Muzike

100-vjetori i sopranos greke / Muzikali ‘Callas e Onassis’, dy mbrëmje në Tiranë

Bazuar në historinë e sopranos ikonike të shekullit të XX, Maria Callas, dhe biliarderit ambicioz Aristotel Onassis, fati i dy personazheve të mëdhenj do të rrëfehet në muzikalin “Callas e Onassis”, të kompozitorit Christos Papageorgiou.

Muzikali në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të jetë në mbrëmjet e datave 8 dhe 9 tetor për publikun.

Në nderim të 100-vjetorit të lindjes së sopranos Maria Callas, ky muzikal do të vijë në bashkëpunim me Operën e Varnës, me Orkestrën Simfonike dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën dirigjimin e maestros Stratsimir Pavlov dhe Dritan Lumshit, regjinë e Petko Bonev dhe koreografinë e Anna Pampulova.

“Paralelizimi i ngritjes dhe rënies së jetës së tyre sociale, sukseseve personale dhe sakrificave të pashlyeshme, humbjeve tragjike dhe plagëve të pashërueshme deri në metamorfozën përfundimtare. Takimi fatal i 2 yjeve të ndritshëm do të vijë në një ribashkim muzikor pasionant, po aq të paharrueshëm sa edhe vetë protagonistët, mu në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”, shprehet TKOB.

Muzikali pritet këtë tetor të jetë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit që do të bëjë bashkë artistët shqiptarë dhe të huaj, por për bashkëpunimin nga institucioni u bë me dije në janar të këtij viti.

Drejtoresha e Përgjithshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, nëpërmjet një postimi, e cilësoi si “një surprizë të bukur për miqtë e artit”. “Shënjuam fillimin e një rruge të gjatë ndërveprimi me Teatrin e Operës së Varnës, duke nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për muzikalin “Callas and Onassis”, me drejtoreshën e Teatrit të Varnes, Daniela Dimova””, u shpreh ajo.

Sopranoja Maria Callas

Maria Callas është sopranoja greko-amerikane më me influencë e shekullit të 20-të. Shumë kritikë vlerësuan teknikën e saj bel canto, zërin e gjerë dhe interpretimet dramatike.

Callas mori edukimin e parw muzikor në Athinë. Më pas u regjistrua në Konservatorin e Athinës, por pa sukses.

Në audicione, me zërin ende të pastërvitur dështon duke mos arritur të lërë përshtypje të mirë te drejtori i konservatorit, i cili refuzon ta regjistrojë.

Pas kësaj merr mësime private këndimi dhe kështu nis rruga e gjatë drejt këndimit lirik. Në kohën e Callas-it, bashkëkohësit dëshironin zëra perfekt.

Shumë soprano ishin të përqendruar te bukuria e zërit më shumë se sa te interpretimi. Por Maria solli ndryshimin, diçka të pazakontë. Ajo nuk interesohej aq shumë për bukurinë vokale se sa për interpretimin dramatik. Megjithatë edhe zëri i saj ishte i mahnitshëm. E filloi karrierën me Puçinin dhe “Toskën” pikërisht në Greqi, në vitin 1942, me sukses të jashtëzakonshëm, falë shpirtit të sakrificës (studionte 12 orë në ditë) dhe punës sfilitëse.

Maria Callas lindi më 2 dhjetor 1923. U nda nga jeta më 16 shtator 1977, Paris, Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë