Treg

Ekonomia e betonit po mban Shqipërinë

Nga Gazeta 'SI' - Nëse në 2022-shin, shqiptarët u shqetësuan për çmimin e naftës, në 2023- shin, ata u shqetësuan për tregun imobiliar. Një rritje e shpejtë dhe e pajustifikueshme e çmimeve të pronave ngriti shqetësimet për një krizë strehimi dhe efektet pas ‘plasjes së flluskës’.

Në një efekt domino, këto zhvillime prekën konsumatorët, bankat dhe qeverinë.

Çmimet

Deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2023 (shifrat e fundit zyrtare nga BSH) çmimet në tregun imobiliar u rritën me 11.6% mesatarisht dhe me 13.3% vetëm në Tiranë. Agjentët imobiliarë, kryesisht të fokusuar në kryeqytet tregojnë për Gazetasi.al se vlera prej 1.200 euro/m2 mund të gjendet tashmë vetëm në periferi të saj.

Paradoksalisht indeksi Fischer për gjysmën e parë të 2023-shit tregon se kërkesa për blerje banesash ka qenë e lartë dhe se çmimi nuk ka qenë aspak problem për blerësit. Madje raportohet se janë rritur shitjet me çmimin që ofron shitësi, pa nevojën e negocimit.

Për të njëjtë periudhë, BSH raporton se ka pasur një ngadalësim të kredisë hipotekore. Edhe pse bankat lehtësuan kushtet e kreditimit, kërkuan më pak kolateral, shqiptarët ishin shumë më pak të interesuar për hua banese. 60% e pronave të blera deri në gjysmën e vitit 2023 u blenë pa nevojën e një kredie bankare. Dhe ky është një shqetësim, raporton OKB.

Tregu imobiliar si lavatriçe parash

Në një raport-profil për Shqipërinë, Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se zhvillimet mikroekonomike nuk justifikojnë kërkesën dhe rritjen e çmimit në këtë sektor, vetëm pastrimi i parave.

“Kredia vetëm tani ka nisur të rritet. Kjo për shkak të informalitetit të lartë në sektorin e ndërtimit, që kryhet me para cash dhe dërgesa nga emigrantët. Ndërtesa e formalizuara kanë çmime të larta dhe rreth 32% e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjysmën e parë të 2021 janë blerë nga jorezidentë. Pastrimi i parave ka shumë mundësi të ketë qenë një faktor kontribuues në rritjen e çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare”, thuhet në dokumentin e OKB.

Shoqëruar me një ilustrim grafik, drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, vlerëson se një ndër format më të shpeshta (dhe të lehta) të pastrimit të parave në Shqipëri është nëpërmjet tregut imobiliar. Ky fenomen është cilësuar si faktori i parë dhe i vetëm që ka rritur çmimin e pronave në Shqipëri duke krijuar një kërkesë fiktive dhe spekulative. 

BSH rregullore për imobiliaret

Këto dinamika “shqetësuan” edhe Bankën e Shqipërisë e cila hartoi dhe miratoi rregulloren për kreditimin e këtij sektori. Sipas ndryshimeve, BSH mund të kufizojë vlerën dhe masën e kredisë nëse ka shenja të riskut. Në rregullore përcaktohen dhe të gjitha situatat kur kredimarrja cilësohet me rrezik, ku vlerësohet si e tillë kredia e pambrojtur (klienti ka të ardhurat në lekë dhe kredinë e merr në valutë), kur kolaterali që është pronë ndodhet në juridiksion të huaj. Kur kredimarrësi kërkon një periudhë të pazakontë amortizimi etj.

Më herët, në një komunikim me Gazetasi.al, kreu i departamentit për Stabilitetin Financiar në BSH, Klodion Shehu tha se rregullorja është një domosdoshmëri për një treg që po zhvillohet shpejt dhe për t’i paraprirë rreziqeve që ajo mund të sjellë.

Në fund të gushtit të këtij viti, qeveria miratoi çmimet e reja të referencës për kryeqytetin duke i rritur ato deri në 54%.

Ky ndryshim nervozoi ndërtuesit, të cilët kundërshtuan vendimin e qeverisë dhe u përplasën live me kryeministrin Edi Rama, i cili tha se evazioni nga ata, është pikërisht arsyeja e rritjes së referencës.

“Në plan biznesi e keni ju edhe evazionin? S’kishit parashikuar që shteti do vinte momenti do thoshte stop sepse ndërtoni, bëni shumë mirë, kontribuoni në ekonomi, por paralelisht bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturën, duhet të ndërtojnë hapësirat rreth e rrotull për të cilat ju nuk merrni përsipër të bëni gjë. Epo që ju të shisni apartamente me 2000, 3000,4000 5000, të sillni hapësira biznesi me 7000-8000 Euro dhe të deklaroni atje çmime që janë larg të vërtetës kjo nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, janë vënë mbi bazën e tregut. Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet 1 m2 te blloku, te Astiri. Janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë ju detyrimi që të përgjigjeni ndaj shtetit. Sa doni të fitoni ju në këtë histori? Ju doni të fitoni sa më shumë”, tha kryeministri në një takim me ndërtuesit.

Ndërtimi dhe tregu imobiliar si shtyllë e ekonomisë

INSTAT raporton se ekonomia e Shqipërisë po orientohet gjithmonë e më shumë drejt ndërtimit dhe pasurive të patundshme. Vetëm tremujorin e tretë 2023, ndërtimi u rrit me 4.72% dhe tregu imobiliar me 12.2%. Edhe pse mbajti gjallë ekonominë e vendit, për ekspertët rritja bazuar në ndërtim gjeneron para, por jo produktivitet, duke u bërë kështu një barrë tjetër për inflacionin dhe rrjedhimisht konsumatorët.

‘Ekonomia e betonit’ vijon rritjen

Deri në shtator të këtij viti qeveria miratoi 1.299 leje ndërtimi në një sipërfaqe prej 1.52 mln m2, gjysma e së cilës i përket Tiranës.  Krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipërfaqja është ulur, por numri i lejeve është rritur.

Këshilli Kombëtar i Territorit, drejtuar nga kryeministri Edi Rama, në tetor të këtij viti miratoi lejet e ndërtimit për 12 kulla në kryeqytet.

Sipas vjetarit të Instat për vitin 2021 (e fundit e disponueshme) ndërtimi zë pothuajse 11% të Vlerës së Shtuar Bruto të PBB-së së Shqipërisë, 6.6% aktiviteti i pasurive të paluajtshme. Për BE-në ky tregues është mesatarisht 5.5%.

Në kundërshtim me shifrat është parashikimi i qeverisë dhe i Bankës së Shqipërisë. Dy burimet me të fuqishme parashikojnë se sektori i ndërtimit në vend nuk do të lëvizë më të njëjtën shpejtësi si deri tani. Nga rreth 2% kontribut në rritjen e PBB-së në vitin 2021, qeveria pret vetëm 0.1% në  2023-shin, dhe rritje të papërfillshme në dy vitet pasuese.  Edhe Banka e Shqipërisë flet për rënie të ofertës së banesave në treg dhe rënie të regjistrimeve të reja, si edhe ulje të kreditimit për këtë sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë