Nga Gazeta ‘Si’ – I hapur në vitin 1911, “Jack’s Brasserie” në Bernë është restoranti i pushtetarëve zviceranë. I ndodhur vetëm 5 minuta ecje më këmbë larg parlamentit federal, mes llambadarëve dhe mbulesave të bardha, këtu mblidhen rregullisht lobistët e korporatave që përpiqen të joshin politikanët zviceranë që t’i favorizojnë me ligjet dhe rregulloret që miratojnë.
Giuliano da Empoli është italian. Romani i tij i parë dhe njëherazi shumë i shitur mbi elitën politike të Rusisë, i shkruar fillimisht në frengjisht, është botuar së fundmi në anglisht me titullin “Magjistari i Kremlinit”. Por nëna e tij është zvicerane, dhe ai po pushon afër Bernës në Interlaken.
“Kam 40 vjet që vij tek Jack’s Brasserie. Dikur më sillte im atë”- më thotë ai në anglishten e tij gati të përsosur. Dhe ishte pikërisht i ati, që pa dashje e njohur atë me çështjet e dhunës dhe pushtetit. Da Empoli e kupton pushtetin, edhe sepse dikur kishte vetë një farë pushteti,si këshilltar i Matteo Renzit, i cili gjatë viteve 2014-2016 ishte kryeministri i Italisë.

Për këtë arsye romani i tij është shndërruar në një udhërrëfyes, të lexuar nga shumë politikanë perëndimorë, mbi mendësinë që dominon në Kremlin. Libri përshkruan udhëheqjen ruse që nga vitet 1990, një temë të cilën Da Empoli e kishte studiuar me shumë pasion që nga vizita e tij e parë në Moskë në vitin 2010.
“Në Rusi, pushteti është një kafshë gjigante. Në Zvicër pushteti është si një kotele, por edhe ajo e zbutur. Përgjatë historisë, pushteti qendror është dobësuar, është shpërndarë në nivel lokal përmes referendumeve. Politikanët zviceranë janë të mërzitshëm. Dhe kjo është diçka shumë e mirë. Sepse sa më spektakolar të jetë një sistem politik, aq më keq është”- thekson ai.
Romani që e ka bërë të famshëm ndërkombëtarisht, u botua në prillin e vitit 2022, disa javë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Ai thotë: “Në fillim nuk e mendoja se do të shiste më shumë se 3.000 kopje. Dhe kur shpërtheu lufta, mendova se do të mbetej tërësisht në harresë”. Në fakt është shitur rreth 650.000 kopje vetëm në Francë.
I lindur në Paris, Da Empoli jetoi më pas në periferi të Brukselit, ku babai i tij, një ekonomist italian, punonte për Komisionin Evropian. Në vitin 1984 familja u transferua në Romë, ku babai i tij ishte emëruar si këshilltar i lartë ekonomik i qeverisë socialiste të Bettino Craxi.
Në vitin 1986 Brigadat e Kuqe, një organizatë terroriste e ekstremit të majtë ishte gati e shkatërruar, por një fraksion i saj mbetej aktiv.
“Im atë ndalonte çdo ditë tek e njëjta kioske për të blerë gazetat, një veprim që sot mendoj se i gabuar. Një ditë disa terroristët donin ta vrisnin.
Por ai mbante si truproje shoferin e tij, një karabinier në profesion. Ai doli nga makina dhe filloi të qëllonte. Vrau njërin nga terroristët, dhe të tjerët arritën të largohen. Babai im mbeti i plagosur, me një plumb në dorë dhe dy në këmbë. Në atë kohë isha 12 vjeç”- kujton Da Empoli.
I ati mbeti nën ruajtjen e policisë, deri në vdekjen e tij në një aksident automobilistik në vitin 1996. Da Empoli e botoi librin e tij të parë politik kur ishte vetëm 23-vjeç. Një dekadë më vonë, ai u njoh me të riun asokohe të panjohur, Matto Renzi, që ishte drejtues i Bashkisë së Firences, duke u bërë këshilltari i tij.
Në vitin 2014, në moshën 39-vjeçare, Renzi u bë kryeministri më i ri në historinë e Italisë. A e çoi Da Empolin në zemër të pushtetin qendror ngjitja e papritur e Renzit në krye të vendit? “Arsyeja pse nisa të punoja me Renzin, ishte se besoja se ai do të ishte forcë vërtet e fuqishme dhe përçarëse. Politika është e padrejtë, ajo ka një lloj përbërësi kafshëror. Dhe unë mendoja se ai e kishte atë”- deklaron ai.
Sigurisht, Renzi nuk ishte Vladimir Putin, por Da Empoli beson se disa aspekte të pushtetit janë universale. “Unë mendoj se ndryshimi midis udhëheqësit dhe këshilltarit të tij, është se lideri është 100 për qind i fokusuar në veprimet e tij. Nuk ka asnjë lloj hendeku midis asaj që ai bën dhe mendon, dhe asaj se kush është ai.
Ndërkohë këshilltari mban një lloj distance, e cila e lejon atë të jetë më i kthjellët dhe ndoshta të vazhdojë të japë këshilla të mira. Kjo i përshtatet personaliteteve të caktuara. Dhe mua më përshtatet në mënyrë të përkryer”, thekson më tej Da Empoli.
Puna si këshilltar do ta ndihmonte shumë në përshkrimin e tij letrar të “magjistarit” të Kremlinit, këshilltarit imagjinar të Putinit, Vadim Baranov. Da Empoli thotë se Putin ushtron një lloj pushteti “para-modern” që i habit politikanët evropianë perëndimorë.
“Ai përdor kode, që ndoshta disa nga paraardhësit tanë do t’i kishin kuptuar më mirë se ne. Putin nuk e përdor internetin. Ai nuk shfaqet në rrjetet sociale. Baranov ofron teatrin post-modern që është gjithashtu i rëndësishëm në pushtetin e Putinit”- shprehet shkrimtari bestseller.
Personazhi Baranov është modeluar sipas këshilltarit politik rus Vladislav Surkov. A ka biseduar Da Empoli me Surkov mbi romanin? “Jo. Unë mendoj se ndodhet në një pozicion shumë delikat. Tani në Kremlin nuk ka shumë hapësirë për fantazistët ekscentrikë dhe cinikë. Kur nis të rrafshosh qytete të tëra, dhe të burgosësh për 15 vjet të gjithë ata që e quajnë luftën luftë, nuk jeni më i preferuar nga lideri. Kur dominon brutaliteti absolut, zbehet shumë roli i personazheve të tillë”- thekson ai.
Unë përmend kritikën e New York Times: që libri i tij është shumë i kuptueshëm për liderët e Rusisë, dhe se empatia e tij i ‘infektoi’ edhe politikanët francezë. Da Empoli ngre supet: “Mund të ishte një kritikë e mirë për një libër jo thriller. Por thelbi i këtij zhanri, është pikërisht ky:të arrish të futesh në kokën e dikujt”.
E çfarë ka tani në kokë Putin? “Ai është një kafshë e pushtetit. Në librin e tij ‘Turmat dhe pushteti’, Elias Canetti thotë se nxitja drejt pushtetit, bazohet tek vullneti për të mbijetuar, duke e arritur këtë mbi gjithë të tjerët. Dhe në fund, detyroheni të eleminoni gjithë të tjerët, pasi në një farë mënyre, kjo e garanton mbijetesën tuaj.
Për këtë arsye, skena e fundit e Putinit në libër, është ajo kur ai shëtit vetëm në një varrezë, sigurisht me qenin e tij. Sepse qeni është gjithmonë i rëndësishëm. Unë mendoj se ai e di se me pushtimin ai ka bërë një gabim të rëndë strategjik. Por një nga rregullat e këtij lloj pushteti, është të mos kthehesh kurrë pas, të mos shfaqësh asnjëherë ndonjë luhatje në vullnetin dhe sigurinë absolute.

Ai nuk ishte aq i fortë sa të impononte rendin e tij në Ukrainë. Por mund të jetë mjaftueshëm i fortë për të imponuar kaos atje. Dhe ai përfitoi nga rasti për të konsoliduar sundimin e tij brenda vendit dhe për ta bërë atë shumë më të pamëshirshëm. Dhe kjo po funksionon, të paktën tani për tani”- thekson ai.
A e ka ndryshuar suksesi i romanit të tij? Giuliano qesh: ”Jam i bindur se do të ketë sërish ulje në karrierën time. Dhe kjo është diçka e mirë, sepse suksesi i një libri mund të të fusë në një kurth, duke të nxitur të bësh gjëra që nuk ke dëshirë, apo të shoqërohesh me njerëz që nuk i do.
Pra në të njëjtën mënyrë, një ngjarje e keqe mund të jetë diçka pozitive. Kjo mund të tingëlloi si shumë klishe. Humbja e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2018, nuk mendoj se ishte e mirë për Italinë, por për mua personalisht ishte pozitive, sepse u largova nga diçka që nuk bënte për mua”- thotë Da Empoli.
Por ai shton se romani ishte një produkt i spontanitetit. “Unë nuk e kisha menduar kurrë se do të bëhesha një romancier. Doja të shkruaja diçka, që vajzës ime mund t’i pëlqejë ta lexojë kur të rritet, dhe librat jo letrarë nuk mbetën në modë”.
E pyes nëse ka ende ideale politike? “Nëse do të më kishit pyetur në të kaluarën, do t’ju kisha thënë ‘po’ me shumë bindje. Por tani, ajo që më ka mbetur është ideja që ne përpiqemi të mos e vrasim njëri-tjetrin. Ne kemi qenë të suksesshëm me projektin e Bashkimin Evropian, duke mos e bërë këtë për një periudhë shumë të gjatë. Tani edhe kjo ide është më e zbehtë. Por ky projekti evropian është i vetmi ideal i fortë që kam”.
Ai përmend Robert Menasse, shkrimtari austriak i romaneve mbi Brukselin dhe me gjasë për zgjerimin e BE-së.
Le të supozojmë se pas 100 vitesh dikush vazhdon ende të lexojë libra. Si do ta lexojnë librin e tij mbi Brukselin? A do ta lexojnë ata ashtu siç lexojmë ne shkrimtarët austro-hungarezë, Zweig, Musil dhe Joseph Roth, me nostalgjinë e një bote që është zhdukur tashmë?
Çfarëdo që të ndodhë, në projektin evropian ka një pjesë të pafajësisë, e cila po humbet njëherë e përgjithmonë: pra ideja që kishim, se bota do të bëhej si ne, mbi traktatet dhe fuqinë e butë. Ajo që kemi humbur sot është kjo veçanti evropiane, e cila dikur ishte shumë më i fortë se veçantia amerikane”- përfundon ai.
Burimi: Financial Times/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




