Shendet

Për herë të parë kirurgu shpëton një foshnje duke përdorur qelizat staminale

Një kirurg i zemrës ka shpëtuar jetën e një foshnjeje duke kryer për herë të parë një operacion duke përdorur qeliza burimore nga placenta.

Profesori Massimo Caputo nga Instituti i Zemrës në Bristol përdori qelizat staminale për të ‘rregulluar’ defektin në zemrën e foshnjës që quhej Finley.

Ai shpreson të zhvillojë teknologjinë në mënyrë që fëmijët e lindur me sëmundje të zemrës të mos kenë nevojë për aq shumë operacione.

Finley, tani dy vjeç, është "një djalë i vogël që po rritet i shëndetshëm”.

Ai lindi me arteriet kryesore në zemrën e tij që ishin të vendosura në mënyrë të gabuar dhe kur ishte katër ditësh bëri operacionin e parë në Spitalin e Fëmijëve në Bristol.

Fatkeqësisht, operacioni nuk e zgjidhi problemin dhe funksioni i zemrës u përkeqësua ndjeshëm, me anën e majtë të zemrës që vuante nga një mungesë e madhe e rrjedhjes së gjakut.

"Ne ishim të përgatitur që në fillim që gjasat për të mbijetuar nuk ishin të mëdha. Pas 12 orësh, Finley më në fund doli nga operacioni, por ai kishte nevojë për një bypass të zemrës dhe mushkërive për ta mbajtur gjallë, dhe funksioni i zemrës ishte përkeqësuar ndjeshëm”, tha nëna e tij Melissa, nga Corsham.

Pas javësh në kujdes intensiv, dukej sikur nuk kishte asnjë mënyrë konvencionale për të trajtuar gjendjen e Finley-t dhe ai ishte i varur nga aparaturat për të jetuar.

Derisa u provua një procedurë e re, duke përfshirë qelizat burimore nga një bankë placentë.

Profesor Caputo i injektoi qelizat direkt në zemrën e Finley-t me shpresën se do të ndihmonin në shërimin e enëve të gjakut të dëmtuara.

Të ashtuquajturat qeliza "alogjenike" u rritën nga shkencëtarët në Spitalin Royal Free në Londër dhe miliona prej tyre u injektuan në muskulin e zemrës së Finley-t.

Qelizat alogjene kanë rigjeneruar muskulin e dëmtuar të zemrës dhe kështu ai nuk kishte nevojë më për aparaturat për të bërë një jetë normale.

Duke përdorur një bio-printer, bëhet një ‘skelë’ me qeliza staminale për të riparuar anomalitë e valvulave në enët e gjakut.

Caputo shpreson se në dy vitet e ardhshme do të kryhen provat klinike dhe do të jetë një shpëtim për foshnjat që lindin me probleme në zemër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë