Sabina Veizaj – Të gjithë ata që ngarkojnë valixhet dhe lënë vendin e tyre, apriori, mendohet se e kanë asin e fundit nën mëngë për të bërë një jetë, kur në vendin e tyre nuk e kanë më një të tillë.
Por të shohësh që në mezipritje të largimit të tyre është kasta e mjekëve, ky është një grusht i fort në stomak të shtetit që duhet zgjuar.
Ne kemi arritur në 1,1 mjekë për 1000 banorë, kur mesatarja Europiane është 3,5-4. Po ta vëresh situatën sëbashku me numrin e shtretërve; 2,2 për 1000 banorë, gjysma e mesatares europiane, me numrin e specialiteteve që i kemi disa herë më të ulët se sa është mesatarja e vendeve të zhvilluara, sëbashku me financimin 15 herë më e ulët se mesatarja europiane, ne klasifikohemi në vendet e fundit në Europë për kujdesin ndaj pacientit.
Konkretisht, financimet e buxhetit të shtetit për shëndetësinë në 2019-ën nuk kanë ndryshuar me një vit më parë dhe janë sa 2,9% e PBB-së.
Përballë kësaj tabloje, ish Ministri i Shëndetësisë, mjeku Tritan Shehu thotë se sistemi shëndetësor është në kolaps dhe mjekët janë specie në zhdukje.
Ai e thotë këtë edhe duke komentuar gjetjet e studimit të shoqatës “Together for Life” e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation në lidhje me shkaqet e largimit të mjekëve nga Shqipëria.
Studimi thotë se, largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).
Prirja më e madhe e largimit të mjekëve vihet re nga gjinia femërore (84%), krahasuar me gjininë mashkullore (74%).
Situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi (54%), ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake (megjithëse kampioni në këto spitale është më i vogël).
40% e mjekëve me gradë shkencore e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.
Shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.
Pasiguria në punë është një faktor njësoj i rëndësishëm si për gjininë mashkullore, ashtu edhe për atë femërore, me 32% të mjekëve që flasin për pasiguri në vendin e tyre të punës.
71% e mjekëve shprehen se ata kritikohen më shumë seç duhet në Shqipëri. Ky mendim është i njëjtë si për gjininë femërore, ashtu edhe për atë mashkullore.
50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt. Kjo përbën 56% të gjinisë femërore dhe 40% të gjinisë mashkullore, duke treguar edhe një herë se mjeket janë më të prirura për t’u larguar nga vendi krahasuar me mjekët.
Duke pohuar se numri i mjekëve vazhdon të bjerë, Tritan Shehu thotë se nuk shëh ndonjë perspektivë të shpejtë për ta bllokuar sepse nuk ka masa të atilla që numri i mjekve të rritet.
“Po të shohim, më shumë dalin mjekë në pension se të diplomuar. Ky është një problem i madh. Kjo kërkon ngritjen e një fakulteti të dytë publik të Mjekësisë në Shqipëri. Vendi më i përshtatshëm për mua do të ishte Durrësi për vetë kapacitetet shëndetësore që ka.”- thotë Shehu.
Sipas tij, kjo nuk ndodh vetëm sepse pagesat e mjekëve janë të ulta, por sepse mjekët si një shtresë intelektuale me kërkesa profesionale, me kërkesa shkencore, me kërkesa klinike nuk gjejnë terren për të ushtruar me komoditet profesionin e tyre.
“Mjekët kanë nevojë për mjedis të përshtatshëm pune, kanë nevojë për nivel teknik për të punuar, për kushte teknologjike për të punuar, për kualifikime të vazhdueshme, gjë që shteti ynë nuk e siguron siç sigurohet në të gjithë botën. Kanë nevojë për të marrë pjesë në aktivitete shkencore, kongrese, trajnime, që as këtë nuk e siguron asnjë nga institucionet publike në Shqipëri. Kanë nevojë për të patur veprimtari shkencore, pra janë këto gjëra që e bëjnë një mjek të ndjehet mirë atje ku jeton dhe punon”, sqaron ish ministri i shëndetësisë.
Për Shehun, sistemi shëndetësor shqiptar po merr çdo ditë e më shumë karakteristikat e sistemit shëndetësor të Afrikës Qendrore; ku është i koncentruar vetëm në disa qendra, ku ka boshllëk të madh, ku ka varfëri të thellë në sistemin shëndetësor dhe ku shërbimet kryesore mund të kryen vetëm në spitale private me pagesë nga xhepi i të sëmurit.
Ai e shikon zgjidhjen në një reformë të thellë të sistemit ku duhen realizuar disa kolona, dhe para në radhë për të është zgjidhja e financimit të sistemit shëndetësor.
“Prej dy vitesh nuk po përmendet gënjeshtra shëndetësi falas, por kjo nuk mjafton. Shqiptarëve duhet tu themi qartë se shëndetësia kushton dhe kushton shumë, për të patur një shëndetësi të denjë të nivelit evropian. Duhen thënë qartë se cilat janë rrugët e financimit të sistemit shëndetësor shqiptar. Mendoj që kolona e parë që duhet forcuar është kolona e sigurimeve direkte. Pra sigurimeve shëndetësore. Jo vetëm që i japin mundësi pacientit të mjekohet, por zhvillojnë edhe sistemin. Duhen shtuar financimet nga buxheti shtetit. 3,5-4% e PBB-së. Duhet të dalim nga varfëria e thellë e sistemit shëndetësor. Duhet kuptuar qarëtsisht që spitali duhet trajtuar si një ndërmarrje. Duhet ecur në rrugën drejt decentralizimit. Pacienti është i lirë të zgjedhë mjekun, klinikën, apo spitalin u duhet të mjekohet. Pacienti duke qenë i lirë, duke patur në kurriz një çantë që janë paratë që merr nga sistemi i sigurimeve, bëhet motorri i zhvillimit i bazuar në konkurrencën. Pacienti është në qendër të sistemit. Spitali paguhet në bazë të pacientit.”- sugjeron Shehu duke shtuar se duhet hequr dorë nga koncepti i mjekut të familjes dhe sistemi parësor në tërësi.
Sipas tij, duhet bazuar në profesionistin e lirë. Gjithashtu, duhet shtuar lista e barnave të rimbursueshme kur aktualisht rimbursohen jo më shumë se 430 barna. “Por edhe këtu zgjedhja e parë nuk janë medikamente që vijnë nga kompani serioze, që janë të certifikuara. Duhet rritur në 2000 numri i medikamenteve të rimbursuara, % e rimbursimit, medikamentet nuk janë domate, jo vetëm dëmton pacientin, por rrit edhe koston e mjekimit. Ndryshimet duhen bërë edhe në sistemin stomatologjik duke futur elementët socialë. Transformim të ngushtë e të thellë në personelin shëndetësor. Dhe duke qenë transparente me publik.”-sqaron ish ministri.
Ai parashikon se nëse vazhdohet me këtë situatë, sistemi ka falimentuar.
Në fakt i njëjti fenomen ka kohë që vërehet edhe në Poloni. Numri i lartë i mjekëve që kanë lënë Poloninë dhe planifikojnë për tu larguar prej saj, argumentohet nga mjekët si rezultat i mungesës së performimit të sistemit shëndetësor.
Në një raport të OECD-së (Health and Glance) rezulton se janë 2.3 doktorë dhe 5.2 infermmierë për ccdo1,000 Polakë, ndërsa mesatarja e OECD është 3.3 doktorë dhe 9.1 infermierë.Gjithashtu problematike shfaqet edhe financimi i sistemit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.