Nga Luljeta Nelallari - Mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar dy vitet e fundit iu nënshtrua një procesi restaurimi. Pak ditë më parë u bë dhe inaugurimi i mozaikut të restauruar që solli edhe disa polemika.
Ajo që ka ndezur debat ditët e fundit është mungesa e yllit komunist dhe gjithashtu heqja e librit të proletarit në dorën e një prej figurave.
Studiuesi Auron Tare në një reagim të tij shprehet se restaurimi konsolidoi gjendjen, por nuk ktheu pjesët që janë hequr dikur.
LEXO EDHE:
Inaugurohet mozaiku i restauruar i Muzeut Historik Kombëtar
“A duhet retushuar historia?”, shkruan ai. Historiani Tare shprehet se një veprim i tillë, mund të sjellë një histori të deformuar.
Anastas Konstandini, një nga autorët e Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar (që u inaugurua për herë të parë më 28 nëntor 1981) shprehet për Gazetën “Si” se debate të tilla ndonjëherë janë shterpë, pasi sipas tij në restaurim nuk mund të bësh absolutisht asnjë lloj korrigjimi.
“Këto debate ndonjëherë janë shterpë, sepse bëhen për hir të debateve. Njerëzit nuk gjejnë mënyra të tjera për t’u shprehur dhe si të thuash, bëjnë aventura duke bërë debate. Është një lloj shpërdorimi i demokracisë, për mendimin tim. Kam idenë që është një tentativë për ta bërë pis, më tutje pastaj ka forma të tjera për të treguar se si ajo ka qenë. Principet e restaurimit lidhen me gjendjen e veprës, domethënë ashtu siç e gjetën ata, në atë mënyrë e kanë restauruar”, shprehet Konstandini për Gazetën “Si”.
Por studiuesi Auron Tare shtron pyetjen, se a duhet që një vepër e financuar me fonde të Bashkimit Europian të përfundojë me një histori të retushuar?
“Heqja e yllit nga flamuri gjatë periudhës së Berishës së parë ishte pjesë e një debati midis specialistëve të trashëgimisë kulturore. Koha menjëherë pas rënies së komunizmit mund ta justifikonte disi këtë retushim historik në një prej veprave më madhore artistike të periudhës së realizmit socialist. Ndërkohë heqja fare e yllit të madh pas figurës së gruas dhe heqja e librit nga dora e punëtorit në mozaik ishte një ndërhyrje, që i hiqte një pjesë të mirë të kuptimit kësaj vepre të realizmit socialist (përsëri në atë kohë). A duhet që periudha post komuniste të veprojë me të njëjtin standard si praktikat e periudhës komuniste e cila retushonte historinë përpara saj? A duhet një vepër e financuar nga fonde europiane të përfaqësojë një histori të retushuar?”, shprehet Tare në Facebook.
Sipas bashkautorit të veprës, vetë heqja e atyre simboleve (nga qeveria e parë demokratike në Shqipëri) është një pjesë e historisë mbi mozaikun. Ajo që ai vlerëson më shumë në këtë restaurim është besnikëria ndaj origjinalit.
“Ka të bëjë me rezistencën e veprës nga një epokë në tjetrën. Besoj se çdo ditë do të afirmohet më shumë. Me ndërtimin e gjithë atyre kullave, mozaiku do të theksojë karakterin historik të mozaikut dhe do ta shndërrojë në një vepër të vyer, ashtu siç është p.sh Harku i Triumfit në Paris, ose siç ka vepra që i përkasin një kohe, që edhe mund ta kontestosh epokën e Napoleonit”, vijon më tej Konstandini për Gazetën “Si”, ndërsa shton se me restaurimin “është bërë një punë shumë mjeshtërore dhe me një teknologji të lartë. Janë vënë gurët e rënë pikërisht në vendet e tyre”.
Konstandini shpjegon për Gazetën “Si” mënyrën se si u hoqën simbolet komuniste në vepër nga qeveria e parë demokratike në vitin 1993.
“Me të ndryshuar sistemi pati një reagim ndaj të gjitha gjërave komuniste, sidomos në ato vitet ’90-’97 ka pasur shumë kontestime në lidhje me veprat e realizmit socialist, ndonjëherë edhe denigrime. Për sa i përket mozaikut, e cila ishte një vepër e madhe që qëndronte në mes të Tiranës, janë thirrur autorët nga qeveria e asaj kohe, qeveria e parë demokratike. Një koleg i joni u përgjigj, ai punonte si shefi i sektorit të mozaikut pranë Qendrës së Veprave të Artit në Tiranë. Atij iu kërkua që të bëhej një ndërhyrje, e mori përsipër ai. Kështu që ndërhyrja është bërë në vitin 1993 në yllin komunist, është bërë në yllin që është në flamur si dhe në librin e kuq që nënkuptonte librin e partisë. Kolegu i zëvendësoi këto, në vend të librit është vendosur një xhaketë që mbante në krahë punëtori, është hequr ylli i madh që simbolizonte idealin e komunizmit. Ai bëri një retushim të nevojshëm për kohën”, vijon më tej bashkautori i veprës, duke theksuar se pas këtyre riparimeve iu dha karakter popullor mozaikut.
Kostandini më tej tregon se për mozaikun ka pasur zëra kritikë që kanë kërkuar dhe që të hiqej prej muzeut, por sipas tij kjo është kundërshtuar nga autorët, ku dhe personalitete të kohës kanë thënë që nuk ka pse të përmbyset kultura.
“Diku rreth vitit 2010 filluan kontestimet përsëri, nga qeveria e djathtë dhe shumë intelektualë, përgjithësisht drejtorë institucionesh, duke propozuar edhe heqjen fare të mozaikut duke e cilësuar si një vepër tipike të realizmit socialist. Mozaiku është një vepër shumë e politizuar për lavdinë e kombit shqiptar, nuk ka personazhe të identifikuara që mund të ngjallin debat. U bë një debat shumë i ashpër në shtyp. Shumë intelektualë të njohur, si Maks Velo, Moikom Zeqo, janë shprehur pro mozaikut, që jo vetëm të ruhet, por që nuk ka asnjë gjë të kontestueshme, është një vepër pozitive dhe kombëtare”, shprehet ndër të tjera bashkautori i veprës.
Ndërkohë një tjetër reagim ka ardhur edhe nga historiani Erald Kapri, i cili shprehet se është pro heqjes së yllit dhe librit të proletarit në mozaik.
“Qindra reagime për mungesën e yllit komunist dhe librit të Marksit në mozaikun e pështirë të realizmit socialist, që tenton të na mbushë mendjen se komunistët vlejnë sa mijëra vjet histori të shqiptarëve bashkë. Janë të paktë ata që kanë kurajo e të thonë që kjo vepër e turpshme ideologjike është hipokrizi e ndyrë që i rri në mes kryeqytetit të një shoqërie të kalbur që nuk dënoi askënd për krimet e shumta. Indinjohen për “retushimin” e një vepre por aspak për krimet e pandëshkuara. Shoqëri me elitë nihiliste”, shkruan Kapri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.