Nga Gazeta Si - Kamerat italiane kanë përshkruar herët vendin tonë, që në zhvillimet e saj të hershme me xhirime artistike dhe dokumentare. Një ndër ta është edhe “Il Cavaliero di Kruja”, një perlë kinematografike nga e kaluara, filmi artistik i parë që është xhiruar ndonjëherë në Shqipëri, i cili erdhi premierë edhe për publikun shqiptar mbrëmjen e së hënës në Qendrën e Artit “Agimi”.
I xhiruar në Shqipërinë e vitit 1940, filmi duket se është një testament pothuajse i pashfaqur i epokës së ngarkuar me propagandë të fashizmit.
Sipas Agjencisë së Industrisë Kreative (AIK) është një film propagandistik që fashizmi ia kushtoi Shqipërisë.
“Me datë 3 korrik në qendrën e artit “Agimi”, do të shfaqet për herë të parë për publikun shqiptar filmi i parë artistik, i cili është xhiruar në territorin shqiptar”.
“Ky film ofron një dritare unike në mënyrën si funksiononte kinemaja propagandistike”, thotë për Gazetën “Si”, regjisori Jonid Jorgji, njëkohësisht drejtor i Agjencisë së Industrisë Kreative.
Drejtuar nga regjisori i njohur Carlo Campogalliani, dhe me një kast aktorësh si Luigi Carini, Guido Celano, Antonio Centa, Vasco Creti, Dino Di Luca, Doris Duranti, Carlo Duse, Leda Gloria, “Il Cavaliero di Kruja” thur një përrallë dashurie, sakrifice dhe intriga politike në sfondin e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë.
Filmi “Il cavaliero di Kruja” hedh dritë mbi një epokë të shkuar. Në qendër është një gazetar i ri italian, Stefano Andriani, i cili gjendet në Shqipëri, ku takon një vajzë shqiptare, Eljanën. Me kalimin e kohës, ata krijojnë një lidhje të thellë dhe dashurie reciproke. Megjithatë, marrëdhënia e tyre ngatërrohet me peizazhin politik të vendit.
Filmi duket se është edhe një “përrallë” e lidhjeve dhe sakrificave. Ndërsa gazetari shpëton një udhëheqës fisi nga regjimi i mbretit Zog, ai e transporton në fshatin e tij të plagosur nga të shtënat e miqve të mbretit, duke rrezikuar sigurinë e tij. Në shenjë mirënjohjeje, kreu i fisit propozon një “pakt gjaku”, një zakon tradicional shqiptar që krijon një lidhje familjare vëllazërore. Kur gazetari mëson se kreu i fisit është vëllai i vajzës që dashuron, gazetari ndihet i detyruar të sakrifikojë ëndrrën e tij për martesë për shkak të lidhjes së tyre të gjakut të sapokrijuar.
Filmi shoqërohet edhe me intriga dhe manipulime.
“Gjendja emocionale e gazetarit bëhet mjet manipulimi në duart e prefektit të Policisë së Tiranës. Duke ndier një mundësi të artë, prefekti synon të kthejë liderin e fisit kundër gazetarit italian, gjë që mund të sjellë pasoja të rënda. Për fat të mirë, ardhja e trupave italiane parandalon përshkallëzimin e çdo keqkuptimi dhe mundëson qartësi dhe zgjidhje”, shton më tej regjisori Jonid Jorgji.
Jorgji thotë se filmi shërben si një burim i vlefshëm për të eksploruar funksionimin e kinemasë propagandistike, duke hedhur dritë mbi mekanizmat e përdorur gjatë asaj periudhe të trazuar.
“Kritikët e kohës vlerësuan ‘Il Cavaliero di Kruja’ për autenticitetin e tij, duke vlerësuar portretizimin në film të ngjyrave të vërteta lokale, folkloreve popullore dhe mozaikun e gjallë të riteve, valleve dhe këngëve që formojnë sfondin e historisë”, shprehet ndër të tjera Jorgji.
Filmi u xhirua kryesisht në Krujë e Shkodër, si dhe në Itali. Në Shqipëri morën 150 kalorës malësorë të veshur me kostumet më të bukura dhe më se 200 persona të tjerë të veshur me kostumet e Krujës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.