Treg

BSH: Yield-et e titujve u rritën nga norma bazë dhe kërkesa e bankave

Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-et e rritura të letrave me vlerë gjatë pjesës së dytë të vitit,  janë rritur si reflektim i rritjes së normës bazë, por edhe nga bankat që kërkojnë yield-e të larta.

Raporti i Politikës Monetare i publikuar nga BSH, thekson se kanë ndikuar edhe pritshmëritë që tregu ka për të ardhmen e politikës monetare, por ato janë rritur më shumë se norma.

“Nëse pret që do të ketë rritje inflacioni, ti sillesh sikur inflacioni do të rritet dhe inflacioni rritet”, -tha drejtori i departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli.

“Këto zhvillime janë reflektuar edhe tek oferta në ankande, e cila ka treguar shenja kujdesi dhe një preferencë për afate të shkurtra maturimi. Prej fillimit të normalizimit të politikës monetare, diferencat e yield-it të letrave me vlerë të qeverisë ndaj normës bazë kanë ardhur duke u zgjeruar”, -thuhet në raport.

Bonoja 12-mujore, e përdorur si standard për çmimet e titujve afatgjatë, ka rezultuar me një yield 5.26% në ankandin e fundit në muajin tetor, nga 2.84% që shënonte në muajin korrik.

Rritje të ngjashme kanë shënuar edhe yield-et e obligacioneve. Nivelet e tyre aktuale gjenden mesatarisht 1.6 p.p. mbi ato të muajit korrik, si dhe 2.9 p.p. mbi nivelet e Fillimit të vitit. Rritja është shtrirë në mënyrë  uniforme tek të gjitha maturitetet. Në këtë mënyrë, kurba e yield-eve është  zhvendosur në një nivel më të lartë, por pa pësuar ndryshime të qenësishme në pjerrësinë e saj, pra rritje graduale.

Në ankandin e fundit të obligacioneve 5-vjeçare, yield-i mesatar i ponderuar rezultoi 7.69% , rritur me 4.37 pikë nga ankandi i fundit.

I njëjti raport tregon se pavarësisht se norma baze e interesit është rritur, nivelet e interesit të kredisë janë ende stimuluese për rritjen e kreditimit, ndonëse bankat kanë shtrënguar kushtet për shkak të pasigurive. Kjo masë ka preku 75% të kredive të lëvruara, duke ndryshuar masën e këstit të tyre të shlyerjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë