Nga Gazeta Si - Aktori britanik, Paul Grant, kukudhi i “Harry Potter”, vdiq në moshën 56-vjeçare pasi u rrëzua të enjten e kaluar në King’s Cross më 16 mars dhe u dërgua me urgjencë në spital, por kishte pësuar hemorragji cerebrale. Nga një rastësi e trishtuar, stacioni është qendror për librat e J.K. Rowling, duke u bërë një destinacion pelegrinazhi për të gjithë fansat e Harry Potter.
Familja e tij mori vendimin të dielën për të fikur aparatin e mbështetjes për jetën. Vajza Sophie Jayne Grant, 28 vjeç, tha se ishte “shkatërruar” dhe e quajti babanë e saj “një legjendë në shumë mënyra”. Në një deklaratë për “The Sun”, ajo tha se babai i saj “gjithmonë sillte një buzëqeshje dhe të qeshura në fytyrën e të gjithëve. Ai do të bënte gjithçka për këdo dhe ishte një tifoz i madh i Arsenalit”.
Paul Grant bëri debutimin e tij si Ewok në episodin e gjashtë filmik të “Star Wars” në vitin 1983. Ai ishte pjesë e “Labyrinth” të vitit 1986, e “Legend” (1985) dhe “Willow” (1988).
Më pas ai ishte njëri prej kukudhëve të Bankës së Magjistarëve të Gringotts në “Harry Potter dhe guri filozofal” të vitit 2001.
Stacioni i King’s Cross është përsëri i rëndësishëm në finalen e sagës, “Harry Potter dhe Dhuratat e Vdekjes”, kur Harry goditet nga mallkimi fatal i Voldemortit, por në vend që të vdesë ai zgjohet në një Limbo që duket tamam si Stacioni i King’s Cross. Këtu ai takohet me drejtorin e Hogwarts-it, Albus Dumbledore, i cili i ofron të kthehet për të jetuar, ose të marrë një tren, i cili mbërrin në atë çast, dhe të “vazhdojë”. Harry Potter kthehet prapa, Paul Grant shkoi përpara.
Ende nuk është vërtetuar se çfarë e shkaktoi vdekjen e Paulit, por ai kishte treguar më parë se si u kthye te pija, droga dhe prostitutat pasi u nda nga gruaja e tij, ndërsa ai u shpëtua gjithashtu nga rrugët.
Paul, nga Peterborough, Cambridgeshire, foli për problemet e tij pothuajse një dekadë më parë kur fotot e tij duke thithur kokainë u shfaqën në internet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.