Nga Gazeta Si - Gjirokastra që prej së shtunës është kthyer në festën e folklorit, etnologjisë, kostumeve, këngëve e valleve popullore me rikthimin e Festivalit Folklorik pas një mungese të gjatë prej 8 vitesh.
Muzika, vallet e veshjet autentike u pasqyruan që në natën e parë të çeljes së këtij eventi, ku performuan grupet artistike të Kukësit, Beratit dhe Maqedonisë së Veriu.
Ndërsa, natën e dytë, mbrëmjen e së dielës sollën më afër traditat e tyre qarku i Vlorës dhe Lezhës, si dhe grupi përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi.
Të veshur me kostumet e zonave përkatëse, ata kanë sjellë një copëz tradite në Gjirokastrën e gurtë që tanimë është mbushur nga turistë edhe nga turistët.
Artistët pjesëmarrës janë shprehur të emocionuar për festivalin që rikthehet pas një ndërprerje disavjeçare. Ata thanë se tradita duhet të ruhet e trashëgohet ndër breza.
Në natën e tretë në skenën e kalasë do të jetë artistët e qarkut të Tiranës dhe të Dibrës, si dhe grupi përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur se “ky edicion le të jetë faqja e parë e një dosjeje për kandidimin e këtij festivali në UNESCO si pasuri e gjithë njerëzimit”.
Në këtë edicion të tij, ku do të ketë 1200 pjesëmarrës, interpretues të folklorit shqiptar, organizatorët kanë menduar të ketë edhe personalitete të artit të cilët do të jenë me statusin e artistëve përshëndetës.
Këtë vit do të marrë pjesë edhe Renzo Arbore dhe Orkestra Italiane.
Të tjerë artistë përshëndetës në festival do të jenë vëllezërit Endri e Stefi Prifti, Marsela Çibukaj, grupi “Saz’Iso”, grupi “Le Swings”, etj. Festivali do të vijojë çdo natë në skenën e kalasë deri më 1 korrik.
Risia e këtij festivali është se për herë të parë është hequr konkurrimi midis grupeve dhe nuk do të ketë çmime.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare.
Krahas festivalit një vëmendje e veçantë në këtë edicion u është kushtuar edhe artizanëve, të cilët janë vendosur në hyrje të kalasë së Gjirokastrës ku kanë ekspozuar punimet e tyre.
Duket se këto ditë Gjirokastra do të gjallojë jo vetëm nga turistët, jo vetëm nga studiuesit e folklorit, por nga gjithkush që do të kalojë një ditë ndryshe në një eveniment dhe në një festë kaq të madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.