Nga Gazeta Si - Fundi i nëntorit do të flasë në Tiranë me gjuhën e teatrit. Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” pas Shkupit mbërriti këtë nëntor në Tiranë. Edicioni i dytë i festivalit nisi mbrëmjen e së hënës dhe do të zgjasë deri më 27 nëntor ku do të prezantohen krijimet më të mira në fushën e teatrit.
Organizatorët kanë përzgjedhur dramën “Vojçek” për ta çelur këtë festival shëtitës. “Vojçek”, e cila e pati premierën në muajin shtator, është një vepër e shkruar në fillim të shek. XIX, por që i flet publikut bashkëkohor mbi transformimin e qenies njerëzore në shoqëri të dhunshme. Aktorja Luli Bitri, e cila mban një ndër rolet kryesore në shfaqje, do të shprehej për Gazetën “Si” se kjo histori edhe pse e shkruar në vitet 1800 mbetet e gjithkohshme, pasi nxjerr në pah mënyrën se si i destinon shoqëria jetët njerëzore.
Altin Basha, drejtori i Teatrit Kombëtar që këtë vit është institucioni pritës i festivalit thekson për Gazetën “Si” rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit të vendit tonë në fushën e teatrit, ekipeve të brezave, atyre më të rinj dhe më me përvojë, shijeve estetike, takimeve dhe debateve me fokus përmirësimin.
“Festivali Moisiu është aktiviteti më i rëndësishëm teatror i të gjithë teatrit shqiptar, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Është një festival që promovon vlerat më të mira të teatrit dhe synimi i tij është krijimi i një tregu të madh teatror gjithëpërfshirës, i cili t’i ndajë vlerat jo vetëm brenda kufijve administrativë, por t’i zgjerojë ato me perspektivën e një lloj dimensioni më të gjerë të teatrit shqiptar, i cili është i domosdoshëm. Kjo është arsyeja themelore për të cilën, mendoj se festivali ka rëndësi. Nga ana tjetër për teatrin shqiptar ballafaqimi i ideve, i cilësive teatrore, i profileve, i identiteteve profesionale në fushën e aktrimit, regjisë, kostumografisë, muzikës e gjithë aspekteve të tjera teatrore, pa dyshim që ndihmon tregun për të identifikuar më të mirët dhe për të krijuar referenca të reja në zhvillimet e ardhshme të teatrit shqiptar”, shprehet regjisori Altin Basha, njëkohësisht drejtori i Teatrit Kombëtar për Gazetën “Si”.
Sipas Bashës sistemi me rotacion (vjet në Shkup, sivjet në Tiranë e vitin që vjen në Prishtinë) u jep mundësinë të tria qendrave teatrore të mëdha shqiptare, Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës që të mirëpresin një numër të madh artistësh.
“Kjo i jep mundësinë edhe publikut që të shohin më gjerë se produktet që teatrot respektive realizojnë ghjatë vitit”.
Shfaqjet e festivalit do të kenë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve.
“Janë 15 shfaqje në program, njëra nga të cilat është bashkëprodhim. Shfaqjet janë të natyrave të ndryshme sa u përket zhanreve, por nga ana tjetër të natyrave të ndryshme edhe për sa u përket estetikave teatrore. Kemi shfaqje të drejtuara nga regjisorë shqiptarë, por edhe nga regjisorë të huaj. Në këtë kuptim do të jetë një festival interesant me një repertor goxha të pasur”, vijon më tej regjisori Altin Basha.
Edicioni i dytë i “Moisiu”-t do të mbyllet me bashkëprodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit”, një shfaqje që do të vijë jashtë garës me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi.
Basha ndër të tjera thotë për Gazetën “Si” se bashkëprodhimet kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm, por ato do të vazhdojnë. Sipas tij nga ky festival do të lindin dhe debate mbi perspektivën e teatrit shqip.
“Pritshmëritë janë që të krijohet një lloj fryme kritike mbi shfaqjet e festivalit, mbi krijimin e opinioneve dhe mendimeve të pjekura profesionale ku të flitet për shfaqjet, ndofta dhe për dobësitë e tyre. Të ketë debat mes brezave. Kemi ftuar regjisorë të rinj, kritikë arti, njerëz me nivel shumë të lartë professional, të cilët do të diksutojnë në ditët në vazhdim, në hollin e Teatrit Kombëtar. Kshuqë shpresojmë që të ngjallë një frymë kritike”.
Për festivalin që më shumë se sa një garë, është dhe shkëmbim eksperiencash dhe zgjerim netëork-u i trupave teatrore, regjisori Basha thotë se përpos vështirësive për ta relaizuar synimi thelbësor është të kthehet në traditë.
“Ideja e rotacionit do të ketë vështirësitë e veta derisa të plotësohet rrethi i plotë. Shkupi e bëri vitin që kaloi, Tirana e nisi dhe Prishtina vitin tjetër. Në mnënyrë graduale ne do të mësojmë vështirësitë, të përballojmë të papriturat që ngjall ky festival sepse sic mund të kuptohet janë koordinimi i 14 trupave dhe nga pikëpamja administrative dhe meanxheriale nuk është e lehtë. Por mendojmë që patjetër të kthehet në një traditë dhe të jetë një festival referent i teatrit shqiptar. Në mënyrë graduale shpresojmë që të hapemi edhe për rajonin dhe sigurisht tentativa është për ta ndërkombëtarizuar teatrin shqiptar nëpërmjet eksportimit të shfaqjeve në tregun ndërkombëtar”.
Çmimet që do të ndahen në fund të festivalit janë: Shfaqja më e mirë, Regjia më e mirë, Aktori më i mirë, Aktorja më e mirë, Aktori i dytë më i mire, Aktorja e dytë më e mirë, Aktori i ri ose aktorja e re më e mirë, Skenografia më e mirë, Kostumografia më e mirë, Kompozitori ose kompozitorja më e mirë, Çmimi i dramës shqipe, Çmimi i karrierës.
Shqipëria ka një anëtare jurie, aktoren Yllka Mujo, ndërsa nga dy anëtarë dy teatrot e tjerë. Teatri Shqiptar i Shkupit ka si anëtarë jurie aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.