Analize

Qeverisja globale ka dështuar dhe tregtia nuk po sjell paqen e premtuar

Nga Jakub Grygiel – Krizat që po ndodhin njëkohësisht, po e kërcënojnë seriozisht stabilitetin global dhe po e shpërndajnë fuqinë dhe vëmendjen e SHBA-së. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, agresioni i Hamasit dhe Iranit kundër Izraelit dhe kërcënimet e Kinës në rajonin e Paqësorit, janë që të gjitha produkte të ambicieve të mëdha të regjimeve perandorake dashakeqe.

Perëndimi ka ushqyer prej kohësh iluzione, të cilat kanë lejuar shtimin e këtyre kërcënimeve dhe lënien e saj të papërgatitur. Në veçanti janë 3 iluzionet, të cilat kanë hedhur rrënjë të thella në mendësinë e amerikanëve dhe të evropianëve.

E para është se udhëheqësit janë përgjegjës për luftërat që ndodhin, dhe se këto vende janë rivalët tanë vetëm për shkak të liderëve të tyre të këqij. Sekretari i Shtetit Antony Blinken u shpreh kështu për pushtimin e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në shtator 2022: “Këtë luftë zgjodhi ta nisë një njeri i vetëm. Dhe po ai mund t’i japë fund asaj!”.

Në fakt lufta nuk është vetëm e Vladimir Putinit. Ajo është lufta e Rusisë. Në një sondazh të kryer në qershor të vitit të kaluar, u pa se 75 për qind e rusëve mbështetnin veprimet e forcave ushtarake ruse në Ukrainë. Madje një nga të anketuarit tha se “lufta është lokomotiva e historisë”, dhe se kishte ardhur koha që Rusia të pretendonte pavarësinë e saj.

Kisha Ortodokse Ruse është një nxitëse e luftës, dhe ajo ka kultivuar një kulturë të fortë të nacionalizmit rus dhe të drejtës perandorake, e cila shtrihet përtej Kremlinit. Rezultati është se Rusia mund të pësojë shumë viktima – sipas disa vlerësimeve kohët e fundit rreth 1000 ushtarë në ditë – pa reagime të forta politike dhe publike.

Armiqësia e Rusisë, Iranit, Kinës dhe madje edhe Hamasit, mund të ketë rrënjë të thella kulturore dhe një mbështetje popullore që i lejon këta aktorë të përfshihen në konflikte të gjata dhe shkatërruese. Largimi nga pushteti i një lideri apo rrëzimi i një regjimi diktatorial, nuk e kthen domosdoshmërisht një armik në një aktor të përgjegjshëm.

Iluzioni i dytë është se organizatat ndërkombëtare dhe qeverisja globale, mund t’i tejkalonin pengesat e politikave konfliktuale kombëtare dhe rajonale. Për shkak se këto institucione janë burimet e rendit ndërkombëtar për shumë politikëbërës perëndimorë, objektivi parësor i diplomacisë së tyre është të sjellin më shumë shtete, demokraci ose jo, nën “ombrellën” e tyre paqëtuese.

Presidenti amerikan Franklin D.Roosevelt, shpresonte dikur se Bashkimi Sovjetik do të sillej më mirë pasi të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara, dhe ishte i gatshëm të shtynte negociatat e vështira me Moskën, në mënyrë që kjo e fundit të ishte pjesë e samitit themeltar të OKB-së. Ndërkohë, udhëheqësit perëndimorë shpresonin se Kina do të bëhej një palë e përgjegjshme e  rendit global, duke u bërë pjesë e institucioneve si Organizata Botërore e Tregtisë, OBT.

Por ashtu si Rusia, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB, Kina nuk është bërë një aktore gjeopolitike e mirë, edhe pas integrimit të saj prej më shumë se 2 dekadash në OBT. Fuqia transformuese e institucioneve ndërkombëtare është ekzagjeruar shumë, dhe strategjia kryesore e bazuar tek ajo, e ka lënë Perëndimin të papërgatitur për konkurrencën përmes mjeteve të ashpra, përfshirë luftën që kemi tashmë përpara.

Iluzioni i tretë është se një tregti më e gjerë dhe një pasuri më e madhe prodhojnë paqe. Për dekada, politika e jashtme gjermane ka ndjekur parimin e “ndryshimit përmes tregtisë”. Berlini mendonte se tregtia me Rusinë, Kinën dhe aktorë të tjerë të këqij, do të zbuste armiqësinë e tyre dhe do t’i kthente këto shtete në partnerë të besueshëm.

Edhe SHBA-ja ka menduar për një kohë të gjatë se tregtia me Kinën do të ndryshonte gradualisht stimujt e Pekinit, duke krijuar një shtresë të mesme paqedashëse dhe lidhje më të thella diplomatike. Basti i madh i Perëndimit, sipas të cilit zgjerimi i tregtisë do të kapërcente dallimet ideologjike dhe rivalitetet politike, doli të ishte i gabuar.

Shtetet angazhohen në tregti për t’u bërë të pasur dhe konkurrues, por jo paqësorë. Shpeshherë ata duan të jenë të pasur, në mënyrë që të kenë mundësinë të sulmojnë armiqtë e tyre dhe të dominojnë mbi të tjerët. Kështu ka bërë Rusia me Evropën që nga koha e Pjetrit të Madh.

Edhe Kina sot po synon të zgjerojë volumin tregtar me SHBA-në që të fitojë një avantazh ndaj partnerit të saj tregtar. Po ashtu, tregtia nxit dëshirën për pushtet. Shumë shtete që bënë tregti dhe që për pasojë u rritën ekonomikisht, krijuan aftësi të mëdha të projektimit të fuqisë së tyre, më shpesh nëpërmjet marinës të tyre detare.

Venecia në shekullin XI-të, Britania në shekullin e XVII-të, Gjermania dhe SHBA-ja në fundin e shekullit XX-të – secila prej tyre e mbështeti tregtinë e saj tek një marinë të fuqishme, gjë që çoi në përplasje të mëdha më të tjerët.

Fuqia ushtarake, dhe jo ndërvarësia, u jep shteteve aftësinë për të vepruar në interesin e tyre më të mirë, pa vuajtur nga kufizimet e vendosura nga fuqitë e tjera. Rivalët tanë janë armatosur, teksa Perëndimi, dhe veçanërisht Evropa, shpresonin se tregtia do t’i bënte të padobishme aftësitë ushtarake.

Armiqësitë e mëdha nuk mund të kapërcehen përmes ndryshimeve të lidershipit, organizatave ndërkombëtare apo tregtisë globale. Ato mund të mbahen nën kontroll, dhe kur është e nevojshme të mposhten, vetëm përmes fuqisë ushtarake.

Burimi: Wall Street Journal/Përshtati Gazeta Si

Jacub Grygiel, profesor i politikës në Universitetin Katolik të Amerikës, njëherazi bashkëpunëtor në Institutin Huver.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë