Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit, la në fuqi dënimin me burg përjetë për Festim Bexhdilin, i cili u gjet fajtor për rrëmbimin dhe zhdukjen më pas të trupit të Jan Prengës në vitin 2020.
Kopshtari i resortit ku është mbajtur për disa orë peng Prenga, kishte kërkuar pafajësi në Apel.
Edhe pse në mungesë të një kufome, gjykatat argumentojnë se për shkak të gjurmëve të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike në resortin në Shijak, Jan Prenga ka humbur jetën.
Për të pandehurin tjetër Olsi Turja, i akuzuar për pengim të zbulimit të të vërtetës, gjykata vendosi 3 vite burg.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës ndodhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine të mbërritur nga Ekuadori, në portin britanik Portsmouth, nga vëllai i viktimës.
Në formë hakmarrje ndaj këtij veprimi prokuroria thotë se me urdhër të shtetasit Dritan Rexhepi, i cili ndodhet i arrestuar në Ekuador, është marrë peng edhe 52-vjeçari i cili më pas ka ndërruar jetë si pasojë e rrahjes dhe keqtrajtimeve.
Referuar pretencës së SPAK të dhënë një vit më parë, ndonëse nuk është gjetur trupi i të rrëmbyerit, nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se ai ka vdekur.
Sipas prokurorisë nga pamjet filmike në garazhin e kompleksit “Golden” në Shijak, duket viktima që nuk jep asnjë shenje jete për disa orë me radhë, ndërsa shenjat e gjakut te gjetura në vendngjarje të krahasuara me ADN e nënës së viktimës rezultojnë se i përkasin te njëjtit profil gjenetik.
Disa ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë nisi gjykimin në mungesë për porositësit e ngjarjes së rëndë:
Dritan Rexhepi, i zhdukur pas lirimit me kusht në Ekuador, Gentian Funiqi, i arrestuar në Spanjë, në pritje të ekstradimit, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Docaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal për rrëmbimin e Jan Prengës.
Po ashtu, një ditë më parë, filloi gjykimi në mungesë për të njëjtin rast edhe ndaj Altin Hajrit, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Ai akuzohet për veprat penale të rrëmbimit apo mbajtjes peng të personi, ku është shkaktuar vdekja, mbajtja pa leje e armëve luftarake, fshehje dhe asgjësim kufome, si dhe grup të strukturuar kriminal.
Policia, për një periudhë të gjatë ka kryer kërkime në zonat pranë resortit në Shkozet, por pa mundur të gjejë trupin e pajetë të 46-vjeçarit.
Prokurorët shpresonin që njërin prej të arrestuarve ta kthenin në bashkëpunëtor të drejtësisë, por nuk ia dolën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.