Politike

Shahu politik! Meta e bëri lëvizjen, tani radhën e ka Rama

ramameta-gazetasi.al

Mentor Kasa – “Presidenti i Republikës nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm”. Ky ishte njoftimi i shkurtër i Presidencës që rrëzoi emrin e propozuar nga Edi Rama si pasues i Fatmir Xhafajt.

Një vendim për të refuzuar dekretimin e një kandidaturë ndoshta e mendoi edhe Presidenti Bujar Nishani, kur në tryezë pati emrin e Fatmir Xhafajt, por në fund e firmosi atë duke deklaruar se në të kundërt do të shkelte Kushtetutën.

“Nëse Kushtetuta do ia njihte Presidentit të drejtën që të refuzonte kandidaturat për ministra të kabinetit, unë pa asnjë mëdyshje do ta refuzoja dhe do ta ktheja. Por, kjo e drejtë i jepet dhe nuk i njihet Presidentit në Kushtetutë. Presidenti është një përcjellës i dekretimeve për në Parlament dhe është Parlamenti ai i cili miraton ose jo propozimin e Kryeministrit për anëtarin e qeverisë, sepse jemi një Republikë Parlamentare. Unë kam kryer vetëm detyrimin Kushtetues”, deklaronte ai.

Presidenti i ri,Ilir Meta, duke u takuar me paraardhesin e tij, Bujar Nishani, gjate ceremonise se marrjes se mandatit presidencial, ne seline e Presidences. Foto LSA

Për përgjigjen e Ilir Metës, Edi Rama ishte vënë në dijeni para se të shpërndahej për mediat dhe megjithëse u shfaq në një aktivitet publik, nuk e komentoi fare vendimin e Presidencës. Po ashtu, askush nga socialistët nuk ka reaguar, qoftë për mediat, qoftë në rrjetet sociale.

Heshtja për këtë temë është dhënë me anë të një urdhëri shpërndarë me mesazhe për vartësit e tij nga ana e Kryeministrit.

“Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’u dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni!”, shkruan Rama.

Shahu vetë është një lojë me radhë në lëvizje dhe nëse politika është shah, atëherë Ilir Meta e bëri lëvizjen e tij duke mos e dekretuar Sandër Lleshin. Tani radhën për të lëvizur e ka sërish Edi Rama. Si do të luajë ai?

Kryeministri Edi Rama

Në korridoret e shumicës përfliten disa skenarë. Skenari i parë dhe më i mundshmi është që Edi Rama të emërojë Sandër Lleshin si zëvendësministër të parë dhe më pas ta komandojë si Ministër të Brendshëm.

Kjo zgjidhje, që shmang dekretin presidencial nuk do të ishte një shpikje ekskluzive e Edi Ramës. I pari që e ka bërë këtë ka qenë Fatos Nano në 2003, atëherë jo për faj të Presidentit të Republikës, por për shkak të përplasjeve të brendshme të socialistëve dhe mungesës së shumicës në Parlament që të kalonte dekretin e Presidentit Alfred Moisiu.

E përbashkëta e të dy rasteve është emri i Ilir Metës. Në korrik të 2002-it, një vit pasi socialistët kishin siguruar mandatin e dytë, Nano erdhi sërish në krye të qeverisë edhe falë pikës së statutit të PS-së, sipas të cilit kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Kështu mori fund qeverisja e dytë shkurtër e Pandeli Majkos.

Si zgjidhje, për të sheshuar përplasjet me Ilir Metën dhe mbështetësit e tij brenda Partisë, Fatos Nano i dha postin e zëvendësKryeministrit dhe ministrit të Jashtëm. Por paqja mes dy do të zgjaste vetëm një vit. Në 2003-shit, Ilir Meta dorëhiqet dhe në këtë vendim u ndoq nga Sokol Nako, atëherë ministër i Integrimit dhe Luan Rama, që mbante postin e ministrit të Rendit Publik.

Fatos Nano, Ilir Meta (majtas) dhe Luan Rama e Pandeli Majko (djathtas) gjatë një seance parlamentare. Në foltore, kreu i PD-së në opozitë në atë kohë, Sali Berisha

Pas Marko Bellos, në përpjekje për të gjetur një emër që do të kalonte pengesat në Kuvend, Fatos Nano propozon Namik Doklen për ministër të Jashtëm, ndërsa Fatmir Xhafajn për ministër të Rendit. Përpjekja dështoi sërish dhe duhej pritur kongresi i socialistëve, ku Nano u konfirmua si kryetar që situata të normalizohej në dy ministritë më të rëndësishme të kabinetit qeveritar.

Skenari i dytë nuk përfshin emrin e Sandër Lleshit. Presidenca nuk ka dhënë asnjë njoftim që të sqarojë plotësisht rezervat e Ilir Metës për këtë kandidaturë, por thotë shkurtimisht që “Presidenti nuk u bind”. Tani, Kryeministri Edi Rama mund të propozojë një tjetër emër, me shpresën se do të bindë kreun e shtetit që ta dekretojë.

Një tjetër skenar që po qarkullon frymëzohet e ushqehet më së shumti nga përplasjet politike që ndodhën para pak ditësh në Athinë, ku u dorëhoq ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias. Kryeministri grek, Alexis Tsipras vendosi që ta drejtojë vetë këtë ministri, të paktën deri në kalimin e marrëveshjes së emrit me Maqedoninë. Të njëjtën gjë mund të aplikojë edhe Kryeministri Edi Rama. Duke vendosur që ta marrë vetë në dorë Ministrinë e Brendshme, shefi i Qeverisë shmang bllokadën e Metës.

Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama gjate nje seance parlamentare

Skenari i fundit shihet si skenari me më pak gjasa që të ndodhë. Dorëheqja e Fatmir Xhafajt u dekretua nga Presidenti i Republikës, por dekreti i Metës nuk ka kaluar ende në Kuvend. Në këtë skenar nuk përjashtohet mundësia që Parlamenti të rrëzojë dekretin e Ilir Metës që shkarkon Fatmir Xhafajn dhe ta rikthejë atë edhe njëherë në detyrë me “kohë të plotë”.

Pavarësisht se cili skenar do të ndiqet, ajo që duket (edhe pse jo fort e qartë) është një lojë më e madhe politike në aksin Kryeministri-Presidencë dhe nëse do ta thjeshtonim me termat e shahut, të cilit Kryeministri i referohet në mesazhin e dërguar deputetëve të tij, Sandër Lleshi është njëri prej “ushtarëve” që ra në lojën Rama-Meta.

Në “fushë” tani është emri i ri i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Presidenca njoftoi pak ditë më parë mbylljen e afateve të aplikimit dhe publikoi listën me 34 emra që kanë shprehur interes, ku mes tyre janë edhe deputeti i PS-së, Anastas Angjeli dhe ish-kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri.

Presidenti do të zgjedhë një emër nga lista me 34 kandidatura dhe emrin do t’ja propozojë Kuvendit për miratim. Këtu ai mund të përballet me refuzimin e mazhorancës dhe detyrimin që të propozojë një tjetër kandidaturë.

Po ashtu, prej kohësh qëndron bosh edhe pozicioni i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pas dorëheqjes së Visho Ajazi-Likës. Kryeministri Edi Rama propozoi zëvendësin e tij, Helidon Bendon, por ky propozim nuk u dekretua nga ana e Presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë