Nga Gazeta 'Si'-Pavarësisht projekteve për ta shpëtuar, Ura e Zogut mbi lumin Mat vijon të jetë nën rrezikun e shembjes, rrezik i cili është shtuar nga reshjet intensive të vjeshtës. Ende asnjë gur nuk është lëvizur për restaurimin e saj edhe pse projektin qeveria e ka miratuar që në mars të këtij viti.
Aktivistët sërish bëjnë thirrje për ta shpëtuar duke u shprehur se askush nuk u përgjigjet për mosfillimin e punës.
Qendra Rinore Sebastia thotë për Gazetasi.al se ka që prej janarit 2021 që përpiqet të ndërgjegjësojë komunitetin dhe institucionet për Mbrojtjen e Urës së Zogut-Trashëgimi kulturore e kategorisë së parë, e cila vuan si nga gërmimet e vazhdueshme poshtë këmbëve të saj nga kompani inertesh të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe nga efektet natyrore si reshjet e shiut.
“Më 14 shkurt 2023 kryeministri Rama publikoi projektin për ndërhyrjen emergjente në strukturën e dëmtuar të kësaj ure, duke u shprehur se ky projekt do të financohej dhe zbatohej brenda këtij viti. Përgjatë këtyre 8 muajve pritje, i jemi drejtuar disa herë me kërkesa për informacion Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore të cilat vazhdimisht përgjigjen se janë në proces tenderimi, por nuk na kanë bërë me dije afatet e tenderimit dhe kur fillon ndërhyrja. Me fillimin e reshjeve kjo ndërhyrje bëhet më e vështirë dhe Ura e Zogut është më e rrezikuar se kurrë”, thotë Elton Laska, përfaqësues i Qendrës Rinore Sebastia, duke shtuar se ajo që i shqetëson është se “kur fillon puna për zbatimin e projektit”.
Ndërsa, Klesta Qiriçi, drejtorja e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore që është pjesë e grupit të punës e pyetur nga Gazetasi.al thotë se “Ura e Zogut është në procedurë prokurimi. Procedura ndiqet dhe zhvillohet nga Ministria e Kulturës. Ndërkohë DRTK e Shkodrës është në monitorim të vazhdueshëm të situatës së urës”.
Duke qenë se aktivistët kërkuan angazhimin e instancave, parë vështirësitë e shtuara pas shirave të ditëve të fundit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti në Komisionin për Edukimin do të shprehej se nuk bëhet fjalë vetëm për një monument kulture, por edhe për një vepër inxhinierike komplekse, ndaj duhet që kompanitë të pranojnë sfidën për implementimin e projektit.
“Është e vërtetë që kemi hartuar një projekt në bazë të Paktit për Universitetin dhe jemi në monitorim të vazhdueshëm. Ura e Zogut, në reshjet e fundit nuk më rezulton të ketë pasur goditje madhore, edhe pse ky nuk është një justifikim. Ne kemi hapur disa herë thirrjen drejtuar kompanive për implementimin e projektit, është një projekt ambicioz, pasi përtej faktit që është një monument kulture, është një vepër inxhinierike komplekse. Projekti që ne kemi hartuar së bashku me profesionistët e Fakultetit të Inxhinierisë, është ruajtja emergjente duke pasur parasysh dëmtimin veçmas të një prej këmbëve (është zhvendosur në mbi 2 m e 40 cm). Uroj për implementimin deri në fund të vitit të projektit, që varet jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por nga të gjithë aktorët. Dhe shpresoj të bëhen bashkë disa kompani dhe ta pranojnë këtë sfidë e cila shpeshherë na ngel ne mbi supe, por është një sfidë e përbashkët e një komuniteti të gjerë”, u shpreh Margariti.
LEXO EDHE:
-7 vendet e trashëgimisë më të rrezikuara në Europë, mes tyre edhe Ura e Zogut
-Ura e Zogut në rrezik shembjeje / Shoqëria civile kërkon marrjen e masave për të ndaluar degradimin
-Më në fund do të nisë rehabilitimi i Urës së Zogut
-Ura me shumë harqe dhe një rrëfenjë e shpërfilljes
Projekti për ndërhyrje në Urën e Zogut u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale më 14 shkurt 2023, ndërsa qeveria ka miratuar fondin prej 57.5 milionë lekësh për ndërhyrjen. Ministria e Kulturës asokohe do të shprehej se miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.
Në grupin e punës ishin profesorët Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja.
Për vite me radhë, ekspertë të mjedisit dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore do t’u binin kambanave të alarmit se ekskavatorët që nxirrnin zhavorr nga lumi Mat, po rrezikonin seriozisht “Urën e Zogut”- e shpallur monument kulture në vitin 1999.
Por shqetësimi duket se ra në vesh të shurdhër, duke bërë që rrjedha e ujit të zhvendosë njërën prej këmbëve të urës me 2 metra e 40 centimetra, duke rrezikuar shembjen e saj. Në prill 2022 Federata Europiane për Trashëgiminë Kulturore “Europa Nostra” e përzgjodhi Urën e Milotit si një nga sitet në rrezik të Europës.
Arkeologia Lida Miraj thotë për Gazetasi.al se që me ndërtimin e Rrugës së Kombit, ura nuk u përdor për kalimin e mjeteve, duke e bërë atë lehtësisht të aksesueshme nga persona të papërgjegjshëm që po i vjedhin çdo ditë elementët metalikë për t’i shitur më pas për skrap.
“Rruga e Kombit e mbylli dhe bllokoi. I dha një lloj izolimi, sepse përpara kur shkoje për në Shkodër kaloje nga Ura e Zogut”, thotë Miraj, e shpreson që kësaj ure t’i kthehet funksioni me restaurimin.
Ura e Zogut që është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore, ku stili i harqeve i jep asaj edhe vlerë muzeore u përurua më 26 maj të vitit 1927, ku inxhinieri Gjovalin Gjadri zbatoi projektin e kolegut të ri zviceran, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine “Mazorana & Co. Triest”.
Atë kohë, ndërtimi i një ure mbi lumin Mat që të shërbente për rrugën kryesore kombëtare nga Jugu në Veri të vendit ishte një nga nevojat më urgjente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.