Muzike

Pse njerëzit kanë shije të ndryshme në muzikë?

Nga Jane Kuehne- Në radio, TV apo internet, mund të dëgjoni këngë që ju pëlqejnë, dhe këngë të tjera që thjesht i injoroni. Por edhe këngët që nuk ju pëlqejnë, kanë zakonisht disa fansa. Ndoshta nuk ju pëlqen muzika e vjetër, por prindërit apo gjyshërit tuaj mund ta pëlqejnë, pasi janë rritur me të.

Edhe ju kur të rriteni, ka të ngjarë t’i ktheheni muzikës që doni. Si profesoreshë e edukimit muzikor, që jap mësim psikologjinë e muzikës, kam reflektuar dhe studiuar për shumë kohë preferencat muzikore, dhe mënyrën se si muzika depërton në trurin e njerëzve.

Disa kompozitorë prodhojnë një muzikë që i tërheq njerëzit ndër breza. Për shembull, kënga  “True Colors”, të cilën artistët e kanë ripërpunuar dhe nxjerrë në treg herë pas here. Për herë të parë u këndua në vitin 1986 nga këngëtarja Cyndi Lauper. Dhjetë vjet më vonë, Disney World’s Epcot e përdori atë si pjesë të një videoje para shfaqjes.

Ndërsa 10 vite më vonë, erdhi sërish në veshët tanë si pjesë e filmit “Trolls”. Tani, nëse kërkoni në internet, do të gjeni shumë variante “cover” të kësaj kënge. Po si ka mundësi që kjo këngë të tërheqë kaq shumë njerëz të ndryshëm me kalimin e kohës, ndërsa këngët e tjera jo?

Pse disa njerëz kanë një shije jashtëzakonisht të ndryshme në muzikë, edhe pse disa këngë mund të bashkojnë njerëz me prejardhje dhe breza të ndryshëm? Studiuesit kanë studiuar prej kohësh mënyrën sesi përpunohet muzika në trurin tonë. Ata pretendojnë se njerëzve u pëlqen muzika me ritme të veçanta, të cilat shkaktojnë ndonjëherë reagime të këndshme fizike.

Ky zbulim, sugjeron se njerëzit kanë krijuar dhe dëgjojnë muzikë me kalimin e kohës, pasi ajo është e këndshme ose shpërblyese. Disa studiues thonë se njerëzit përjetojnë emocione përmes muzikës, ose ata zgjedhin muzikën bazuar në atë që duan të ndjejnë.

Një studim i vitit 2011, tregoi se preferenca muzikore mund të pasqyrojë emocionet që ndjejnë njerëzit kur dëgjojnë muzikë, pavarësisht nga stili i muzikës. Disa njerëz i përgjigjen muzikës së butë dhe qetësuese. Emocionet e të tjerëve nxiten nga muzika e stilit klasik.

Të tjerët reagojnë emocionalisht ndaj muzikës kantautorale si country, folk dhe disa ndaj muzikës pop. Preferencat për lloje ose stile të caktuara muzikore, mund të burojnë nga koha dhe vendi ku ata dëgjohen për herë të parë, ose mund të jenë thjesht specifike për çdo person, pavarësisht se çfarë po ndodh rreth tij.

Megjithëse njerëzve mund t’u pëlqejë një muzikë e caktuar në një moment të jetës së tyre, preferencat e tyre muzikore ndryshojnë me kalimin e kohës, bazuar në përvojat e tyre të jetuara. Kur jeni duke u përballur me një periudhë të vështirë, mund të zgjidhni muzikë që pasqyron atë që dëshironi të ndodhte dhe të kërkoni këngë gazmore.

Nga ana tjetër, njerëzit tërhiqen ndonjëherë drejt këngëve të trishta. Njerëzit duan të kalojnë një periudhë pikëllimi, ndaj mund të kërkojnë këngë që i ndihmojnë të kuptojnë emocionet e tyre. Megjithatë, zgjedhjet e njerëzve nuk na ofrojnë të dhëna shpjeguese për të gjithë panoramën.

Shija muzikore, shkon më thellë sesa lloji apo zhanri i muzikës. Njerëzit që pëlqejnë muzikën pop ose rock, nuk e pëlqejnë të gjithë të njëjtën muzikë pop ose rock. Studimet mbi personalitetin dhe ndërveprimin në mediat sociale, sugjerojnë se shijet tuaja muzikore mund t’u tregojnë të tjerëve se çfarë lloj personaliteti keni.

Nëse dikush e di se çfarë lloj muzike ju pëlqen, kjo mund të tregojë diçka për personalitetin tuaj. Studime të tjera sugjerojnë se preferencat tuaja muzikore, pasqyrojnë personalitetin tuaj unik. Pra, njerëzit që tashmë ju njohin, mund të jenë në gjendje të sugjerojnë muzikën që dëshironi të dëgjoni.

Për shembull, ata që janë më të hapur, mund të preferojnë muzikë të butë dhe të sofistikuar

si “What Was I Made For” të Billie Eilish? Apo një muzikë shumë ritmike si “Natural” apo “Imagine Dragons”. Studimet kanë zbuluar se tipat më të hapur nga pikëpamja sociale,  mund të priren drejt muzikës bashkëkohore.

Tipat më të qetë preferojnë muzikë romantike. Ndërkohë njerëzit më ekspresivë, anojnë drejt muzikës së fortë tekno. Njerëzit që janë më në ankth, mund të preferojnë lloje të ndryshme muzike. Njerëzit mund të pëlqejnë muzikën e artistëve që pëlqejnë si personazhe, dhe jo sesi tingëllon muzika e tyre.

Disa preferojnë muzikë nga artistë që ngjajnë me veten, veçanërisht kur mund të shikojnë profilet e tyre në rrjetet sociale. Po pse ka rëndësi të dish se çfarë muzike pëlqejnë të tjerët? Njohja e preferencave dhe personalitetit muzikor të njerëzve të ndryshëm, mund të mbushë boshllëqet midis njerëzve me personalitete dhe identitete të ndryshme.

Një studim i 765 milionë këngëve të dëgjuara nga njerëzit në mbarë botën, zbuloi disa arsye pse njerëzit dëgjojnë muzikë. Preferencat e njerëzve, prireshin të ndryshonin bazuar në orën e ditës, moshën e tyre dhe stilet e veçanta të muzikës. Shumica e njerëzve dëgjonin muzikë më relaksuese gjatë natës, por muzikë më ritmike gjatë ditës.

Muzika e transmetuar në Amerikën Latine, prodhonte shpesh reagime më të shpejta fizike dhe emocionale. Muzika e transmetuar në Azi ishte zakonisht qetësuese. Njerëzit që qëndronin zgjuar më vonë gjatë natës, dëgjonin muzikë më pak intensive.

Në varësi të vendit ku jetonin pjesëmarrësit, kohëzgjatja e ditës luajti gjithashtu një rol në zakonet e tyre të dëgjimit të muzikës. Pra mjediset sociale dhe humori individual, diktonte edhe preferencat e tyre. Atëherë pse kemi shije të ndryshme në muzikë? Njerëzit kanë personalitete komplekse, dhe muzika që u pëlqen mund të lidhet me këtë gjë.

Truri i njerëzve funksionon në mënyra unike kur përpunon muzikën. Disa mund të kenë një reagim fizik ndaj një muzike së caktuar, ndërsa të tjerët jo. Njerëzit mund ta pëlqejnë muzikën e dikujt, pasi pikëpamjet e artistit që e luan apo këndon, mund të jenë si pikëpamjet e tyre.

Thënë këtë, disa këngë befasojnë, intrigojnë dhe argëtojnë një gamë të gjerë dëgjuesish, gjë që i bën ato të pëlqyera në nivel botëror. Përfundimi? Çdo person është unik në shumë mënyra, dhe shijet e tyre muzikore e pasqyrojnë këtë veçanti.

*Shënim: Jane Kuehne, profesoreshë e asociuar e edukimit muzikor, Universiteti Obërn. SHBA.

Burimi: The Conversation. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë