Improvizimi gjatë një komedie stand-up është detyre e komedianit. Por kur Li Haoshi doli jashtë skenarit në një show në Pekin të shtunën e shkuar, nisi një investigim policor, gjoba miliona dollarëshe dhe një kuptim të ri për ndrydhjen e fjalës së lirë në Kinë.
Li, që po performonte nën emrin e tij të skenës, House, po bënte shaka se qeni i tij qe ndiqte disa ketrusha i kujtonte moton e Ushtrisë Çlirimtare Popullore që është cituar edhe nga Presidenti Xi Jinping: “Luftoni dhe fitoni dhe mbani sjellje të shkëlqyer”.
Referenca nevrikosi të gjithë konservatorët dhe nacionalistët pasi njëri nga audienca postoi në rrjetet sociale një pjesë të skeçit.
Zyrtarët kinezë u përgjigjën menjëherë. Byroja e Pekinit për Kulturën dhe Turizmin e gjobit Li-në dhe kompaninë e tij të menaxhimi 2.1 mln dollarë dhe pezulloi performancat e tij në Pekin dhe Shangai për një periudhë të pacaktuar.
Shakaja aq “e rëndë” dhunoi rregullat se performancat nuk duhet të “lëndojnë ndjenjat nacionale” apo “të dëmtojnë nderin kombëtar”, tha byroja. “Ne nuk do të lejojmë kurrë një kompani apo individ të denigrojë imazhin me lavdi të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe të lëndojë ndjenjat e njerëzve”.
31-vjeçari Li është tashmë nën hetim nga policia e Pekinit. Kompania e tij menaxhuese ka hequr dorë nga kontrata me të dhe po ndërmerr masa disiplinore ndaj menaxhmentit të lartë të cilët duhet të nënshkruajnë materialin përpara se të performohet. Koncertet e komedisë dhe muzikës në të gjithë vendin janë anuluar ditët e fundit.
The Global Times, një revistë nacionaliste, e përshkruajti komedinë si një performancë perëndimore që kaloi vijat e kuqe.
“Ai duhet të respektojë audiencën kineze bazuar në nivelin e tyre të pranimit dhe në thelb, duhet të respektojë konsensusin shoqëror, vullnetin e mirë dhe ligjet kineze,” tha revista në një editorial.
Incidenti ka kthyer në qendër të vëmendjes pyetjet mbi rolin e komedisë, dobësimit të fjalës së lirë dhe intolerancës ndaj mospajtimit në atë që kritikët e shohin si shtet gjithnjë e më autoritar nën Xi, udhëheqësin më të fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni.
Stand-up komedi është rritur në popullaritet gjatë 10 viteve të fundit. Numri i klubeve të humorit u rrit në gati 180 në 2021 nga më pak se 10 në 2018, sipas mediave shtetërore.
Maya Wang, një eksperte e Kinës me Human Rights Watch, tha se forma e artit u ofronte disa të rinjve kinezë “xhepa lirie”, por ishte e destinuar të “takonte përfundimisht grushtin e hekurt të qeverisë kineze”.
“Xhepat bëhen gjithnjë e më të vegjël, si flluska të vogla ku njerëzit përfundojnë duke gulçuar për ajër,” tha ajo.
Dy komedianë kinezë që folën për Financial Times në kushte anonime thanë se episodi tregoi se sa i pabesë ishte bërë zanati i tyre.
“Shumë kolegë janë të shqetësuar se mos humbasin punën e tyre dhe po kërkojnë punë jashtë stand-up komedisë tani,” tha një grua në Shangai. “Me censurën e qeverisë, autocensurën e interpretuesve dhe censurën e audiencës, sa vend do të na mbetet për shaka?”
Manya Koetse, një kryeredaktore e gjurmuesit kinez të mediave sociale What’s on Weibo, tha se episodi kishte shpërthyer në internet – disa postime tërhoqën qindra miliona klikime – sepse prekte çështje të njohura të patriotizmit dhe argëtimit.
Një akademik kinez, i cili këshillon qeverinë për çështjet sociale, tha se incidenti ishte “i pamundur që zyrtarët ta lëshonin pa asgjë” sepse përdorimi i një motoje të Ushtrisë nga Li kishte rezultuar në një valë ankesash në linjat telefonike në Pekin, Shangai dhe qytete të tjera dhe kishte cituar drejtpërdrejt Xi. .
Ai erdhi gjithashtu në një kohë të tensioneve të rritura midis Pekinit dhe Uashingtonit për çështje të tilla si Tajvani, të cilin partia komuniste kineze e pretendon si pjesë e Kinës dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e PLA për të kërkuar një ditë sovranitetin mbi të.
“Është një problem i madh të qeshësh me heronjtë që mbrojnë vendin në këtë kohë,” tha akademiku, i cili kërkoi të mos përmendet emri. “Dënimi do të jetë i shpejtë dhe i fortë sa një rrufe.
Por një tjetër komedian në Pekin tha se shfaqjet publike po bëheshin “të pamundura”.
“Çfarë lloj temash janë të ndjeshme? Nuk ka pasur kurrë një përfundim në Kinë. Nuk vendoset nga qeveria apo nga PKK, por nga zyrtarë të veçantë në parti,” tha ajo. “Kjo nuk është përfaqësuese e masave dhe interpretuesi nuk mund të parashikojë mendimet e një zyrtari.”
Burimi:FinancialTimes/Gazeta ‘SI’
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje