Financa Personale

Ankandet e bonove, si mund të investojnë qytetarët

Nga Gazeta 'SI' - Qytetarët e interesuar për të investuar në bono thesari mund të marrin pjesë në ankandet që do të organizohen çdo muaj, sipas maturimit, (bonot 3 dhe 6-mujore, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove 12-mujore organizohen çdo dy javë) të njoftuara nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Vlera minimale për të investuar është 100.000 lekë dhe maksimale 300.000 lekë.

Hapat që duhet të ndiqen

Fillimisht, individët e interesuar duhet të kenë urdhëruar bllokimin e fondeve në emër të tij për pjesëmarrje në ankand pranë një banke tregtare. Të hapë llogarinë e titullit në një sportel të Bankës së Shqipërisë, duke vënë në dispozicion numrin IBAN të llogarisë që zotëron në bankën e nivelit të dytë. Për hapjen e llogarisë së titullit, individi nënshkruan kontratën përkatëse me BSH dhe në rast se e ka bërë edhe më herët, mjafton konfirmimi apo risjellja e numrit IBAN.

Në ditën e emetimit të bonos së thesarit ose në çdo kohë pas saj, individi ka të drejtë të tërheqë pranë sporteleve të BSH-së,  “Vërtetimin mbi shpalljen fitues”. Ndërsa, transaksionet në cash (si më poshtë) do të shlyhen automatikisht në ditën e emetimit të bonos së thesarit, në llogarinë rrjedhëse që individi ka paraqitur: diferenca midis çmimit të blerjes dhe vlerës nominale (të llogaritur sipas formulës. Kur shuma e kërkuar për investim nuk është pranuar e plotë (rastet kur aplikohet prorata), mbetja do të kalojë automatikisht në llogarinë rrjedhëse të individit.

Në ditën e maturimit të bonos së thesarit, vlera nominale e saj, pas mbajtjes së tatimit, kalon në llogarinë rrjedhëse të dhënë nga individi. Ky veprim nuk ndodh në rastet kur individi përputh në të njëjtën ditë, pjesëmarrjen në një ankand për emetimin e bonove të thesarit me maturimin e bonos së thesarit që zotëron. Kërkesat për pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet Bankës së Shqipërisë bëhen deri në dy ditë para datës së organizimit të ankandit.

Formula e përllogaritjes së çmimit

Formula e përllogaritjes së çmimit të blerjes bëhet sipas formulës së vlerës nominale, yield-it dhe ditëve deri në maturim. Çb= Vn/1+y/365xD  Çb-çmimi i blerjes; Vn – vlera nominale; y – yield (norma e interesit) i shprehur në bazë vjetore; D – ditët deri në maturim.

Llojet e ankandeve

Ankandet e bonove bëhen me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese.

Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i), mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit. Kërkesat konkurruese renditen nga yield-i më i ulët i kërkuar deri tek yield-i më i lartë, deri sa të plotësohet shuma e shpallur nga qeveria për emetimin e bonove. Pra, në rast se kërkesa e pjesëmarrësve për blerjen e bonove është më e lartë se shuma e emetuar nga qeveria, kërkesat konkurruese me yield-in më të lartë, nuk do të pranohen dhe për rrjedhojë investitorët nuk do të mund të blejnë bono thesari në atë ankand.

Pjesëmarrja me kërkesë jokonkurruese nënkupton pranimin e yield-it mesatar të ponderuar, i cili do të llogaritet si mesatare e ponderuar e yield-eve të kërkesave konkurruese të shpallura fituese.

Shuma e shpallur për emetimin e bonove të thesarit nga qeveria, pas plotësimit të pjesëmarrjes së Bankës së Shqipërisë, ndahet në mënyrë të barabartë, ku jo më shumë së 50% emetohet për kërkesat jokonkurruese dhe pjesa e mbetur për kërkesat konkurruese.  Kjo nënkupton që në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese është më e lartë se hapësira në dispozicion e shpjeguar më sipër, atëherë aplikohet prorata, për të llogaritur pjesën e fondeve që do të pranohen për investim në bono thesari.

Prorata është raporti i hapësirës në dispozicion për kërkesat jokonkurruese kundrejt shumës totale të kërkesave jokonkurruese, e shprehur në përqindje.

Shembull: Shuma në dispozicion për kërkesat jokonkurruese është 3 miliardë lekë. Shuma e kërkuar nga individët me kërkesa jokonkurruese është 4.5 miliardë lekë. Në këtë rast, prorata është 66%. Pra, individi do të investojë 66% të shumës së kërkuar, ndërsa pjesa tjetër do t’i rikthehet. Çdo kërkesë me një shumë më të madhe se 30 milionë lekë konsiderohet automatikisht si kërkesë konkurruese.

Rezultatet për ankandin e bonove të thesarit shpallen në të njëjtën ditë të organizimit të tij dhe publikohen në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë Për fituesit në ankand jepet dokumenti “Vërtetim për shpalljen fitues”, i cili përmban informacion për rezultatin e investimit në bonon e thesarit.

Individët mund të marrin pjesë edhe në ankandet për blerjen e bonove të thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga AMF-ja për tregtimin e titujve, si dhe nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër. Nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë, individët mund të marrin pjesë vetëm në ankandet për bonot e thesarit të emetuara në monedhën vendase, lek.

Çfarë janë bonot?

Bonot e thesarit janë një instrument i tregtueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohen dhe garantohen nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ato emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe në valutë, dhe kanë afate maturimi fillestare 3, 6 dhe 12-mujore. Bonot e thesarit emetohen nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrimi bëhet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit, që quhet yield i bonove të thesarit. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme pasi mund të shiten/blihen deri në 1 ditë para afatit të maturimit.  Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara  nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ku bëjnë pjesë edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi të ardhurat (kthimi nga investimi) e përfituara nga investimi. Tatimi është 15%.

Data e investimit është data kur është blerë bonoja e thesarit në tregun primar (data e emetimit) ose në tregun sekondar. Data e kthimit të investimit është data kur bonoja e thesarit maturohet ose kur ajo shitet në tregun sekondar. Si rregull, ankandet zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i bonos bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në një konferencë para pak ditësh, u propozuan qytetarëve shqiptarë të investojnë në bonot e thesarit dhe obligacionet, pasi risku është zero dhe rritja e normave të interesit është avantazh për të gjithë ata që duan të investojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë