Biznes

Aksionet e kompanisë LVMH bien me 7% brenda pak orëve: Epoka e luksit ka përfunduar!

Aksionet e gjigandit LVMH, mëmë e firmave luksoze, ranë me 7% të mërkurën pasi konglomerati raportoi rënie të shitjeve duke shënuar kështu rënien e vrullit post-pandemik.

Kompania franceze e drejtuar nga miliarderi Bernard Arnault tha nëj ditë më parë se këtë tremujor rritja ishte vetëm 9% nga 17% i tremujorit të shkuar.

LVMH zotëron 75 firma fashion, nga Louis Vuitton, Dior dhe Tiffany. Rënia e aksioneve të saj në tregtimin e mëngjesit të mërkurën i uli ato pothuajse 25% nga niveli rekord i prillit. Rënia goditi gjithashtu grupet rivale të luksit, me Kering dhe Richemont që ranë respektivisht me më shumë se 2 dhe 4 %.

Shitjet e LVMH në Azi, përveç se në Japoni u rritën me 11% nga 34% në tremujorin e shkuar. Rritja në SHBA ishte një shifrore. Njësoj edhe në Europë.

Shefi i financave të LVMH, Jean-Jacques Guiony tha se ‘nuk ka pasur ndikim të klientelës kineze’, por tha se janë shtuar udhëtimet dhe njerëzit po blenë në destinacione të tjera.

Referuar Europës, ai tha “Kemi vënë re një rënie të lehtë dhe koha do të tregojë thellësinë dhe gjatësinë e këtij cikli”.

“Në një mjedis të pasigurt ekonomik dhe gjeopolitik, grupi ka besim në rritjen e tij të vazhdueshme. .LVMH po mbështet në dinamizmin e markave të saj dhe talentin e ekipeve të saj për të forcuar më tej udhëheqjen e saj në tregun global të luksit në vitin 2023, “tha kompania.

Analistët në Citigroup thanë se “komenti i kufizuar i perspektivës” i LVMH do të ishte “i padobishëm për një sektor që mbetet jashtë favorit dhe që kishte performancë të dobët në gjashtë muajt e fundit”.

Shifra kryesore ishte nën vlerësimin e konsensusit të Visible Alpha për 11.5 për qind rritje të shitjeve në tremujorin për LVMH.

Victoria Scholar, drejtuese e investimeve në Interactive Investor, tha se fitimet sugjerojnë se “periudha e suksesshme për luksin po fillon të zbehet”.

LVMH është grupi më i madh i industrisë së luksit deri më tani dhe konsiderohet si një grup me rëndësi duke pasur parasysh madhësinë dhe ndikimin e saj. Industria përjetoi një bum në tre vitet që nga fillimi i bllokimeve pandemike të vitit 2020.

Megjithatë shenjat e një kthimi në një ritëm më normal të rritjes janë shfaqur muajt e fundit me kompanitë luksoze që tashmë kanë raportuar një ritëm të ngadalësuar të rritjes në SHBA, tregu më i madh i industrisë, në tremujorin e fundit.

Kushtet më të shtrënguara ekonomike në Kinë, e cila ka qenë motori për shitjet rekord të industrisë së luksit nga fillimi i vitit 2020 e tutje, kanë vendosur gjithashtu skenën që sektori të përjetojë një rritje më të moderuar.

“Ne presim një normalizim të rritjes me bazë të gjerë në tremujorin e tretë, me normalizimin e kërkesës nga vendasit evropianë dhe më pak mbështetje nga flukset turistike,” shkruajnë analistët në HSBC.

“Ndryshe nga tremujorët e kaluar. . . ku plogështia në SHBA u kompensua më shumë nga një rikthim në Kinë, këtë herë nuk shohim ndonjë faktor kompensues; por më tepër, një normalizim me bazë të gjerë të rritjes në të gjitha gjeografitë,” shtuan ata. /FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë