Biznesmeni amerikan, Paul Kaufmann, i ka dhuruar ato që besohet se janë pjesë të kafkës së Ludwig van Beethovenit në Universitetin e Vjenës, për qëllime studimi.
Kaufmann ka thënë se ndihet “shumë i privilegjuar që mund të kthejë pjesë të kafkës së Beethovenit, aty ku e kanë vendin”.
Një mjek austriak ka thënë se këto pjesë, të cilat veçse janë studiuar në Shtetet e Bashkuara, kanë “vlerë të madhe”.
Kompozitori austriak nuk pati shëndet të mirë gjithë jetën dhe ka vdekur në Vjenë më 1827.
Biznesmeni amerikan ka thënë se i ka gjetur pjesët e kafkës më 1990, në një kuti të familjes, që është ruajtur nga një bankë franceze.
Besohet se stër-stër-xhaxhai i tij, Franz Romeo Seligmann, mjek nga Vjena, i ka pranuar pjesët e kafkës më 1863, pasi eshtrat e Beethovenit janë dërguar për studim.
Në total janë 10 pjesë, përfshirë dy copa të mëdha – një nga pjesa e prapme e kokës dhe tjetra nga ana e djathtë e kokës.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Vjenë, Markus Mueller, ka thënë se është shumë e rëndësishme që dorëzimi dhe trajtimi i këtyre pjesëve të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Ka të bëjë me gjetjen e balancit në mes të interesit të publikut dhe respektit për një person të vdekur”, ka thënë ai.
Beethoven lindi në Bon, në dhjetor të vitit 1770 dhe vdiq më 27 mars 1827.
Ai besohet të ketë kërkuar që trupi i tij të studiohet pas vdekjes, për shkak të sëmundjeve që ka pasur.
Më herët gjatë këtij viti, disa hulumtues të Universitetit të Kembrixhit kanë thënë se analiza e flokëve të kompozitorit ka treguar se Beethoven ka pasur predispozita gjenetike për sëmundje të mëlçisë dhe ka vuajtur nga Hepatiti B, disa muaj para vdekjes.
Ai fillimisht ka vuajtur nga humbja e dëgjimit rreth vitit 1795, komplikim shëndetësor që vetëm se i është përkeqësuar me kalimin e viteve dhe ka rezultuar me shurdhim të plotë më 1818.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.