Nga Wolfgang Münchau* – “Për Perëndimin, ky është trekëndëshi i pamundur. Ne mund të financojmë dy luftëra me “prokurë” në të njëjtën kohë, (një luftë e nxitur nga një fuqi e madhe e cila vetë nuk përfshihet)”, tha Sekretarja e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen dhe kishte të drejtë. Ne mund të vendosim gjithashtu sanksione financiare ndaj vendeve të tjera dhe t’i detyrojmë ato që të ndjekin linjën tonë politike.
Së treti, ne kemi aftësinë për të vendosur standarde edhe për pjesën tjetër të botës. Megjithatë, është e pamundur arritja në të njëjtën kohë e të tria objektivave. Për mendimin tim, do të jetë e vështirë të arrihen njëkohësisht edhe 2 të tilla.
Ish-kryeministri francez, Dominique de Villepin, pati të drejtë kur deklaroi në një intervistë televizive të kohëve të fundit, se Hamasi i ka ngritur Perëndimit “një kurth të tmerrshëm dhe brutal si askush tjetër më parë”. Një kurth, që mund të çojë në një zgjerim të konfliktit, por jo vetëm kaq.
Në horizont është edhe rreziku i humbjes së lidershipit global nga ana e Perëndimit, diçka të cilën ne e kemi marrë si të mirëqenë për breza të tërë. Unë mendoj se presidenti rus Vladimir Putin e ngriti ndoshta pa dashje një kurth të tillë, duke e detyruar Perëndimin të vendosë sanksione shumë të rënda ekonomike ndaj vendit të tij pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në fillim të vitit të kaluar.
Për momentin, edhe Kina është subjekt i sanksioneve perëndimore. Për këtë mjafton të kujtojmë rastin e kompanisë kineze Huawei, gjysmëpërçuesve dhe së shpejti edhe makinave elektrike kineze. Megjithatë këto sanksionet, kanë pasur efektin e afrimit të Rusisë me Kinën, duke lënë shumë vende tradicionalisht të pa rreshtuara në ndonjë bllok, si Brazili dhe India, të pasigurta nëse do të ndjekin apo jo udhëheqjen perëndimore.
Ndërkohë, sanksionet zhytën në recesion vendet e Bashkimit Evropian që vareshin nga gazi rus. Mediat kineze dhe teoricienët evropianë të konspiracioneve, i shohin liderët perëndimorë si planifikues dashakeq, që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u imponuar të tjerëve vullnetin e tyre.
Personalisht, jam i bindur se e kundërta është e vërtetë. Perëndimi vepron nën impulsin e ndjenjës së epërsisë morale, të atij zelli misionar që i shtyu dikur kryqtarët të kryenin veprime të neveritshme dhe të padrejta.
Kur qeveria amerikane dhe Kongresi i SHBA-së, miratojnë sanksione financiare dytësore kundër vendeve të treta, për t’i detyruar ato të ndjekin direktivat e tyre politike, këta të fundit përfundojnë duke shkelur të drejtat demokratike të atyre vendeve, duke gjeneruar pakënaqësi dhe revoltë.
Ekziston diçka e dënueshme tek dëshira për t’i imponuar me çdo mjet vlerat morale, dhe
të njëjtën rrugë po ndjek edhe Bashkimi Evropian, duke zbatuar parimet e tij edhe në marrëveshjet tregtare. Nëse programi i marrëveshjeve evropiane me Amerikën Latine është në ngecje, kjo gjë po ndodh sepse BE-ja kërkon që të miratohen standarde evropiane për të mbrojtur pyjet tropikale të vendeve latine.
Australia sapo është tërhequr nga negociatat tregtare me BE-në, pasi e ka kuptuar se nuk ia vlen t’i nënshtrohet imponimeve morale të Evropës. Edhe mbështetja perëndimore për Ukrainën futet në sferën e tregimeve të moralit. Siç thotë edhe filozofit dhe gjenerali prusian, Carl von Clauseëitz:“Mos shkoni asnjëherë në luftë, qoftë edhe në një luftë me prokurë, pa u pajisur me një strategji të aftë për të siguruar mbështetje politike nga dita e parë deri në ditën e fundit. Dhe mos hyni kurrë në një luftë pa pasur më parë një plan për daljen prej saj.”
Prandaj është më se legjitime të pyesim: Cili është plani i rrugëdaljes nga Lufta e Ukrainës, përtej hipotezës joreale të një fitoreje totale? Ku është strategjia e daljes nga konflikti aktual në Lindjen e Mesme? Momenti i madh i lavdisë së Dominique de Villepin ishte fjalimi i tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kur në rolin e tij si Ministër i Jashtëm i Francës, iu lut Shteteve të Bashkuara të mos pushtonin Irakun, sepse provat e mbledhura nuk e justifikonin një ndërhyrje të tillë.
Në atë kohë, qeveria amerikane dhe aleatët e saj vendosën të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe e pushtuan Irakun bazuar tek të dhëna të rreme. Kur akuzojmë Rusinë për shkeljen e ligjit ndërkombëtar, pjesa tjetër e botës, duke përfshirë Jugun Global, nuk është e pavetëdijshme për hipokrizinë tonë.
Sidomos për Bashkimin Evropian, 2 luftërat me prokurë janë në shumë aspekte një katastrofë e vërtetë. Nëse agresioni i Putinit pati fillimisht efektin e konsolidimit të pozicioneve evropiane, ky unitet mbetet fatkeqësisht shumë i brishtë.
Kryeministrat e Hungarisë dhe Sllovakisë, Viktor Orbán dhe Robert Fico, kanë kërkuar tashmë reduktimin e ndihmës për Ukrainën. Ndërkohë lufta midis Izraelit dhe Hamasit, e përçau që në fillim Evropën. Ndarjet ndjekin linjat politike, veçanërisht në kampin e majtë, në të gjitha vendet evropiane.
Ajo që më shqetëson më shumë, janë pasojat afatgjata të ndikimit të përgjithshëm të vendimeve politike të marra që nga fillimi i bllokimeve për shkak të pandemisë. Pas rënies së komunizmit në vitet 1989-1990, Perëndimi i rimodeloi skemat e tij ekonomike bazuar tek dukuria e globalizimit.
Inovacionet teknike të futura në zinxhirët e furnizimit global, me liberalizimin e tregtisë dhe investimeve, kanë krijuar një model të ri ekonomik. Zhvillimi mbresëlënës i Kinës, ishte i lidhur me tepricat e kursimeve që u absorbuan nga Perëndimi, ndërsa Evropa ka përfituar prej kohësh nga kjo.
Por asnjë vend evropian nuk ka qenë në gjendje të kultivojë dhe zgjerojë ndërlidhjet globale si Gjermania. Fragmentimi gjeopolitik që po ndodh aktualisht, do të ketë pasoja të mëdha ekonomike për Perëndimin në planin afatgjatë. A kemi reflektuar me kujdes mbi gjithë këtë, ndërsa po përgatitemi të ndjekim ecjen e Shteteve të Bashkuara drejt botës së re të fragmentimit gjeopolitik?
Pas pushtimit rus të Ukrainës, vendimi i parë i marrë nga Perëndimi ishte ngrirja e aseteve ruse. Roli dominues i dollarit, i pasuar nga ai i euros, e lehtësoi këtë lëvizje. Por çdo gjë e ka një kosto. Sanksionet kanë përshpejtuar përpjekjet e vendeve të tjera për të krijuar sisteme pagesash alternative dhe për të arritur marrëveshje tregtare me njëri-tjetrin, duke sjellë anashkalimin e qëllimshëm të infrastrukturës financiare perëndimore.
Sanksionet financiare, kanë një fuqi të krahasueshme me atë të një bombe bërthamore: nuk ka skenarë hipotetikë që do të lejonin përdorimin e tyre pa u ndëshkuar, dhe më pas të korrin frytet e fitores. Aspekti ironik është se sanksionet nuk janë dëshmuar jo shumë efektive: këtë vit rritja ekonomike e Rusisë e ka tejkaluar atë të shumë ekonomive të përparuara në Perëndim.
Për më tepër, sanksionet kanë dështuar në synimin e tyre për ta penguar Putinin të niste luftën e tij. Një Perëndim i rraskapitur, politikisht dhe financiarisht, e gjen sot veten në prag të një vendimi të detyruar mbi çështjen e Ukrainës, që për shumë do të duket si një tërheqje e turpshme.
Një argument në favor të mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën, bazohet në faktin se një aneksim i Rusisë, do të ishte një katastrofë për sigurinë evropiane. Megjithatë, nxitjet, indinjata morale dhe qasja ndaj politikës së jashtme të frymëzuara nga koncepti “të bëjmë gjithçka që është e mundur”: duken tani të paqëndrueshme. Më keq akoma, ato janë kundër-produktive.
Burimi: “Corriere della Sera”. Përshtati: Gazeta “Si”.
*Wolfgang Münchau është gazetar dhe opionist gjerman. Ai ka qenë redaktor dhe kolumnist i “Financial Times” për çështjet ekonomike të Europës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



