Trashëgimi

Mozaiku i Meandrit ende në bodrum, kryebashkiakja kërkon të zhvendoset në Muzeun Arkeologjik

Në “Durrësin e mozaikëve” ka dalë edhe njëherë tjetër në dritë, një mozaik tepër i rrallë, që mendohet se daton në shek. I të e.s.

Ky është mozaiku i Meandrit, dikur dyshemeja luksoze e një banese antike, që prej vitesh ishte zhytur në ujërat e zeza të pallatit, në nëntokën e të cilit u zbulua.

I cilësuar si një ndër monumentet më të bukura, Mozaiku i Meandrit, prej vitesh është lënë në bodrumin e një pallati.

Ndërkohë, kryebashkiakja e Durrësit kërkon nga Ministria e Kulturës që monumenti të zhvendoset në Muzeun Arkeologjik.

“I gjithë kati ku ndodhet mozaiku është riparuar, është kryer largimi i ujërave, është bërë pastrimi i plotë dhe dezinfektimi. Po kështu në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi kërkuar të realizohet zhvendosja e këtij mozaiku drejt 🏛️Muzeut Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që ai të vizitohet nga qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë qytetin tonë sepse ai është një aset tjetër më vlera të mëdha arkeologjike i Durrësit’, shkruan kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako në rrjetet sociale.

I shpallur monument kulture i kategorisë së parë, mozaiku është një ndër thesaret e harruara të Durrësit.

Mozaiku i Meandrit i ndërtuar me teknikën bardhezi, i përket shekullit të I të erës sonë.

Ai u zbulua në vitin 2005 kur u hapën themelet e pallatit 13-katësh në lagjen numër 11 të qytetit bregdetar.

Mirëpo, për vite me radhë mozaiku ka qëndruar në bodrumin e pallatit të pavijueshëm nga turistët dhe i mbuluar nga ujërat e zeza.

Pallati në fjalë, i dëmtuar nga tërmeti, i është nënshtruar së fundmi rikonstruksionit dhe mozaiku u pastrua nga mbeturinat.

Por ai ende mbetet në kushte të papërshtatshme për vizitorët.

Ndërkohë, kryebashkiakja Emirjana Sako kërkon nga Ministria e Kulturës që Mozaiku i Meandrit të zhvendoset në Muzeun Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që të vizitohet nga qytetarët dhe turistët.

Mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje. Ka formën e kryqit të thyer dhe pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë