Filma

Restaurimet e veprave filmike / Arkivi i Filmit: Numri do të shkojë në 16 deri në fund të vitit 2023

Arkivi i Filmit nisi punën me restaurimet e veprave filmike në vitin 2012, në bashkëpunim dhe me studio të huaja. Herë pas here edhe nga regjisorë dhe aktorë të njohur është pohuar si një domosdoshmëri restaurimi i filmave me probleme prodhime të Kinostudios para viteve ’90 në vendin tonë.

Por që nga viti 2012 që nisi puna për restaurimin përmes bashkëpunimeve me të huajt dhe donatorë të tjerë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shprehet se deri në fund të këtij viti numri i titujve të prodhimeve kinematografike të restauruar do të arrijë 16.

“Disa të dhëna për të gjithë ata që na kanë ndjekur me projektet e restaurimit të fondit filmik. Gjatë 11 viteve të fundit që po punojmë me restaurimet e veprave filmike, punë të cilën AQSHF e ka nisur në vitin 2012, numri i filmave shqiptarë të restauruar do të shkojë në 16 tituj deri në fund të vitit 2023”, thuhet nga Arkivi i Filmit, që ka ndarë në faqen e tij dhe titujt e filmave shqiptarë që janë restauruar deri tani.

AQSHF gjithashtu shprehet ndër të tjera se do të ketë dhe një minilaborator, ku do të nisë puna në vend për digjitalizimin dhe restaurimin e filmave shqiptarë. Sipas AQSHF, kjo studio do të jetë me pajisje profesionale për punën, që do të bëhet me filmat që janë pjesë e fondit të tij.

“Lajmi i mirë është që falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe financimit nga Bashkimit Europian, po bëjmë të mundur ngritjen e një mini-laboratori në AQSHF, ku do të nisë puna në vend për digjitalizimin dhe restaurimin e trashëgimisë filmike. Një punë që deri tani e kemi bërë duke bashkëpunuar me studio të huaja, tani do të kemi mundësinë të ngremë një studio të specializuar në AQSHF me pajisje profesionale për restaurimin digjital të figurës dhe zërit”, thuhet nga arkivi.

Titujt e filmave që janë restauruar

Filmat që janë restauruar deri tani janë prodhime kinematografike të ndryshme para viteve ’90 në vendin tonë. Së fundmi u shfaq dhe premiera e filmit të restauruar “Mësonjëtorja”. Filmi është një prodhim i vitit 1979, me regji të Muharrem Fejzos, skenar nga Natasha Lako. Ndër filmat që janë restauruar më parë dhe janë publikuar nga AQSHF janë: “Nëntori i dytë” me regji nga Viktor Gjika 1982; “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987; “Tomka dhe shokët e tij” me regji nga Xhanfise Keko prodhim i vitit 1977; dokumentari “Përjetësi” i vitit 1974 me regji nga Anagnosti; “Vitet e pritjes” me regji nga Esat Musliu prodhim i vitit 1989, “Vdekja e kalit” me regji nga Saimir Kumbaro prodhim i vitit 1992; filmi “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo prodhim i vitit 1958.

Po sipas AQSHF, 3 rimasterizime janë prodhuar nga Ska Ndal Film Production Company dhe familja Keko: “Beni ecën vetë” 1975, “Kur po xhirohej një film” 1981, “Mimoza llastica” 1973 me regji nga Xhanfise Keko.

Vetëm gjatë viteve 2022-2023 janë restauruar 6 filma: “Koncert në vitin 1936” me regji nga Saimir Kumbaro prodhim i vitit 1978, “Gjeneral gramafoni” me regji nga Viktor Gjika prodhim i vitit 1978, “Mësonjëtorja” me regji nga Muharrem Fejzo i vitit 1979; “Les Fauves” animacion i shkurtër nga Stefan Taçi, 2003; “Lulëkuqet mbi mure” nga Dhimitër Anagnosti i vitit 1976 dhe “Gunat mbi tela” nga Muharrem Fejzo i vitit 1977 premierat e të cilëve do të mbahen brenda vitit 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë