Ne rrjet

Vizat për Kosovën vështirë se hiqen edhe në 2019

Të gjithë politikanët kosovarë, thuajse nga të gjitha krahët, kanë bërë të paktën një herë në karrierën e tyre politike premtimin për heqjen e vizave ndaj Kosovës. Por liberalizimi i shumëpritur për një shoqëri që mbijeton prej dekadash nga emigracioni dhe remitancat që vijnë nga Evropa, duket se nuk do të bëhet realitet edhe gjatë vitit 2019.

Zyrtarët ndërkombëtarë në Prishtinë, por edhe ata në Bruksel, kanë qenë shpesh të rezervuar në dhënien e afateve, përkundër premtimeve të politikanëve, të cilat analistë dhe njohës të proceseve europiane i konsiderojnë si të bëra thjesht për përfitime politike.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës

Qeveria shprehet optimiste se ky proces i tejzgjatur do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër dhe se do të rezultojë me lëvizjen e lirë të kosovarëve. Deklarimi i fundit erdhi nga shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj i cili pak ditë më parë tha se në fund të këtij viti do të marrim një lajm të mirë për vizat. Madje, ai u bëri thirrje edhe partive opozitare që të japin mesazhe pozitive për liberalizimin e vizave, pasi nuk ka arsye për të qenë pesimistë. Por nga ana e tyre, partitë opozitare shprehen se liberalizimi nuk do të ndodhë shpejt, ndërkohë që akuzojnë qeverinë për dhënien më kot të datave për përfundimin e këtij procesi.

Lirak Çelaj, Zv/Ministër i Integrimeve Evropiane

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj thotë se deri tani asnjëri prej vendeve kryesore të Bashkimit Evropian nuk është pozicionuar kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në një intervistë për mediat kosovare, ai ka theksuar se disa prej këtyre vendeve kanë shprehur vetëm disa dilema në lidhje me këtë proces. Megjithatë, Çelaj thotë se Qeveria e Kosovës është duke punuar me këto vende për t’ua larguar çdo hamendje. Edhe ai ka shprehur optimizëm se vendimmarrja e BE-së për këtë çështje të ndodhë brenda këtij viti, pasi Kosova i ka kryer detyrimet e veta përsa i përket plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave.

Mnistrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në Konferencë me Grupin Panevropian të Partive Popullore në PE ku kërkoi që vendimmarrja për liberalizim të vizave të përshpejtohet

Në datë 24 tetor ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, ishte e para që “dha alarmin” duke u shprehur se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën mund të shtyhet. Gjatë ditës ajo kishte zhvilluar takime të ndryshme me zyrtarë të lartë të BE-së, me të cilët kishte diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Behxhet Shala, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut

Për Behxhet Shalën, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, në Kosovë është bërë lojë me çështjen e liberalizimit të vizave, edhe nga maxhoranca edhe nga opozita. Sipas tij, për dështimin e vizave përgjegjësi kanë edhe politikanët kosovarë por edhe ndërkombëtarët. Shala shprehet gjithashtu se edhe në bisedimet Kosovë-Serbi, çështja e vizave nuk mund të përdoret si kusht.

Demush Shasha, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane

Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) ka dalë me një hulumtim ku sqaron hapat e mbetur deri në përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave. Sipas, Demush Shashës nga ky institut, vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Evropian për Kosovën, është pothuajse e pamundur të përfundojë brenda këtij viti, e madje as në 2019-ën. Ai thotë se hyrja në vitin 2019 pa sqarim për liberalizim të vizave do të jetë jashtëzakonisht komplekse.

Analisti politik, Behlul Beqaj shprehet se dhënia e afateve kohore nga politikanët kosovarë është një tjetër dëshmi se sa joseriozë janë ata. Pak ditë më parë, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova këshilloi politikanët kosovarë që mos të zotohen lidhur me afatet kohore për liberalizimin e vizave, meqë, siç tha ajo, tani ky proces është në duart e shteteve anëtare.

Kosova është i vetmi vend të cilit i është vënë kusht për liberalizimin e vizave, shenjimi i kufirit me një shtet tjetër (Malin e Zi). Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është tani në dorën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që pritet të votojnë pro apo kundër liberalizimit. Në maj të vitit të ardhshëm mbahen zgjedhjet brenda Parlamentit Evropian, ndërkohë që është edhe çështja e Brexit, e këto pritet të konsumojnë vëmendjen e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, diçka që mendohet se e vështirëson procesin e Kosovës nëse nuk ka ndonjë vendimmarrje deri atëherë.

Por zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka shkuar edhe më tej, përsa i përket debatit për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u shprehur “se në Evropë ka më shumë një albanofobi sesa po kërkohen kritere teknike për vizat”. Në një debat televiziv, ai u shpreh se 95 kriteret që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës ishin të padrejta, sepse për shtetet fqinje kishte shumë më pak se aq.

https://www.facebook.com/tvdukagjiniofficial/videos/2140057096255571/

“Kam qenë me Vlora Çitakun kur kam pranuar udhërrëfyesin nga BE dhe jemi shokuar kur i kemi parë 95 kritere. Nga 45 kritere kanë pasur Shqipëria, Maqedonia, Serbia kur u janë liberalizuar vizat”, ka thënë Hoxhaj. Sipas tij, partia e tij (Partia Demokratike e Kosovës) për shkak të këtyre kritereve, është detyruar ta rrëzojë qeverinë e Isa Mustafës. “Ne si PDK kemi qenë të detyruar të paguajmë një çmim dhe në 2017 të rrëzojmë një qeveri dhe të bëjmë kryeministër dikë tjetër që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, dhe këto tashmë janë fakte”.

Zv/Kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në Bruksel duke lobuar për heqjen e vizave

Hoxhaj u shpreh se shpesh kushtet në letër kanë shumë më pak rëndësi se kriteret që kanë në kokë zyrtarët e ndryshëm të BE-së. “Kjo çfarë po ndodh në 2018 për ne është e papranueshme. Për këtë në nuk kemi asnjë arsye më t’i besojmë Bashkimit Evropian nëse nuk e përmbyll vitin 2018 me një vendim se kur eventualisht në 2019 mund të udhëtojmë pa viza”, tha ai.

Zëvendëskryeministri nuk e ka fshehur indinjatën e tij ndaj vendeve të BE-së që hezitojnë për liberalizimin e vizave ndaj Kosovës, duke ngritur pikëpyetjen “se a duhet më t’i besojmë ne Evropës?”. “A duhet t’i besojmë ne vërtetë Evropës e cila nuk është në gjendje të përmbyllë një proces teknik për liberalizimin e vizave, që në 2019-ën do ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën, kur nuk është në gjendje të bindë shtetet anëtare për liberalizimin e vizave Kosovës?!”, tha Hoxhaj.

Komiteti për Punët e Jashtme në PE

Në 9 tetor Komiteti për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian votoi Progres-Raportin për Kosovën me 42 vota pro, 10 kundër dhe 6 abstenime. Pas këtij votimi, raportuesi i PE-së për Kosovën, Igor Sholtes tha se Kosova ka tashmë përpara saj shansin e madh për të marrë liberalizimin e vizave. “Kosova është aktualisht në një pikë vendimtare për të marrë liberalizimin e vizave, i cili do t’i jepte Kosovës mundësinë për të lëvizur drejt një shoqërie moderne. Për ta arritur këtë, nevojitet luftë e vazhdueshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përpjekje gjithashtu duhet të ketë edhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm të biznesit dhe forcimin e një gjyqësori dhe zbatimin e ligjit”, ka thënë Sholtes.

Raportuesi për Kosovën në PE, Igor Sholtes

Sipas tij, Parlamenti Evropian është dhe do të vazhdojë të jetë një mbështetës dhe aleat i Republikës së Kosovës. “Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit është me një rëndësi të jashtëzakonshme. Çdo përparim i bërë në këtë drejtim do të jetë gjithmonë i mbështetur nga ana jonë”, ka thënë Sholtes.

Por dy javë më pas, raportuesi Sholtes paralajmëroi destabilizim nëse Kosovës nuk i hiqen vizat. Sipas tij, “Bashkimi Evropian duhet të hapë dritën e gjelbër për liberalizimin si shenjë e besimit të ndërsjelltë, në të kundërtën tha ai, “mund të ketë ndonjë lloj destabilizimi”. Edhe sipas Sholtes, ka vende anëtare të BE-së që janë skeptike për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. “Ne nuk mund ta mashtrojmë veten tonë dhe të themi se ka konensus të qartë sa i përket shteteve anëtare të BE-së, dhe të themi se të gjitha janë në të njëjtën anë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Sholtes.

Burimi: KosovaPress, Telegraf, RTV Dukagjini


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë