Treg

Ekspertët: Pse në 2022 u rritën ndjeshëm eksportet bujqësore

Nga Gazeta 'Si' - Ndonëse bujqësia u fut në krizë vitin e shkuar, eksportet bujqësore ia dolën që të përshpejtonin rritjen duke prekur kuotën më të lartë ndonjëherë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, ato u rritën në sasi me 15.6% dhe në vlerë me 18.1% më shumë, krahasuar me një vit më parë, duke prekur vlerën e 500 mln dollarëve.

Kjo ecuri në rritje e tyre, sipas ekspertëve të bujqësisë, ka ndodhur për disa arsye.

Aryseja kryesore, thotë Agim Rrapaj për Gazetasi.al, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, është prodhimi i bollshëm i këtij viti.

“Këtë vit kemi patur prodhim të lartë në agrume. Mbiprodhim në ullinj por edhe vreshtat kanë qenë në ecuri shumë të mirë. Sigurisht që ky prodhim është fakt dhe është arsyeja kryesore që shpjegon këtë rritje të eksporteve”, thotë ai ndërsa shton se së dyti ka ndikuar tepër edhe rritja e numrit të qendrave të grumbullimit.

“Nga 227 qendra grumbullimi që kemi patur, këtë vit numri është rritur në 262. Qendrat e grumbullimit janë kërkuar shpesh nga fermerët dhe kjo rritje dëshmon që është reflektuar pozitivisht në eksporte”, vijon ai.

Rrapaj thekson se arsyeja kryesore është prodhimi i bollshëm i këtij viti

Ndër arsyet e tjera, Rrapaj shton për Gazetasi.al se një element tjetër po aq i rëndësishëm është edhe konjuktura ndërkombëtare.

Dalja nga tregu e Rusisë dhe Ukrainës ka bërë që Shqipëria të eksportojë më shumë në vendet e Bashkimit Europian.

“Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit më të mëdhënj botëror dhe ishte e ditur që furnizonin pjesën më të madhe të botës. Lufta në Ukrainë dhe situata gjeopolitike ndonëse ka patur shumë pasoja negative, në këtë rast mund të themi që ka shërbyer në favor të Shqipërisë”, vijon ai teksa thekson se duhet përmendur edhe zgjerimin e serave.

“Në të gjithë territorin serat janë zgjeruar për shumë produkte por sidomos për vreshtin. Ky quhet prodhim në ambientet e mbrojtura i cili përgjithësisht është i destinuar që të shkojë për eksport”, thotë ai.

Ndërsa Ilir Pilku, gjithashtu ekspert bujqësie, përmend për Gazetasi.al edhe rritjen e subvencionit për fermerët këtë vit.

Pilku shprehet se grupi i bimëve medicinale ka perfomancën më të lartë në vlerë

Përmes Skemës Kombëtare, Ministria e Bujqësisë mbështeti me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5.1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt rreth 48 mijë fermerë. 

Gjithashtu nëpërmjet programit IPARD vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare.

Pilku shton se kryesisht në volume, rritja paraqitet në kulturën e shalqirit të fushës (i vonshëm) i ndjekur nga grupi perimor i serrave 15% (domate, kastraveci, speci), mandarina dhe bimët medicinale.

“Përsëri grupi i bimëve medicinale ka perfomancën më të lartë në vlerë duke mbuluar rreth 24% të eksporteve.  Kjo perfomancë në rritje e eksporteve merr një vlerë edhe më të lartë nëse kemi një ulje të importeve në volume dhe vlerë financiare, gjë që do i ndikojë në zvogëlimin e balancës tregtare”, thotë ai për Gazetasi.al.

Ndërsa Irena Beqiraj, ish-zv.ministre e Financave shprehet se nëse i referohemi indeksit të Bankës Botërore, i cili thotë që indeksi i çmimeve për produktet bujqësore pa përfshirë grurin është rritur 14.9%, rritja reale mesatare e eksportit në rastin më të mirë është 17%-14.9% = 2.1%.

Produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shalqinjtë me 18.4%, domatet me 15.5%, kastravecat me 14%, agrumet me 9.8%, zarzavatet me tjera 9.2%, lakrat me 9%, bimët aromatike dhe medicinale me 4.8% dhe mollët e ftonjtë me 3.2%.

Ndërkohë produktet më të eksportuara në vlerë janë bimët medicinale dhe aromatike me 23.8% të eksporteve të kategorisë bujqësore, domatet me 15.6%, kastravecat me 12,1% dhe zarzavatet e tjera me 11%.

Eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë