Biznes

Qeveria pranon se të gjitha aksidentet që kanë ndodhur në punë ishin të parandalueshme

Nga Gazeta 'SI' - Në strategjinë e re për punësimin dhe aftësimin e të rinjve, qeveria tregon se ka konstatuar se të gjitha aksidentet janë shkaktuar nga faktorë të parandalueshëm, të cilët mund të eliminoheshin duke zbatuar masat tashmë të njohura dhe të disponueshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Në dokumentin e strategjisë 2023-2030 nga Ministria e Financave, thuhet se subjektet që ofojnë punë në vend duhet të fokusohen në garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes për punonjësit. Në dokument nënvizohet se 23% e subjekteve ose nuk marrin fare masa, ose nuk marrin mjaftueshëm masa dhe 84% kanë nevojë për përmirësim të ndjeshëm.

“Për më tepër, monitorimet nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) kanë konfirmuar shumë dobësi në plotësimin e kushteve të punës nga subjektet në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në punë”, -shkruhet në dokument.

Në të njëjtin dokument që është tashmë i publikuar për konsultim, thuhet se sfida kryesore për tregun e punës në Shqipëri, është pikërisht, aftësimi i saj, sidomos për shkak të mungesës së arsimit. Ky problem ka penguar krijimin e vendeve të reja të punës apo me cilësi më të mirë.

41.6% e forcave të punës dhe 48.3% e popullsisë në moshë pune në Shqipëri është me arsim bazë (8-/9-vjeçar) ose më të ulët. Disa nga treguesit kryesorë të mospërputhjen së mundshme të aftësive mund të konsiderohen shkalla e lartë e papunësisë tek të rinjtë dhe shkalla e lartë e papunësisë së të diplomuarve nga arsimi i lartë. Shkalla e lartë e të rinjve që nuk janë as në punësim, as në arsim apo trajnim (NEET) është një tjetër tregues që nxjerr në pah mospërputhjen e aftësive. Përqindja e bizneseve, që përballen me vështirësi në rekrutim mund të konsiderohet gjithashtu si tregues për mospërputhjen apo mungesën e aftësive.

Një sfidë tjetër, që liston qeveria, është ajo e kanaleve të informimit apo punësimit. Kanalet joformale (kontaktet personale, rekomandimet nga të tjerët) janë deri tani kanali më i rëndësishëm dhe më i përdorur për rekrutimin e punonjësve. Kompanitë dinamike, kompanitë e mëdha dhe ato me pronësi të huaj janë më të prirura të shfrytëzojnë kanalet joformale për rekrutimin e stafit.

“Dominimi i kanaleve joformale (rreth 60%) dhe ofrimi i vendeve të punës për ata, që tashmë janë të punësuar në biznese të tjera (rreth 10%), janë indikatorë të vështirësive që kanë punëdhënësit në identifikimin e punonjësve me aftësitë e duhura, si dhe në identifikimin e punonjësve nëpërmjet kanaleve formale dhe shërbimeve profesionale”, -thuhet në draftin e strategjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë