Filma

44 vjet pas realizimit, rishfaqet i restauruar filmi ‘Koncert në vitin 1936’

Nga Gazeta Si - Filmi i mirënjohur shqiptar, “Koncert në vitin 1936” vjen i restauruar.

Pas 44 vitesh, pas realizmit filmi “Koncert në vitin 1936” pas rikthimit të ngjyrave mbrëmjen e së martës pati premierën. Për botën e kinemasë kjo është një ngjarje, e më shumë për artistët e mirënjohur që me pamjet e reja filmike shohin vetën, njëjtë si dikur.

Filmi është ekranizim i tregimit të Dhimitër S. Shuteriqit “Baltrave të Muzeqesë” prodhim i vitit 1978, i cili tregon për vizitën e dy artisteve shqiptare (këngëtare dhe pianiste) në qytetin e Lushnjës gjatë kohës së monarkisë shqiptare.

Restaurimi i filmit është bërë i mundur në mënyrë digjitale nga Quality Matters, me bazë në Mumbai, Indi, nga një ekip restauruesish udhëhequr nga Koushik Prassanta Bhattacharya.

“Filmi ‘Koncert në vitin 1936’ është një nga thesaret e trashëgimisë kulturore filmike që ruhen në fondin e AQSHF-së. Falë elementeve të realizimit si skenari e regjia dhe loja e mrekullueshme e aktorëve shqiptarë që ndërtuan me mjeshtëri karakteret e spikatura të personazheve të filmit”, thotë Erjona Vyshka nga Arkivi i Filmit për Gazetën “Si”.

Filmi ka në qendër figurën e gruas dhe emancipimin e saj në shoqëri.

“Projekti ‘A Season of Classic Films’ ku aplikuam dhe fituam të drejtën për t’u përfaqësuar me një film të restauruar nga kinematografia shqiptare, këtë vit kishte si temë filma që kanë të bëjnë me figurën e gruas dhe emancipimin e saj në shoqëri”, tregon Vyshka për Gazetën “Si” dhe shton se një arsye madhore për restaurimin  këtij filmi ishte se filmi në fjalë është një nga titujt me ngjyra të dekoloruara në rrezik humbjeje.

“Koncert në vitin 1936 është një nga 7 filmat me metrazh të gjatë të koleksionit të AQSHF-së, elementët negativë të të cilëve kanë probleme me dekolorimin e ngjyrave dhe kanë nevojë urgjente për restaurim. Në periudhën 1978 – 1982 Shqipëria po vuante një izolim ekstrem nga pjesa tjetër e botës për shkak të politikave të izolimit total të ndjekura nga regjimi në pushtet. Mungesa e materialeve bazë në laboratorin e filmit në Kinostudio, si stoku i ri i filmit dhe kimikatet për përpunimin e filmit u zgjidh duke përdorur kimikate filmike Orëo dhe Kodak për të larë filmat Agfa Geavert. Si pasojë e përdorimit të kimikateve të gabuara të filmit dhe privimit nga shumë procese të tjera laboratorike, disa nga filmat e prodhuar në fund të viteve ‘70 kanë ngjyra të zbehta dhe rrezikojmë t'i humbim përgjithmonë”, vijon më tej ajo.

Koncert në vitin 1936

Me regji nga Saimir Kumbaro, komedia tregon historinë e dy interpretuesve, një pianiste dhe një këngëtare lirike të shkolluara në vendet e Evropës Perëndimore, të cilat vizitojnë qytetet e vogla provinciale të Shqipërisë së vitit 1936 duke marrë me vete pianon, për të sjellë artin e tyre te njerëzit e varfër dhe për të ndikuar në emancipimin e grave.

Kur mbërrijnë në qytetin e vogël të Lushnjës për të dhënë koncert, ato ndeshen me paragjykime dhe me pengesa nga autoritetet vendore që paraqiten si perëndimorë, por që në thelb janë në kontrast me ta.

Kasti i filmit përfshin disa nga aktorët më të shquar shqiptarë dhe është krijuar nga artistë që lanë gjurmë në kinematografinë shqiptare të shekullit të 20-të si: Manushaqe Qinami, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Bep Shiroka, Roland Trebicka, Gjon Karma, Albert Vërria, Mirush Kabashi, Gëzim Kame, Birçe Hasko, Nikolla Llambro.

Pas restaurimit, tanimë filmi ka mundësinë të shfaqet në kinema dhe të rrugëtojë edhe në festivalet kinematografike ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë