Sabina Veizaj- Alban Zusi i Qendrës së Eksporteve Shqiptare e gjykon të drejtë vendimin e Qeverisë Kosovare për vendosjen e tarifave doganore ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Por për të, vendimi është i nxituar dhe i pa studiuar mirë sepse nuk ka mbrojtje ligjore.
Ai sugjeron disa aspekte ku duhet të ndalet qeveria e Kosovës që ta legjitimojë vendimin e saj.
“Gjykoj që Qeveria e Kosovës duhet të ketë një strategji për marrëdhëniet tregtare.
Aspekti i parë: Të gjitha produktet që importon qeveria e Kosovës, duhet të shohë nëse janë të mbështetura me subvencione atje, qoftë në Bosnje, qoftë në Serbi. Sepse në Serbi shumë produkte janë me subvencion dhe qeveria e Kosovës është në të drejtën e saj që sa është subvencioni në Sebi, të aplikojë tarifë doganore që mund të shkojë edhe më shumë se 10%. “- thotë Zusi.
Ai vijon arsyetimin e tij me aspekti i dytë që konsiston tek tarifat mbrojtëse. “ Qeveria e Kosovës duhet të shohë nëse këto vende si Bosnja dhe Serbia a aplikojnë tarifa mbrojtëse për produktet e tyre përkundrejt vendeve të tjera? Sepse unë e di që Serbia përdor tarifa mbrojtëse për industritë e saj. Duke qenë të mbrojtura psh. ato marrin një avantazh më të madh. Në këtë kontekst, qeveria e Kosovës duhet të hyjë në negocim sepse industritë e mbrojtura të Serbisë kanë një avantazh konkurrues më të lartë. Kështu që edhe Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një masë mbrojtëse për industritë e saj.”
Ndërsa si aspekt të tretë që duhet parë sipas tij nga Qeveria e Kosovës është reciprociteti. “Nëqoftëse prodhuesit kosovarë do të donin të eksportonin në këto vende produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja, a do të pranonin vendet respektive? Pra, nëqoftëse Kosova do të donte të eksportonte produkte mishi në Serbi, a ia lejon Serbia? Nëqoftëse nuk ia pranon, duhet të vendosë tarifë ose edhe mundet të mos ia pranojë fare për shkak të reciprocitetit. Shkon edhe përtej tarifës në këtë rast. Edhe nëse justifikohen me standarde që nuk plotësohen Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojë stoike; eja më ndihmo, kur të vendosim standardet, nisim bashkëpunimin tregtar.”
Ai nuk e konsideron marrëveshjen e CEFTA-s ndonjë humbje të madhe në raport me marrëdhëniet tregtare jo të balancuara. “Unë personalisht po të isha biznesmeni i fushës do të thosha ; jam kundër CEFTA-s, nuk dua CEFTA. Po qe se unë nuk e dërgoj dot produktin tim jashtë, kur ai më hyn brenda, do të bëja namin e zi. Do të isha çdo ditë duke bërditur përpara Ministrisë Ekonomisë.”
Në vijim të arsyetimit të tij Alban Zusi shpjegon se “brenda marrëveshjes së CEFTA-s, në periudhat e pikut çdo shtet ka të drejtë të mbrojë produktin e vetë në disa forma. Edhe duke e mbyllur fare tregun. Në momentin që Kosova ka super prodhim të patates, në atë moment për një muaj unë nuk pranoj asnjë lloj patate. Gjatë këtij muaji, unë mund ta pranoj pataten e huaj, por me një tarifë 10%. Unë pranoj produkte por me një kuotë të caktuar. Psh. 500 ton patate. Shqipëria me BE ka marrëveshje, Stabilizim Asocimi, brenda marrëbveshjes kemi shumë tarifa zero, por ashuret do ju jap deri në 1200 ton, përtej 25% taksë doganore.”- thotë Zusi.
Ai gjykon se vendosja e tarifave doganore do të ndikojë pozitivisht marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, por ato do të maksimizohen sipas Zusit nëse të dy qeveritë do të negociojnë për të hequr barrierat, veçanërisht për biznesin e mesëm dhe të vogël. “Sepse një biznes i madh nuk e ka problem të kaloj një trajner sepse kostot janë diku tek 210-220 euro dhe kur në tralner janë 25 000 eruo kostoja është 1%. Nëse një biznes i vogël që do të çojë 2000 euro mall, 200 euro janë 10%. Bllokoje tregun sa të duash me Serbinë, produktet shqiptare do ta kenë të vështirë për shkak të barrierave dhe kostove shtesë” – sqaron Zusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




