Ngjarje

Ç’thotë dosja e Sigurimit të Shtetit për ‘vrasjen’ e Aleksandër Kondos? Gjithçka ende një mister!

Në ditët e para të majit të 36 viteve më parë humbi jetën ikona e peshëngritjes shqiptare, një prej emrave më kontraversë të sportit në Shqipëri, ndoshta në gjithë historinë e tij për vetë fatin tragjik, Aleksandër Kondo.

I konsideruar jo vetëm si sportist rekordmen i këtij sporti në vitet ’80, Aleksandër Kondo njihej edhe si një ‘rebel’ i atyre viteve të diktaturës në vendin tonë.

Dosja për Aleksandër Kondon. Gazeta Si, 5 maj 2023

Në dosjen e Sigurimit të Shtetit, siguruar nga Gazeta “Si”, një material me mbi 100 faqe, shkruhen shumë gjëra rreth përgjimit të tij nga momenti i arratisjes në qershor të vitit 1985, deri në ngjarjen e mistershme të marsit të vitit 1987, dy muaj përpara vdekjes së Aleksandër Kondos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Legjenda e peshëngritjes shqiptare humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pa zbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-së, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Pëshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni.
Dosja voluminoze i përket periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje u arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.

Në vite ’80, spikati djaloshi Kondo asokohe në moshën 20-vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në në krahqafë hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtarak i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijëra sportdashës.

Në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Europian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por sëbashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.

Ish-peshëngritësi Aleksandër Kondo. Gazeta Si, 5 maj 2023

Fillimi i historisë, marrë nga dosja sekrete e Aleksandër Kondos

Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.

“Në qytetin e Titogradit, nga verifikimet e bisedat e bëra deri tani, në përgjithësi në ambiente, lokale tregtie, hotele dhe në stacionin hekurudhor të trenit për mallrat, del se ngjarja e ndodhur nuk është mësuar nga qytetarë dhe punëtorë jugosllavë.

Më datën 2.6.1985 spedicioneri i “Jugospetit” në stacionin e trenit të mallrave, midis të tjerave tha: ‘Më datë 1.6.1985, vëllai im (oficer i UDB-së me punë në Titograd) më tregoi se ditë më parë në Titograd janë zhdukur dy sportistë shqiptarë që vinin nga Polonia. Ekzistojnë rrethana të tilla që Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi të jenë larguar nga grupi, duke realizuar kështu arratisjen e tyre gjatë kthimit për në atdhe’.

Faksimile e një pjese raporti nga dosja e Kondos.

Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, ditën e arratisjes kanë shkuar me një taksi të Tirogradit në Berane të Ivangradit, ku njëri prej tyre ka njerëzit e tij. Meqenëse nuk kanë pasur parà për të paguar, taksisti i ka dorëzuar në UDB-në e Ivangradit. Tani të dy sportistët ndodhen në Beograd, në hotel ‘1000 Ruzha’ dhe presin të shkojnë diku në Perëndim.

Vërtet regjimi komunist i Enver Hoxhës ka qenë i vuajtur për thuajse të gjithë, por ka patur edhe persona të priviligjuar, apo që ndryshe nga popullsia e gjerë të kishin shumë gjëra që të tjerëve u mungonin, mes tyre pa dyshim edhe ushtarakët. Një i tillë ishte edhe babai i Aleksndër Kondos, Vangjel Kondo, i cili në atë periudhë, ende përpara kësaj ngjarjeje, ishte shef i Shtabit të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të paktën deri ditën që u mësua ky lajm.

Megjithatë, sipas dosjes së Sigurimit të Shtetit, Aleksandër Kondo ishte subjekt përgjimi dhe vëzhgimi nga Sigurimi që nga viti 1981, disa vite përpara arratisjes. Kjo nuk e pengoi që të fillonte punë në Policinë e Shtetit në vitin 1982. Në një nga udhëtimet e tij jashtë, në Kampionatin Ballkanik në Rumani, solli dyshime të mëdha për shfaqjet jokorrekte të kohës.

Në raport thuhet se Aleksandri u tregonte shokëve dhe kolegëve të tij se kishte blerë disa veshje atje, duke theksuar se pavarësisht se nuk i kishin dalë paratë, ai i kishte plotësuar shpenzimet me 200 lei nga një sportist bullgar dhe nga një përkthyes shqiptar.

Po sipas dosjes të Sigurimit të Shtetit, i pyetur për këtë çështje, peshëngritësi tjetër, shok i Aleksandër Kondos, Mirjan Hakani, deklaron:

“Dietën e kishim të vogël për të marrë aq shumë gjëra dhe sesi i ka marrë Aleksandri nuk di gjë, por di vetëm një gjë, që shokët e Ambasadës na porositën të mos shoqëroheshim me përkthyesin, i cili e kishte emrin Ilia dhe s’ma merr mendja që Ilia t’i ketë dhënë parà atij”.

Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, bashkëpunëtorë të UDB-së

Burimet të ndryshme në Amerikë hedhin hije dyshimi për kohën e gjatë të qëndrimit të Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit në Jugosllavi. Në një nga informacionet që vinte nga Nju Jorku, informatori thekson:

“Të dy kanë nënshkruar deklaratë bashkëpunimi me UDB-në. Në kohën që janë nisur për këtu ku jemi ne, ata janë porositur që të paraqiten në Konsullatën Jugosllave. Në prani të 7 personave Aleksandri ka thënë se ai vetë ka qenë dy herë në konsulltatën jugosllave dhe prej tyre në të dyja rastet ka marrë të holla”.

UDB-ja: Dy vllezërit nga Tropoja të autorizuar për t’i vrarë një vit përpara vdekjes!

Në raportin e datës 2.4.1986, vet informatori thekson bashkëpunimin si dëshmitar të Kondos dhe Sukniqit me UDB për dy vëllezërit e arratisur nga Tropoja, njëri prej të cilëve ndodhet në burg, ndërsa tjetri ende jo. Ata u akuzuan nga jugosllavët se janë dërguar nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar për eliminimin e Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit.

“Sipas tij (Aleksandër Kondos) për 7-8 vite do të ndryshojë sistemi në Shqipëri, sepse në pushtet do të vijnë të rinj liberalë. Këtë gjë mund ta bënte edhe udhëheqësi i ri (Ramiz Alia), por nuk e la gruaja e udhëheqësit që vdiq (Nexhmija), e cila ka të gjithë pushtetin në dorë.

Por më të këqinj janë ata të Sigurimit, që nuk lënë njeri pa kontrolluar. Ka dëshirë të stabilizohet këtu dhe të gjejë punë në ndërtim, pasi është i fortë fizikisht dhe mund të fitojë parà. I vjen keq që humbi sportin. Kondo është shumë i shqetësuar për jetesën e vështirë këtu, por nuk shpreh asnjë pendesë për arratisjen. I vjen keq për familjen që i bëri dëm, por kjo punë mbaroi tani”.

Jeta e vështirë e Aleksandër Kondos në Amerikë, roje në një klub seksi!

Në raportet e shumta të informatorëve të ndryshëm të Sigurimit të shtetit theksohet gjithnjë e më tepër pakënaqësia e gjendjes së Aleksandër Kondos, i cili ishte vendosur të jetonte në Harlem të Nju Jorkut dhe punonte si roje në një lokal seksi, gjë që i sillte pak të ardhura.

Ndërkohë, veprimet e tij dhe shprehjet hapur kundër regjimit gjithnjë e më tepër po rrisnin presionin e Sigurimit. Në një plan të ri të masave në fund të vitit 1986 për 6-mujorin e vitit pasardhës 1987, vit ku edhe peshëngritësi shqiptar humbi jetën, u hartua një plan i ri agresiv masash. Mes të tjerave detyrat ishin të qarta:

“Sipas burimit ‘6402’, Fuat Myftia e Rasim Sina, janë shprehur se Aleksandër Kondo nuk ka pranuar të flasë për radion e Legalitetit, nga frika se mos u ndodh gjë njerëzve që ka këtu. Të shfrytëzohet kjo me qëllim, që nëpërmjet lidhjeve familjare, që Aleksandër Kondo ka këtu, pasi të studiohen, të shikohet mundësia e bërjes një letër presioni prej tyre.

Të studiohen kushtet dhe mundësitë për të shfrytëzuar ndonjë rast të përshtatshëm që t’i bëhet një telefonatë anonime për ta frikësuar. Nisur nga të dhënat që bëjnë fjalë për shprehje pakënaqësie nga ana e A.Kondos dhe Xhelal Sukniqit për gjendjen e keqe të jetesës dhe papunësinë, duhet të shfrytëzohet.

Agjentura jonë që ka lidhje kontakti me këta të arratisur, të punojë për t’i shtuar dhe thelluar këto pakënaqësi. Mbi këtë bazë, duke shfrytëzuar të dhëna të tjera mbi veset negative dhe pikat e dobëta që dimë për ta, të përpunohet një letër anonime”.

Tentativa e parë për vrasje ndaj Kondos?!

Në raportin e datës 4 prill të viti 1987 thuhet se Aleksandër Kondo është aksidentuar nga një person anonim në datën 20 mars, duke i shpëtuar mrekullisht vdekjes. Sipas vet peshëngritësit shqiptar, siç raporton punonjësi i Sigurimit të shtetit me kodin ‘6110’, aksidenti ishte i rëndë, theu tre brinjë dhe pati një frakturë në qafë, por në spital qëndroi vetëm 3 ditë.

“Ai shprehu për herë të parë dyshimet se dikush po kërkonte ta vriste. Në autostradë një person i paidentifikuar ndaloi makinën përpara tij dhe më pas i dha me shpejtësi, por duke qenë se ka rënë pa ndjenja në tokë nuk ka mundur të japë informacione sesi ka qenë ky person”.

Humbi jetën më 2 maj të vitit 1987

Më 2 maj të vitit 1987, Aleksandër Kondo humb jetën. Buletinët informativë në Shtetet e Bashkuara njoftojnë që në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi shqiptar humbi jetën në një aksident automobilistik.

Në raportin e datës 15 maj të vitit 1987 shkruhet se kanë qenë dy persona, të cilët e kanë marrë, lëvizur nga padija Aleksandrin, duke e nxjerrë nga makina dhe duke e transportuar në një spital shumë larg, duke i shkaktuar kështu hemorragjinë që i solli humbjen e jetës.

Faksimile e njopftimit për vdekjen e Kondos.

Janë të shumta aludimet, të ndikuara edhe nga deformimet e informacioneve nga regjimi i atëhershëm, nga mungesa apo me qëllim pak gjëra kupton, por një gjë është e sigurt: nëse nuk ishte vrasje, Aleksandër Kondo u zhyt drejt një tuneli pa fund, që herët a vonë do t’i sillte një fund të tillë, që i dha lavdinë shumë më të madhe ndoshta edhe se rezultatet sportive.

“Shoku Mikel Gjika me telefon Nr.720, datë 5.5.87, nga Nju Jorku, njofton: “Në emisionin e ditës së premte pasi bëri një nekrologji të shkëlqyer për Aleksandër Kondon dhe e vendosi në altarin e Dëshmorëve të Kombit, Zef Camaj akuzoi hapur Sigurimin e Shtetit për vrasjen e tij. Tha se haku i tij do të merret e demaskoi udhëheqjen tonë…”, thuhet ndër të tjera në dosje.

Pas këtij informacioni të ardhur nga Nju Jorku, Sigurimi i Shetit vendosi mbylljen dhe arkivimin e “Dosjes” së Aleksandër Kondos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë