Financa Personale

Edhe për 2022-shin, Shqipëria zë vendin e parë për popullsinë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social

Nga Gazeta ‘SI’  – Rreth 44% e popullsisë së Shqipërisë ishte në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, përqindja më e lartë në BE dhe në rajon, sipas raportit të Eurostat për vitin 2022. Raporti i Eurostat i referohet vitit 2022, por për Shqipërinë dhe disa vende të tjera ka listuar shifrat e vitit 2021.

Shqipëria vazhdon të jetë vendi ku varfëria apo përjashtimi social është i shtrirë në një masë të gjerë në popullsi, pothujase gjysma.

Në Shqipëri rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social në familjet pa fëmijë në varësi, vlerësohet të jetë më e ulët krahasuar me familjet me fëmijë në varësi, përkatësisht 13% dhe 26% e individëve.

Familje me fëmijë në varësi konsiderohen ato familje që kanë fëmijë të moshës nën 18 vjeç si dhe persona të moshës 18 deri 24 vjeç që jetojnë të paktën me një prind dhe janë ekonomikisht inaktiv.

Gjithsesi, edhe në vendet e BE-së ky tregues u rrit, lidhur me efektet negative që pati lufta në Ukrainë në rritjen e çmimeve. Vlerat më të larta të popullsisë në rrezik të varfërisë u raportuan në Rumani (34%), Bullgari (32%), Greqi dhe Spanjë (të dyja 26%). Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Çeki (12%), Slloveni (13%) dhe Poloni (16%).

Në vitin 2022, mbi 95.3 milionë njerëz në BE (22% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, që do të thotë se përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social: varfëri, privim i rëndë material dhe social, ose jetesa në një familje me të ardhura shumë të ulëta nga puna, njoftoi sot Eurostat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë