Nga Gazeta Si – Ansambli Popullor në bashkëpunim me Ansamblin “Shota” të Kosovës do të vijnë mbrëmjen e së enjtes në një koncert vëllazëror, “Ne jemi një”, ku do të shpaloset bukur tradita jonë shqiptare e do të festohet kultura popullore.
Si një aset i çmuar, trashëgimia jonë e përbashkët do të kremtohet me valle e këngë popullore, nën idenë e violinistit Alban Tahiri, me udhëheqjen artistike nga Ansambli “Shota”, të Ylber Asllanaj, dirigjimin e Vladimir Hasimit, si dhe përkujdesin e koreografëve Brikena Aupaj dhe Alfrim Alshiqi.
Ideatori i koncertit, violinisti Alban Tahiri thotë për Gazetën “Si” se koncertet e mëparshme ka qenë secili ansambël (i joni dhe i Kosovës) më vete dhe dukej sikur konkurronim njëri-tjetrin.
“Ka qenë një ide e imja që të dy ansamblet i joni dhe i Shotës të shkriheshin në një. Ne më përpara kemi bërë koncerte të përbashkëta, por secili në programin e vet. D.m.th ata një këngë dhe ne një këngë. Orkestra jonë në një krah dhe e tyre në krahun tjetër. Të them të drejtën mua kjo gjë nuk më pëlqente se dukej sikur konkurronim njëri-tjetrin brenda një koncerti”, shprehet Tahiri për Gazetën “Si”.
Tahiri shprehet më tej se koncerti “Ne jemi një” pas performancës në Teatrin e Operës dhe Baletit, do të rrugëtojë edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, i cili prej 5 netësh po shpalos folklorin mbarëkombëtar, trashëgiminë shpirtërore, etnomuzikore e etnografike nga shumë treva shqiptare.
“Ishte planifikuar që koncerti të luhej vetëm në Gjirokastër më datë 1 korrik, por ishte dëshira e drejtoreshës Abigeila Voshtina që ky koncert që titullohet ‘Ne Jemi Një’ të luhej dhe në Teatrin tonë që gumëzhin përditë e më tepër nga shfaqjet me nivel tashmë të lartë botëror, e më pas të shkonte në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, që është një ndër eventet më të rëndësishme të folklorit tonë”, vijon më tej Tahiri.
Ai shton më tej se artistët e këtij koncerti janë instrumentistë, këngëtarë e valltarë shumë të njohur të të dyja trupave.
“Duhet përmendur që një punë shumë të madhe ka bërë dhe koreografia jonë e valleve Brikena Jaupaj në ndërtimin e valleve dhe përshtatjen për të dyja trupat. Po ashtu një punë shumë të madhe ka bërë dhe udhëheqësi artistik i Ansamblit Shota, Ylber Asllanaj me orkestrimet e tij në pjesët e tyre që ne do t’i luajmë bashkërisht”.
Sipas tij e veçanta e këtij koncerti është se gjithçka që do këndohet apo kërcehet do jetë e përbashkët, d.m.th të dyja trupat janë të shkrira në një.
“Do këndojmë e kërcejmë së bashku këngë dhe valle nga të gjitha trojet e Shqiptarisë”, thotë ndër të tjera Tahiri.
Pjesë e programit do të jetë Vallja e Drenicës, vallja çame dhe pa diskutim vallja e bukur e Tiranës me gjithë ritet e dasmës, etj.
“Do jetë një tablo për t’u mos harruar. Do këndohen këngë nga më të bukurat për solistë dhe me kor të përbashkët. Jam i sigurt që do jetë një shfaqje që do të qëndrojë gjatë në memorien e njerëzve, por dhe të ne artisteve sepse për herë të parë ne po bashkojmë të dy Ansamblet tona në një të vetëm”, shprehet më tej violinisti.
Pas performancës mbrëmjen e sotme në Teatrin e Operës dhe Baletit, të dyja ansamblet me të njëjtin program do të ngjiten më 1 korrik edhe në skenën e hapur të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.
Në Festivalin Folklorik Kombëtar, në skenën më të madhe të folkut dhe trashëgimisë kulturore, janë të përfshira të 12-të qarqet e vendit, ndërkohë performancat e artistëve po shtrihen jo vetëm në kala, por edhe në zona të ndryshme të qytetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.