Parlamenti spanjoll ka forcuar legjislacionin e antidopingut në vitet e fundit. Shkelja për të cilën akuzohet Ramos mund të gjendet në paragrafin 22.1./e. të ligjit për procedurat e dopingut. Ndëshkimet e mundshme janë të rënda. Një klub mund të gjobitet deri në 300,000 euro, por mund të përballet edhe me rënien ndëshkuese në një ligë më të ulët. Një mjek i ekipit mund të përballet me një pezullim deri në katër vjet dhe një lojtar mund të përballet me një ndalim katërvjeçar të ushtrimit të aktivitetit. Pezullimi mund të reduktohet në dy vjet nëse lojtari mund të argumentojë në mënyrë të besueshme se shkelja nuk ishte e paramenduar.
Pas mësimit të akuzave të vendosura nga agjencia spanjolle kundër dopingut kundër Sergio Ramos, avokati kryesor ligjor i ekipit e përshkroi skenarin më negativ të mundshëm në një email të dërguar më 30 shtator 2018 për drejtorin e përgjithshëm të Real Madrid Sanchez. “Ndëshkimet janë jashtëzakonisht të ashpra,” shkroi avokati në email-in e tij.

Pas pranimit të letrës nga agjencia spanjolle anti-doping në fund të shtatorit 2018, Ramos kishte 10 ditë për t’iu përgjigjur akuzave me shkrim. Të dy ai dhe Real Madrid nuk pranuan t’i përgjigjen një kërkese për koment nga rrjeti i gazetarisë Investigative Evropiane (EIC). Agjencia spanjolle anti-doping tha në një deklaratë se “në rastin në fjalë, rezultati i hetimeve nuk krijoi ndonjë fakt që do të lejonte daljen në përfundimin se ekziston një shkelje e rregullave të anti-Doping”.
Pyetja se pse mori i agjencisë spanjolle anti-doping më shumë se pesë muaj kohë për të dërguar njoftimin zyrtar te Real Madrid për akuzat ndaj Sergio Ramos mbeti pa përgjigje. Zakonisht, vetëm disa javë duhen që një atlet të njoftohet për mospërputhjet gjatë një testi dopingu. / Spiegel
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




