Nga Gazeta Si - “Vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore....”. Kështu do të shprehej etnologia franceze, Jacqueline Benezech për veshjen mirditore, e cila tanimë është shpallur pasuri kombëtare.
Me propozim të Qendrës “Unioni Mirdita”, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, pasi shqyrtoi dosjen, vendosi që kjo veshje që ka shoqëruar në shekuj gruan e krahinës së Mirditës dhe që mbart elementë autentikë kulturorë etnografikë, të shpallet pasuri kombëtare.
Për etnografen Afërdita Onuzi, shpallja e kësaj veshjeje si pasuri kombëtare është një lajm i mirë, pasi shton vëmendjen drejt kësaj veshjeje të mrekullueshme. Etnografja Onuzi thotë për Gazetasi.al se bëhet fjalë për një ndër veshjet më të hershme, pasi daton që në periudhën e shtetit të Arbrit, në shek. XII-XIII.
“Veshja e Mirditës futet në grupin e veshjeve të hershme, jo më të hershmet siç kemi xhubletën, por e hershme dhe e përvijuar me ato tiparet e saj në periudhën e shtetit të Arbrit në shek. XII-XIII. Në atë periudhë shfaqet më shumë. Edhe sipas Rrok Zojzit, që ka qenë një nga themeluesit e shkencës etnografike shqiptare xhokja (si një lloj palltoje) që shoqëron veshjen mirditore përbën një ndër elementët më të hershëm. Përveç kësaj ka edhe një pjesë tjetër që e shoqëron që është përparja e saj. Edhe kjo është një ndër pjesët më të hershme kur sapo njerëzit filluan të mbulojnë pjesët e turpshme të trupit. Kjo veshje në tërësinë e vet përbën një nga veshjet më të spikatura në atë grupin e veshjeve popullore. Pjesa më interesante është xhupja që vishet në pjesët e sipërme që shoqëron një këmishë të gjatë ku këmisha në pjesën e përparme ka një zbukurim të veçantë me palëza”, shprehet për Gazetasi.al etnografja Afërdita Onuzi, ndërsa shton se “si tipologji veshjeje ka qenë e përhapur jo vetëm në Mirditë, por aty ka pasur një përhapje më të gjerë”.
Shtrirja gjeografike e përdorimit të kësaj veshjeje përfshin gjithë krahinën e Mirditës, kalon edhe në Zadrimë të Lezhës, fshatra të Burrelit, por edhe në Lurë të Dibrës.
“Mua më vjen mirë që jo vetëm zona e Mirditës, por edhe zona të tjera të Veriut, e përdorin këtë veshje. E gjejmë si veshje edhe në Zadrimë të Lezhës, disa fshatra të Burrelit si dhe në Lurë të Dibrës. Edhe kohët e fundit ajo ka përdorim të gjerë. Përdoret jo vetëm në dasma, por edhe në festa familjare. Kam parë plot raste që këtë veshje nuk e vesh vetëm nusja, por edhe dasmorët e tjerë e kanë si një prirje për ta veshur. Një gjysmë ore, dasmorët do paraqiten me këtë veshje. Ajo ka përdorim të gjerë edhe në aktivitetet artistike. P.sh në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, Mirdita paraqitet me veshjen e saj të veçantë. Por edhe Puka paraqitet me veshjen mirditore nëpër aktivitete kulturore”, vijon më tej etnografja.
Edhe pse e pranon se në përgjithësi kultura popullore ka tendencën të shkojë drejt transformimit, përfshirë këtu edhe veshjet pasi nga një periudhë në tjetrën veshja nuk mund të jetë statike, të mos ndryshojë, Onuzi thekson se veshja mirditore është një nga veshjet më të ruajtura në drejtim të prodhimit. Ajo liston edhe arsyet se si kjo veshje ka arritur të mos ‘deformohet’.
“Veshja e Mirditës është ndër më të ruajturat, sepse kjo veshje nuk riprodhohet me nismat private që marrin përsipër të prodhojnë veshje si p.sh atelietë që janë shtuar shumë kohët e fundit. Ajo prodhohet në familje dhe duke u bërë në familje, gratë që e kanë përdorur më përpara ia dinë mirë specifikat, duke e sjellë këtë veshje shumë origjinale”.
Tani që veshja mirditore u shpall pasuri kombëtare, etnografja i mëshon fort faktit se duhet patur kujdes në ruajtjen e riprodhimit të saj. Sipas saj, shpallja si pasuri kombëtare është një lajm i mirë, por ajo nuk duhet të denatyrohet, nuk duhet të humbasë origjinalitetin e saj, pasi tanimë mund të prodhohet më shumë në sasi.
“Tani Ministria e Kulturës duhet të jetë më e vëmendshme sepse për hir të së vërtetës janë mirditorët ata që më shumti kujdesen për këtë veshje, por duhet shtuar edhe vëmendja e punonjësve të Ministrisë për të ruajtur origjinalitetin e veshjeve popullore”, thotë Onuzi.
Ajo shton se “në festivalet e mëparshme folklorike dërgoheshin specialistë për të kontrolluar veshjet, grupet, siç kontrolloheshin tekstet e këngëve, por në kuptimin e mirë të fjalës. Kur bëhet fjalë për festivale folklorike, gjithçka duhet të jetë origjinale”.
Duke qenë se bëhet fjalë për një veshje që përcjell vlera si për vendësit, por edhe për turistët që jo pak herë janë mahnitur nga folklori ynë, etnografja thotë se elementë të kësaj veshjeje janë të “denjë” për t’u shtuar edhe në veshjet e sotme.
“Për këtë veshje unë do të doja edhe më shumë, sepse do të veçoja xhupen dhe dekorin e saj që nuk e gjen në veshjet e tjera popullore. Mund të themi që është një kryevepër njerëzore. Është jashtëzakonisht e bukur. Dekori i saj si kryq mund të futet edhe në krijime të tjera, por edhe në veshje të modës së sotme. Ashtu si ‘Muza Competition’ që synon që elementë të veshjeve popullore të futen në veshjet e sotme. Për mua është një veshje që mund të gjesh shumë elementë që mund të përdoren edhe në veshjet e sotme. P.sh këmisha e bardhë me palëza është një këmishë që çdo vajzë mund ta veshë edhe në ditët e sotme”, përfundon etnografja Afërdita Onuzi për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.