Ne rrjet

Rruga pa kthim e Turqisë larg Perëndimit

Nga Konstantinos Filis – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, bëri zgjedhjen e tij në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit. Në fillim, u duk sikur ai ishte në mëdyshje, dhe po ruante një farë ekuilibri relativ (duhet theksuar se ai nuk e kishte dënuar me forcë sulmin e gjerë terrorist të Hamasit).

Por me kalimin e kohës pikëpamjet e tij u bënë të qarta dhe më agresive ndaj Izraelit, Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara. Ndërsa vazhduan operacionet e ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës, brenda Turqisë nisi të ketë një reagim të fuqishëm. Të gjitha partitë politike e kundërshtuan hapur Izraelin.

Duhet të kujtojmë se Turqia ishte një nga vendet e para që reagoi ndaj sulmit ndaj Spitalit Arab Al-Ahli në Gaza, duke nxituar t’i bënte jehonë pretendimit të Hamasit se ishte Izraeli përgjegjës për atë sulmin makabër.

Madje parlamenti turk publikoi ​​një deklaratë që dënonte njëzëri Izraelin, dhe i bënte thirrje pjesës tjetër të vendeve myslimane që të ndiqnin shembullin e Ankarasë. Vetëm pak ditë më vonë, partneri i ekstremit djathtë në koalicionin qeverisës të Erdoganit, dhe kreu i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) Devlet Bahçeli bëri thirrje për një ndërhyrje ushtarake turke në Gaza për të mbrojtur palestinezët.

Gjithashtu, ai vuri në dukje se siguria e Turqisë kalon përmes Jeruzalemit, duke e përforcuar kësisoj perceptimin e rolit të vendit të saj si një fuqi e madhe ndër-rajonale, e cila aspiron të shërbejë si një mbrojtëse e gjithë myslimanëve kudo që ndodhen.

Në të njëjtën kohë, në daljet e tij publike Erdogan e vuri theksin tek katastrofa humanitare që po ndodh në Gaza, duke akuzuar Perëndimin për hipokrizi. Kjo deri të mërkurën e kaluar, kur gjatë një fjalimi mbajtur në një tubim të madh popullor, e përshkroi hapur Hamasin si një lëvizje çlirimtare që po mbron territoret palestineze.

Me këtë qëndrim ai po e dobëson argumentin që e artikulon shpeshherë vetë për “terroristët kurdë”, dhe rrezikon të humbasë pozitën e tij të privilegjuar në Perëndim, megjithëse askush nuk pret shumë prej tij. Natyrisht, ne i dimë lidhjet me rrënjë shumë të thella midis AKP-së së Erdogan dhe Vëllazërisë Myslimane.

Megjithatë Turqia dukej, të paktën zyrtarisht, se po hiqte dorë nga marrëdhëniet e saj me Hamasin, duke synuar të rivendoste një raport besimi të ndërsjelltë me Izraelin. Kjo derisa u detyrua të zgjidhte anë në konfliktin e javëve të fundit. Dhe e bëri këtë në mënyrën më të zëshme të mundshme, si për arsye taktike ashtu edhe strategjike.

Në nivel taktik, vendosja në shënjestër e Izraelit dhe e SHBA-së, e kënaq audiencën e brendshme dhe i jep mundësi Erdoganit të lëvizë – nëse dëshiron – në një mënyrë më të rehatshme drejt miratimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, pa u fajësuar për dështimin e sigurimit në këmbim nga SHBA-ja të avionëve luftarakë F-16.

Po ashtu, forcohet imazhi i tij në botën myslimane, sepse ai paraqitet si më i guximshëm se shumë udhëheqës arabë, por edhe sepse Turqia është një vend anëtar i NATO-s. Duke vepruar si një lider pothuajse fetar, ai moralizon dhe duket se mbron – madje edhe në kurriz të interesave turke – mbrojtjen e më të dobëtëve dhe të shtypurve.

Nga ana tjetër, kjo qasje është në dobi të kauzës së tij për krijimin e një bote më të drejtë, me Ankaranë që duhet të luajë një rol udhëheqës. Por aspekti më shqetësues – edhe për Greqinë – është se Erdogan ka zgjedhur një rrugë pa kthim.

Ai po investon mbi pozicionin e Turqisë në lidhje të ngushtë me islamin politik, dhe e bën këtë jo gjithmonë në një mënyrë konstruktive. Pra në një rol si urë lidhëse me Perëndimin, por në kontrast me këtë të fundit. Ai nuk kërkon konvergjenca diplomatike, përkundrazi më shumë vë baste tek divergjencat, për t’u bërë më i pëlqyer nga audienca myslimane (kryesisht nga shoqëritë myslimane).

Megjithatë, duke treguar në praktikë distancimin e Turqisë nga Perëndimi, dhe veçanërisht nga SHBA-ja, ai “po e shet” këtë pozicion të ri për të fituar besimin e liderëve që janë po aq (në mos më shumë) dyshues ndaj Perëndimit.

Kështu presidenti rus Vladimir Putin, e ka lavdëruar shpesh Erdoganin për politikën e tij të jashtme të pavarur, larg diktateve të amerikanëve. Ankaraja po anon qartazi drejt Lindjes. Ajo nuk ndjen asnjë detyrim për të ndihmuar sadopak partnerët e saj perëndimorë në realizimin e planeve të tyre strategjike.

Përkundrazi, me qëndrimin aktual ajo mund t’i sabotojë ata, duke mos marrë fare parasysh rreziqet e mëdha. Aktualisht, Turqia po e diferencon strukturalisht perceptimin e saj mbi politikën botërore. Ky diferencim nuk është deri në masën që Ankaraja të mos e ndjejë fare nevojën për të pasur një bashkëpunim relativ me Perëndimin.

Por ai bazohet në vlerësimin se në një mjedis ndërkombëtar që nuk diktohet më nga lidershipi amerikan, rreshtimi me Perëndimin nuk është në interesin e tij më të mirë. Përveç kësaj, perceptimi aktual strategjik i Turqisë, presupozon shkëputjen e saj nga Perëndimi, në mënyrë që ajo të mund t’i afrohet përmbushjes së qëllimit saj të për një autonomi diplomatike, e cila do ta lejojë të evoluojë më vonë në një aktore që do ta përcaktojë vetë fatin e saj në skenën ndërkombëtare.

Sigurisht, të gjitha ato që u thanë më sipër nuk do të lënë pa prekur marrëdhëniet greko-turke. Presidenti turk Erdogan nuk kërkon më vetëm një rol lidhës me Islamin. Ai po vendos një bast të madh tek përplasja me Izraelin dhe Perëndimin, për ta bërë veten më të pëlqyeshëm për audiencën myslimane.

Burimi: Kathimerini/Përshtati Gazeta Si

Shënim:Konstantinos Filis është drejtor i Institutit të Çështjeve Globale (ACG), dhe profesor i asociuar në Kolegjin Amerikan të Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë