Presidenti i Republikës, Ilir Meta e nisi konsultimet duke thirrur krerët grupeve parlamentare për të zhvilluar konsulta të veçanta mbi datën e re të zgjedhjeve lokale. Në një kohë kur klima politike shqiptare është e tensionuar, ku PD-ja po bojkoton Parlamentin prej disa javësh, presidenti Meta ka ndërmarrë nismën për të kryer procesin e konsultave përpara shpalljes së datës se zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Opozita nuk e ka shpallur akoma qëndrimin nëse do të marrë pjesë në zgjedhje ose jo, por kryedemokrati Lulzim Basha ka lënë të kuptohet se PD-ja do të hyjë në këtë proces.
Pavarësisht këtij qëndrimi jo përfundimtar, opozita pranoi që të përfshihet në këto konsultime të iniciuara nga ana e Presidentit Meta.
Taulant Balla nga PS-ja ishte i pari përfaaqësues politik që zhvilloi konsultat me Presidentin në lidhje me datën e zgjedhjeve të reja lokale.
Takimi i Ballës në Presidencë zgjati jo më shkumë se 10 minuta. Pas daljes nga selia e PS-së, kreu i grupit parlamentar të PS-së u shpreh se socialistët nuk kishin propozuar ndonjë datë, pasi ato janë të parashikuara në Kodin Zgjedhor e mbi të gjitha kjo është kompetencë e Presidentit.
“Duke faleenderuar presidentin e Republikës, për vijimësinë e një tradite shumëvjeçare për dekretimin e datës së zgjedhjeve, zhvilluam një bisedë me presidentin Meta. Kodi Zgjedhor është i qartë, për përcaktimin që në sezonin zgjedhor prill maj-qershor, është cituar, 2 të dielat e fundit të qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Dua ta them që ka pasur në fakt nga operatorët turistikë një kërkesë të kahershme për një datë më herët se sa fundi i qershorit, por kjo është një çështje që i takon dakordësisë mes të gjithëve. Megjithatë, Presidenti i Republikës do të bëjë këtë proces konsultash dhe shumë shpejt do të kemi një datë”, tha Balla, duke shtuar se nuk kanë biseduar me opozitën për këtë çështje.
Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje 23 ose 30 qershori janë dy datat e mundshme ku mund të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho nuk ka dhënë ndonjë reagim në lidhje me konsultat e zhvilluara me Metën, pas daljes nga Presidenca.
Më pas konsultat janë zhvilluar me nënkryetarin e LSI-së, Luan Ramën. Ai ka pas takimit deklaroi se nuk është problemi data e zgjedhjeve, por çështja e standardeve të tyre.
“Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim unë ndava me Presidentin e Republikës shqetësimin që nuk është vetëm i LSI-së dhe nuk është vetëm i opozitës, por i të gjithë shoqërisë shqiptare që problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data. Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri është standardi i tyre, cilësia e tyre dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, është pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca, ndikimi, lobimi dhe trafikimi e blerja prej grupeve kriminale. Problemi më i madh që ka shoqëria shqiptare që prej pluralizmit demokratik në fakt ka qenë kriminalizimi i zgjedhjeve, dhe prej këtej pastaj burojnë të gjitha të këqijat e tjera siç është praktikisht edhe situata në gjendje kolapsi e funksionimit të institucioneve të shtetit. Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale dhe lobimi kriminal, natyrisht nuk mund të bëjë tjetër veçse do t’u kthejë reston grupeve kriminale. Ky është shqetësimi i madh, ky është problemi i madh dhe për sa kohë nuk ka vëmendjen, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar, ajo e para veten dhe pastaj edhe zgjedhjet nga krimi, gjithçka tjetër pastaj është formale”, theksoi Rama.
Për opozitën vendi nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por që të ketë një garë reale.
“Unë jam këtu dhe flas për qëndrimin e LSI-së dhe për atë se çfarë unë i kam thënë Presidentit të Republikës, dhe nuk mund të bëhem zëdhënës i Presidentit. Më lejoni ta shpjegoj që ta kuptoni që ky vend i mbytur nga informaliteti dhe kriminaliteti, nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por ka nevojë për zgjedhje reale dhe për zgjedhje që të garantojnë përfundimisht shprehje të vullnetit qytetar dhe jo shprehje të vullnetit të grupeve kriminale. Më qartë se kaq dhe më shqip se ka , nuk ka se ç’të them tjetër pasi ju po e shihni vetë, publiku po e sheh vetë se çfarë ndodh me qeverisjen dhe çfarë ndodh kur qeverisja është e detyruar t`i kthejë reston krimit”, tha Luan Rama.
Kështu opozita më këtë qëndrim duket se po kërkon garanci në lidhje me procesin zgjedhor, edhe për më tepër kjo deklaratë shihet si një sinjal që në të ardhmen ajo mund të japë kushte të tjera ndaj mazhorncës për pjesëmarrjen në zgjedhjt e ardhshme.
Dekriminalizimi i zgjedhjeve është edhe kërkesa e PD-së. Një ditë më parë kryedemokrati Lulzim Basha bëri të ditur se opozita nuk do të propozojë emra për anëtarë të KQZ-së, duke e akuzuar PS-në se po uzurpon këtë institucion me votimin që do të kryejë në seancë parlamentare për dy anëtarët e rinj.
“Vetë aprovimi i dy kandidaturave nga Partia Socialiste përbën një shkelje të ligjit. Partia Socialiste nuk ka të drejtë, në kuadrin aktual ligjor të propozojë dy kandidatura, por ka uzurpuar një kandidaturë të opozitës, që është një shenjë e asaj që kemi thënë, degradimit total të pushtetit. Pra është kapje e paligjshme e KQZ-së dhe natyrisht që opozita nuk mund dhe nuk do të bëhet pjesë e kësaj. Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me rëndësinë që ka për procesin zgjedhor, është vetëm një pjesë e problematikës që ka shkaktuar një qeverisje e dalë nga krimi, me mandate të falura nga krimi”, deklaroi Basha në konferencën e djeshme për shtyp.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho në lidhje me konsultimet e zhvilluara u shpreh për NEWS 24 se data e zgjedhjeve është prerogativë e presidentit, por për opozitën janë të rëndësishme standardet dhe shkëputja e krimit nga zgjedhjet.
“Shqetësimi më i madh për Partinë Demokratike është standardi i zgjedhjeve. As mos të keni dyshim se PD do të hyjë në zgjedhje. Në Shqipëri në 6 vitet e fundit është votuar, por nuk ka pasur zgjedhje normale. Ne do të punojmë fort që Shqipërisë t’i garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, rezultatin e zgjedhjeve e përcakton krimi. Hoqëm Saimir Tahirin të parin, i cili jepte 20 milionë euro në Tiranë. Misioni i opozitës është shkërmoqja e qeverisjes së Edi Ramës. Partia Demokratike ka ngritur shtabe elektorale në bashkitë e vendit. Edi Rama është ideatori dhe zbatuesi i manipulimit të zgjedhjeve. Pse ju mendoni se kjo qeveri jep garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por Partia Demokratike nuk do të lejojë që të kemi më zgjedhje farsë. Zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore të mbahen bashkë, është një opsion. Përpara se të arrijmë në zgjedhje vendore apo të përgjithshme së bashku, së pari duhet të garantojmë zgjedhje të lira. Mazhoranca ka uzurpuar kompetencat e të tjerëve. Kjo klikë duhet të çmontohet, dhe më pas do të hyhet në zgjedhje normale dhe të ndershme”, tha Spaho.
Presidenti Meta ndërkohë ka kërkuar të fitojë kohë në lidhje me shpalljen e datës së zgjedhjeve. Kreu i shtetit me këto konsulta u njoh edhe më qëndrimin e opozitës sa i përket procesit zgjedhor, nëse e djathta do të marrë pjesë ose jo në këtë beteje elektorale.
Ndërsa ende nuk ka ndonjë informacion nëse këto do të jenë konsultat e fundit, apo presidenti mund të thërrasë në ditën e ardhshme me partitë politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.