Presidenti Ilir Meta nuk ka marrë akoma një vendim për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, të propozuar nga kryeministri Edi Rama pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt një javë më parë.
Nuk ka ende një lëvizje, ndërsa mbrëmë kreu i shtetit la të kuptohet se edhe mund të mos ketë një dekret për Sandër Lleshin, duke marrë rastin e pak muajve më parë në Itali.
Në një intervistë për “Syri”, Meta nuk ngurroi të merrte dhe shembullin e presidentit italian, i cili pak muaj më parë vuri veton ndaj dekretimit të një prej ministrave të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet.
Kushtetuta e vendit i lë Presidentit 7 ditë kohë afat për emërimin e një ministri. Ky afat skadon mesnatën e së shtunës.
E megjithatë Ilir Meta, tha se ai “do të gjejë mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur”, duke shtuar se nuk do të ndikohet nga askush dhe nga asgjë as nga orët dhe sekondat, ndërsa nuk u shpreh se cilat ishin pengesat që e kishin detyruar të kërkonte kohë për të marrë një vendim.
“Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje”, nënvizoi zoti Meta.
“Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimi të integritetit të çdo ministri, – shpjegoi Meta në intervistën e tij. – Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do t’i ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze”.
Duke iu referuar rastit të Italisë, pak muaj më parë, kur do formohej qeveria e te e dalë pas zgjedhjeve Meta sqaroi se “presidenti ka të njëjtat kompetenca dhe mendonte që një profesor i ekonomisë që e kishin propozuar për ministër të Ekonomisë, rrezikonte me idetë e tij të cenonte objektivat e Italisë dhe prezencën e saj në Euro, duke u shprehur që nuk e firmos. Tha të bëhet ministër te zyra për Europën dhe u bë. Askush nuk mund ta detyrojë presidentin të firmosë apo të konfirmojë një emër për një detyrë të tillë kushtetues, të cilën atij ia jep Kushtetuta, jashtë bindjes së tij”.
Meta është shprehur se pozicioni i ministrit të Brendshëm nuk është teknik, por politik. Sipas Metës është shumë i rëndësishëm ky pozicion dhe ai do të marrë kohën e duhur.
“Padashur të hyj në diskutim dhe debate me ju, mund t’u them se çdo president ka për detyrë që me veprimet e tij apo mosveprimet e tij të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri. Në këto momente Shqipëria është në luftë me krimin e organizuar, dhe kjo po e mban Shqipërinë larg BE-së”, tha Meta një natë më parë.
Kreu i shtetit shkoi edhe me tej. “Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit apo vlerësimit të tyre, duhet të jetë të qetë se unë nuk ndikohem nga asgjë, përveç detyrës që i takon presidentit për të qenë një institucion i përgjegjshëm. Kjo nuk ka asnjë arsye që të ndikojë, por ajo që dua të theksoj është se pavarësisht nga background i secilit kandidat, është tepër e rëndësishme të kuptojmë se lufta kundër drogës dhe krimit nuk është luftë teknike, por politike. Po të ishte teknike, Habiljat do t’i kishte arrestuar Zagani dhe nuk do ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i policisë dhe ta detyronin të shkonte në azil në Zvicër dhe më pas të arrestoheshin në polici. Pra, kjo kërkon një vullnet të fortë politik, sepse është përgjegjësi e parlamentit, kryeministrit, presidentit për të çrrënjosur krimin e organizuar”, theksoi presidenti.
Por çfarë ndodh në të tilla situata dhe sa afat ka Presidenti Meta t’i përgjigjet këtij propozimi të kryeministrit?
Sipas burimeve nga Presidenca, Meta duhet t’i japë një përgjigje me dekretim apo mosdekretim propozimit të Ramës dhe ky afat përfundon sonte në mesnatë. Në të kundërt kandidatura e Lleshit për Ministër te Brendshëm quhet e rrëzuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.