Nga Gazeta Si - Një film shqiptar triumfoi në Festivalin e Venecias. Filmi i regjisorit shqiptar Erenik Beqiri “Një udhëtim i shkurtër” (A short trip) arriti të triumfojë mes 12 produksioneve në kategorinë ‘Orizzonti’ (për filmat me metrazh të shkurtër) në edicionin e 80-të të Festivalit të Venecias, që u mbajt nga 30 gushti deri në 9 shtator në ishullin Lido.
Festivali i Filmit në Venecia është festivali i dytë më i rëndësishëm në botë pas Kanës, ndaj për regjisorin Erenik Beqiri ky çmim është një privilegj i madh.
“Është një privilegj shumë i madh të përzgjidhesh në një festival të tillë dhe të fitosh është akoma më emocionuese, pasi vlerëson punën disavjeçare të filmit, nga shkrimi i skenarit, deri në xhirim dhe në post-produksion. Është një vlerësim që vështirë ta artikuloj me fjalë, por shpresoj që mbi të gjitha, të krijojë një hapësirë për filmat e tjerë shqiptarë, ku të gjithë të kemi mundësinë t’i shfaqim ato në festivale të tilla”, shprehet regjisori Erenik Beqiri për Gazetën “Si”.
I gjendur mes emrave të mëdhenj të kinematografisë botërore teksa rrëmbeu çmimin emocionet për të ishin mjaft të mëdha.
“Ekzaltim, lumturi dhe shumë sinonime të ngjashme, por prapë them që nuk e shprehin tamam ndjesinë e atij momenti”, rrëfen regjisori Beqiri.
Regjisori i ri, por shumë premtues, në çdo prodhim të tij ka trajtuar fenomenet e Shqipërisë që nga emigrimi, siç bëri me filmin “The Van” që na përfaqësoi në Kanë dhe Oscars.
Drama që zhvillohet në 17 minuta, tek “Udhëtim i shkurtër” është një histori shqiptare. Në të, përmes gjuhës së kinemasë, shpalosen sakrificat e kompromiset që bëhen në vendin tonë për të marrë një shtetësi të huaj.
Regjisori Erenik Beqiri zgjodhi të trajtojë një çift të rinjsh që zgjedhin Francën për të jetuar dhe pasqyron marrëdhënien e tyre kur u duhet të bëjnë zgjedhje, njëri të qëndrojë dhe tjetri të largohet.
“Në film doja të trajtoja raportin e një çifti të rinjsh, të cilët duhet të përballen me situatën ku duhet të vendosin marrëdhënien e tyre pas, për të krijuar mundësinë e një të ardhmeje më të mirë. Isha i interesuar të shikoja sesi personazhet do të reagonin në një situatë ku njëri duhet të qëndrojë dhe tjetri të largohet, cilat mund të ishin dinamikat dhe sesi do ndikonte në dashurinë e tyre. E gjithë kjo e treguar nën shtresën e emigracionit që vazhdon të jetë prezente në jetën dhe mendjen tonë për vite me radhë”, shprehet regjisori, ndërsa shton se “interesi im i parë në këtë film ishte të analizoja marrëdhënien e çiftit”.
A Short Trip (2023) Trailer from Origine Films on Vimeo.
Regjisori zbulon se xhirimet janë realizuar në Francë.
“Filmi është xhiruar gjatë 5 ditëve në Marsejë të Francës. Mund të them që kanë qenë 5 ditë intensive në luftë me kohën, por i jam falënderues aktorëve dhe ekipit të filmit, pa të cilët filmi do ishte i pamundur”.
Aktorët protagonistë janë Luana Bajrami, Tristan Halilaj, Arben Bajraktari dhe Walid Afkir, duke u bashkuar në këtë mënyrë një kast talentesh nga Kosova, Shqipëria dhe Franca, dhe duke bërë që filmi të flasë në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe frëngjisht.
“Fillimisht doja të punoja me Luana Bajramin, kishim disa vite që flisnim për të punuar bashkë dhe më në fund ia arritëm. Me Tristanin ishte po e njëjta gjë, pasi njihemi prej disa vitesh. Ndërsa Arben Bajraktaraj ka qenë aktor në të tre filmat e mi. Pjesa tjetër e kastit janë aktorë lokalë nga Marseja, të cilët u zgjodhën nëpërmjet një audicioni. Kështu që në set të xhirimit, fliteshin tri gjuhë, shqip, anglisht dhe pastaj frëngjisht. Ndërthurja është krijuar në shërbim të ngjarjes që tregon filmi”, rrëfen më tej Erenik Beqiri për Gazetën “Si”.
Për regjisorin, filmi mund të konsiderohet tërësisht prodhim shqiptar.
“Filmi është shqiptar, ngaqë unë jam shqiptar, aktorët kryesorë janë shqiptarë dhe trajton një temë shqiptare, ku pothuajse i gjithë filmi flet shqip. Kur krijuesit e veprës janë të një kombësie dhe filmi konsiderohet i tillë dhe ka shumë raste të tilla në kinematografi. Me filmin e kaluar ‘The Van’ arritëm të merrnim një çmim në një festival. Çmimi ishte një shumë e vogël për të realizuar një film të shkurtër, si rrjedhojë pastaj u morën dhe fonde të tjera dhe të gjithë personat e përfshirë ishin suportues për të treguar një ngjarje shqiptare”.
Regjisori Erenik Beqiri rrëfen më tej për Gazetën “Si” se gjatë festivalit në Venecia filmi mori shumë komente pozitive, si nga shikues, ashtu edhe nga juria.
“Ata shprehën admirimin e tyre për filmin, lojën e aktorëve dhe sidomos treguan goxha interes për ngjarjen shqiptare, pasi për ta ishte diçka deri diku e panjohur. Besoj që ka shumë kuriozitet për Shqipërinë dhe ngjarjet shqiptare, kështu që është detyra jonë t’i tregojmë ato më së miri dhe të ftojmë të tjerët të njihen me to”, përfundon regjisori Erenik Beqiri për Gazetën “Si”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.