Ekonomi

Tregti e lirë me Japoninë?!

Nga Gisela Troplini – Qeveria shqiptare ka hedhur idenë e një marrëveshje të tregtisë së lirë më Japoninë duke habitur jo pak sesi gjeti vend në agjendën e prioriteteve, një propozim i tillë. 

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në një takim me Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë, javën e kaluar u kërkoi bizneseve në vend të propozojnë disa produkte specifike për mundësinë e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me shtetin japonez.

Ndër vite, raportet tregtare midis dy vendeve kanë qenë të ulëta. Sipas shifrave të INSTAT ato janë intensifikuar 10-vjeçarin e fundit, kur u shtuan artikujt e shkëmbyer dhe vlerat. Eksportet me vlerën më të lartë nga Shqipëria në Japoni janë ato të prodhimit të gizës që kanë nisur që në vitin 2010 dhe në vitin 2022 kapën vlerën e 3.3 mld eurove. Importet me vlerën më të lartë që Japonia sjell në Shqipëri janë ato të bojlerëve dhe makinerive me një vlerë prej mbi 640 mln lekë vetëm në 2022-shin.

Por eksportet me rritjen më të madhe janë ato të peshkut dhe gjallesave ujore të cilat kanë nisur vetëm në vitin 2021 me një vlerë prej 265 mln lekësh dhe në vitin 2022 arritën vlerën e mbi 670 mln lekëve. Në vlera shumë më të vogla, Shqipëria ka eksportuar në Japoni edhe produkte si farëra bimore dhe veshje.

Kostot, klima e bizneseve dhe komunikimi duket të jenë “të papriturat” e rrugës së gjatë për në Japoni.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, Genti Beqiri shpjegon për Gazetasi.al se pengesat “teknike” të zhvillimit të një marrëdhënie të tillë janë dy: kostot e larta dhe largësia.

“Ka dy probleme që pengojnë penetrimin në tregtinë me Japoninë, largësia gjeografike dhe kostot e transportit deri atje, por ka dhe një të mirë. Çmimet në Japoni janë ta larta, ka një marzh fitimi të lartë dhe këto kosto bëhen të përballueshme. Gjithsesi dhe vetë Japonia ka qenë pak më e fokusuar në vendet e tjera aziatike e deri në Bashkimin Europian”, – shprehet eksperti Beqiri për Gazetasi.al.

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Japoni, Genti Beqiri

Por problemi i vërtetë për z.Beqiri janë marrëdhëniet joekonomike me Japoninë dhe nevoja për të krijuar një komunikim dhe angazhim midis dy shteteve.

“Ne duhet të krijojmë marrëdhënie, komunikim business-to-business në nivele të larta. Vitet e fundit dhe ambasadat kanë nisur ta stimulojnë këtë. Duhet të jemi prezentë me panaire produktesh. Duhet të krijojmë një historik”, thotë z.Beqiri duke shtuar se bizneset shqiptare kanë një barrierë për “të thyer”.

“Është e nevojshme që bizneset shqiptare të ndryshojnë ambientin e tyre. Për Japoninë ne shihemi ende si vend i ish-bllokut komunist dhe një treg i vogël. Më pas bizneset shqiptare duhet të dinë karakteristikat e tregut japonez. Nevojës që ata kanë, kërkesës për cilësi, certifikimet e produkteve etj. Japonia është treg shumë i madh me kërkesë kualiteti shumë të lartë, disi më ndryshe nga vendet e Europës.”

Drejtori i Dhomës së Tregtisë me Japoninë tregon se nga disa panaire të mëhershme, në Japoni ka pasur interes për njohje të  produkteve shqiptare, kryesisht për vajin e ullirit dhe mjaltin. Por, kërkesa e tyre është në nivele industriale, që Shqipëria nuk i përballon dot.  Ai sugjeron që një hap i rëndësishëm është edhe prezenca ekskluzive e kompanive dhe industrive japoneze në Shqipëri. Për produkte specifike, kryesisht automjetet, Japonia i eksporton nëpërmjet vendeve të tjera europiane.

Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë bazohen kryesisht në një regjim të lehtësuar ose zero, të tarifave doganore. Për sa kohë tregtia me këtë vend 9.300 kilometra larg në vijë ajrore, është limituar në volume dhe në biznese, edhe lehtësitë doganore hëpërhë do të jenë “nder” për një grup të vogël biznesesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë