Trashëgimi

Festivali Folklorik Kombëtar 2023, për një javë Gjirokastra ‘kryeqytet’ i kulturës

Nga Gazeta Si - Duke nisur nga dita e djeshme (24 qershor) dhe për një javë rresht, Gjirokastra duket se do të kthehet në një “kryeqytet” të kulturës me rikthimin e Festivalit Folklorik pas 5 vitesh.

Në Kalanë e Gjirokastrës evenimenti më i madh i muzikës dhe valles shqiptare, një ekspozitë e bukur e trashëgimisë kulturore jomateriale, çeli siparin të shtunën, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Rama me familjen e tij dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Mori zjarr sot Festivali Folklorik Kombëtar, i rikthyer pas 8 vitesh në sofrën bujare të Gjirokastrës! Jemi këtu për të festuar shpirtin e bukur shqiptar. Deri më 1 korrik, në Kalanë e Argjirosë!”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale për festivalin që do të performojnë 1200 artistë.

Në Festivalin Folklorik Kombëtar, në skenën më të madhe të folkut dhe trashëgimisë kulturore, janë të përfshira të 12-të qarqet e vendit, ndërkohë performancat e artistëve do të shtrihen jo vetëm në kala, por edhe në zona të ndryshme të qytetit.

Përveç 12 qarqeve të vendit janë prezente edhe dy grupe nga Kosova, një grup nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që është Ansambli Shtetëror, një grup nga Mali i Zi, do të ketë shqiptarë të diasporës, nga Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, nga Greqia, nga Arbëreshët e Italisë.

Ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e gjithë krahinave të Shqipërisë në këto feste në Gjirokastër do të mund të ndiqen falas dhe hyrja është e lirë për të gjithë.

Regjisori i Festivalit Folklorik Kombëtar, Bledar Laço më herët do të shprehej për Gazetën “Si” se ky është eventi më i madh dhe më gjithëpërfshirës mbarëkombëtar.

Risia e këtij festivali është se për herë të parë është hequr konkurrimi midis grupeve.

“Që në start është menduar që festivali të jetë ashtu siç ka emrin festival, një skenë e madhe, një spektakël i madh, një show i vërtetë, duke shmangur të gjithë atë pjesë të konkurrimit, që dikur sillnin le të themi një handikap në thonjëza në shown e festivalit. Gjithkush nga qarqet e mendonte dhe e organizonte, e shikonte si një konkurrim për të marrë disa çmime, që në fund në finale, sipas logjikës tonë, ishin të paarsyeshme sepse, në trashëgimi dhe në folklor nuk mund të ketë asnjë komision, juri të cilët mund të gjykojnë mbi vlerat e folklorit”, do të shprehej regjisori Bledar Laço për Gazetën “Si”.

Të ftuar gjatë netëve të këtij Festivali do të jenë grupe të mirënjohura si Elif Sanchez nga Spanja, një nga këngëtarët më të njohur të Republikës së Maqedonisë së Veriut Vladko Stefanovski, Les Sëings Cabaret Musical nga Franca, për të kulmuar me natën finale me pjesëmarrjen e Orchestra Italiana e Renzo Arbores. Po ashtu, do të marrin pjesë këngëtarët Eneda Tarifa, Dren Abazi, Marsela Çibukaj, Eranda Libohova, Andi Kongo, Ylli Baka, Era Rusi, Endri dhe Stefi Band etj.

Historiku

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua për herë të parë në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare.

Ai zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambientet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare.

Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.

Ky festival ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe qarkun e Gjirokastrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë