Mjedis

Organizatat mjedisore kundër ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura: Shkelen direktivat e BE

Nga Gazeta Si- Përfaqësuesit e organizatave mjedisore janë kundra projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime “Për zonat e mbrojtura”. Genti Kromidha, ekspert i zonave të mbrojtura nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) tha në Komisionin për çështjet e mjedisit se këto propozime janë kundër parimit themelor të ligjit, që është pikërisht mbrojtja e këtyre zonave. Në propozim theksohet se në çdo rast, bashkia përkatëse administron jo me pak se 20% të sipërfaqes së ndërtimit. Kërkesë kjo e bërë edhe nga bashkitë, me argumentin se ju rrit të ardhurat vjelja e tarifave të ndryshme nëpër këto zona.

Kromidha tha se bashkitë nuk i kanë kapacitetet për të menaxhuar zonat e mbrojtura, duke përmendur si shembull edhe dështimin e tyre me pyjet.

“Bashkitë nuk i kanë kapacitet. Dështimi me pyjet e tregon këtë. Do ishte dështim nëse i japim mundësi bashkive që nuk arritën të menaxhojnë pyjet”, tha Kromidha.

Ndërkohë, Ermelinda Mahmutaj, lektore në shkencat e natyrës dhe anëtare e Organizatës Eden, thotë se projektligji ka paqartësi në shpërndarjen e kompetencave dhe bie ndesh me direktivat e BE, duke mos përmendur një direktivë specifike, cka ka shkaktuar një debat mes saj dhe kryetarit të Komisionit Arben Pëllumbi.

Mahmutaj tha se “Projektligji tenton të shfuqizojë zonat e mbrojtura”.

“Zonat e mbrojtura përcaktohen sipas një udhëzuesi nga BE dhe janë ndërtuar mbi baza të forta. ky projektligj i tjetërson këto zona të mbrojtura. Është i vakët dhe jo professional në gjuhën e përdorur. Ligjet duhet të jetë të përshtatshme për direktivat europiane dhe ky i largohet shumë më shumë”, tha Mahmutaj.

Ndërkohë menjëherë reagoi Pëllumbi duke thënë se po bëhet një zhurmë e panevojshme për aq kohë sa nuk ka një pikë konkrete ku shkelen direktivat.

“Ju po flisni në përgjithësi dhe unë ua kam kërkuar të gjithë aktorëve se cila direktivë shkelet sepse të gjithë keni hedhur fjalë por nuk kemi ende asnjë pikë konkrete që shkelet. Nëse nuk keni konkrete, më mirë mos i thoni”, tha Pëllumbi, duke marrë si përgjigje nga Mahmutaj se do i dërgojnë pikat që shkelen dhe “të jeni i sigurt se janë më shumë se 1”.

Pëllumbi tha se si komision janë të ndërgjegjshëm se ky projektligj ka nevojë për rishikim dhe shqyrtim.

Këtë e pranon edhe Fadil Nasufi, një nga deputetët që ka firmosur në këtë projektligj.

“Drafti ka difekte dhe kërkon ekspertizë. Jam i gatshëm që të bëjmë disa reflektime të duhura sipas rekomandimeve të të gjithë aktorëve”, tha Nasufi.

Mihallaq Qirjo nga organizata Rec Albania gjithashtu është kundra këtij projektligji duke përmendur se bashkitë nuk kanë kapacitetet e duhura për të menaxhuar dhe drejtuar zonat e mborjtura, duke përmendur edhe se nuk ka asnjë sqarim se si do të zgjidhet 20% që do menaxhojjnë bashkitë.

Dymbëdhjetë deputetë të grupit parlamentarë të Partisë Socialiste depozituan në 20 nëntor një propozim për ndryshimin të ligjit aktual për zonat e mbrojtura.

Projektligji parashikon t’i hapë rrugë ndërtimeve në parqet kombëtare, me qëllim zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme:

“Lejimin ne përputhje me parimin e efektivitit dhe planit te menaxhimit te ndërhyrjeve të lejuara urbane, rekreacionit apo industriale brenda zonës duke ruajtur karakterin e zonës sipas parashikimeve te këtij ligji”, citohet në projektligj.

Banorët-komunitetet që jetojnë brenda hapësirave të zonave të mbrojtura në Shqipëri, do të kenë mundësi të hapin biznese, apo të ushtrojnë veprimtari ekonomike të ndryshme, në këto hapësira, pasi të marrin një leje në bashki.

“Në zonat e mbrojtura ka banorë, ka komunitete që bashkëjetojnë në këto territore dhe privohen nga mungesa e shumë shërbimeve, e shumë të drejtave ligjore që ato gëzojnë. Zonat e mbrojtura përveç vlerave konservuese duhet të prodhojnë edhe ekonomi, edhe të ardhura për komunitetin dhe bashkitë”, është shprehur më parë Nasufi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë