Nga Gazeta ‘Si’ – Pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shprehu një sërë kritikash ndaj takimit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me një grup të komunitetit serb nga shoqëria civile, mediat dhe zyra e Avokatit të Popullit – ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë thonë se ata “përfaqësues të serbëve të Kosovës janë partnerë të besueshëm”.
“Ambasadorët e QUINT-it (SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia) dhe BE-së vlerësojnë mundësinë për t’u takuar sot me zëvendësin e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës – të cilët janë partnerë të besueshëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve ndëretnike për Kosovën”, ka shkruar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter.
Quint and EU Ambassadors appreciated the opportunity to meet today with the Deputy Ombudsperson and representatives of the Kosovo Serb community – all of whom are trusted partners in our shared efforts to advance human rights and interethnic relations in Kosovo. pic.twitter.com/HtPfD9KBxx
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) February 16, 2024
Ky grup i serbëve, duke përfshirë zëvendësin e Avokatit të Popullit në Kosovë, Sërgjan Sentiç, Jovana Radosavljeviç dhe Miodrag Miliçeviç nga organizatat joqeveritare Iniciativa e Re Sociale dhe Aktiv, drejtorin e RTV-së lokale, Kim Isak Vorguçiç dhe Dragisha Mijaciçin nga grupi punues i Beogradit i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, u takuan me Lajçakun më 13 shkurt në Bruksel.
“Gjithmonë ndihmon kur dëgjohen zëra nga terreni”, ka shkruar Lajçak në një postim në rrjetin social X pas atij takimi.
Kësaj, zëvendëskryeministri i Kosovës u përgjigj duke njoftuar se në takimin me Lajçakun ishte një “delegacion i përbërë kryesisht nga organizata joqeveritare serbe nga Kosova, të cilat në mënyrë aktive dhe hapur avokojnë kundër integrimit të qytetarëve serbë në sektorin ekonomik dhe në jetën sociale të Kosovës”.
1/3 EUSR Lajcak posted from a meeting held with NCEU, hours before reporting to PSC on the normalization dialogue between Kosova and Serbia, but decided not to mention that it is about NCEU in Serbia.https://t.co/PArrbcpyQ7
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) February 14, 2024
Këto takime të serbëve me diplomatët ndërkombëtarë ndodhën në kohën kur Kosova është nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të shtyrë vendimin për shfuqizimin e dinarit serb. Vendet perëndimore besojnë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i cili parasheh euron si valutë të vetme për transaksionet e parave të gatshme dhe pagesave, mund të ketë ndikim negativ në komunitetin serb.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë. Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi i BQK-së nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë t’i ndihmojë serbët në Kosovë, por ato duhet të paguhen në euro.
Në të njëjtën kohë, që nga fundi i janarit, janë mbyllur shtatë komuna paralele serbe që funksionojnë nën sistemin e Serbisë e që Kosova i konsideron të paligjshme. Po ashtu, janë mbyllur edhe zyrat e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në qendër të Prishtinës me arsyetimin se aty janë ofruar “shërbime të paligjshme mjekësore”.
Me këtë rast, më 8 shkurt, sektori civil serb ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndalojë veprimet që pengojnë punën e institucioneve serbe në Kosovë dhe të gjendet një zgjidhje përmes formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ndërkohë, disa organizata joqeveritare nga komuniteti shqiptar reaguan ndaj kritikave të Bislimit me mesazhin se ato janë “të pabaza dhe të dëmshme”.
“Kërkojmë respekt të sinqertë dhe të pakushtëzuar të parimeve themelore demokratike të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga disa organizata joqeveritare dhe individë./ Marrë nga REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




