Filma

“Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”: Një pretendent i denjë për Oscar

Përgatituni të bini në dashuri me "djemtë e këqij". Jemi mësuar në histori se si gjermanët ishin gjithmonë të këqijtë gjatë Luftës së Parë Botërore. Ky film do t'ju tregojë përmes djersës, gjakut, lotëve dhe vdekjes sesi vdiqën të pafajshmit në mënyrë që të pasurit të kishin lavdinë e tyre.

Ky film nuk do t'ju lërë me një ndjenjë të lumtur. Do t'ju lërë bosh dhe do të ndiheni të tradhtuar. Filmi do të heqë deri në kockë moralin duke treguar jo vetëm një kanavacë bardh e zi, por plot ngjyra, hipokrizi dhe në fund të fundit natyrën njerëzore në të mirën dhe më të keqen e saj. Kështu, duke na lënë një paralajmërim dhe njohuri për luftën e përgjakshme në Ukrainë, se vdekjet nuk janë gjëra për t'u gëzuar, qoftë nga pala ukrainase apo nga ato ruse.

Bazuar në romanin e vitit 1928 të Erich Maria Remarque, "Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit", filmi nuk lavdëron bluarjen e mishit të luftës së llogoreve, siç bën në mënyrë madhështore Sam Mendes në "1917". "All quiet in the Western Front" (titulli në anglisht)është një histori pa heronj, por protagonistë. Cili është ndryshimi pyesni? Mund t'jua shpjegoja, por do të më duhej të zbuloja disa pjesë të filmit, që do të ishte një krim në vetvete. Sepse është një film që duhet ta përjetoni, dhe jo ta lexoni nga një ekran i ftohtë. Është një histori ngritjesh dhe uljesh. Aty ku mbizotërojnë uljet, por ngritjet ndjehen disi më madhështore dhe të bashkangjitura me shpërthim lumturie.
Ne ndjekim kryesisht Paul Bäumer, i luajtur në mënyrë të shkëlqyer nga Felix Kammerer. I cili për shkak të ndjenjës së detyrës, nacionalizmit dhe propagandës, futet në ushtri, edhe pa lejen e babait të tij për të luftuar për atdheun, me miqtë e tij. Ne qëllimisht nuk dimë asgjë për ta, për familjen e tyre, interesat e tyre apo jetën e tyre. Kjo do të na ndihmojë, t'i shohim ata njësoj si çdo person tjetër që i është bashkuar ushtrisë për luftë. Duke na bërë të mendojmë, që janë njerëz normalë, se mund të ishte kushdo në vendin e tyre, edhe ne. Ata janë portretizuar si një grup naiv miqsh, të cilët janë të emocionuar që të bëjnë gjënë e duhur për lavdinë, familjet dhe vendin e tyre, por për shkak të prezantimit të filmit ku njihemi me brutalitetin e luftës, ne kemi një ndjenjë se lumturia e tyre do të bëhet hi në gojën e tyre. Sapo regjistrohet, uniforma e tij, edhe pse e pastruar dhe e riparuar, ka ende emrin e pronarit të mëparshëm. Pastaj oficeri i tij heq emrin dhe e hedh në tokë, pranë grumbullit të ushtarëve të tjerë pa emër që vdiqën. Duke na kujtuar sërish ciklin e masakrës dhe vdekjes që po ndodh. Makina e luftës ka ende nevojë për gjak.

Emri i ushtarit që kishte uniformën përpara Paul

Paul dhe shokët e tij hidhen në luftë dhe entuziazmi i tyre asgjësohet plotësisht, nga masakra dhe vdekja. Regjisori Eduard Berger, bën një punë fantastike, duke treguar mosmëshirën që ishte lufta e llogoreve. Ai bën një punë kaq të mirë, për të treguar brutalitetin e luftës, saqë kur ndjekim negociatat e paqes, ne futemi në një ankth të nxitur nga dëshira për paqe. Sa më shumë të kthehemi në frontin perëndimor, aq më shumë duam paqen me çdo kusht.

"All quiet in the Western Front" është një film me mësime të panumërta nga e kaluara. Nga hakmarrja, nga miqësia, nga rreziqet e mendjemadhësisë dhe shumë më tepër. Mësimet e tij janë të dhimbshme, por janë të tilla sepse janë të rëndësishme. Një kryevepër kinematografike, që vjen me një slitë emocionesh. Të cilën ju këshilloj të mos e shikoni vetëm pasi mund të keni nevojë për një përqafim gjatë rrugës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë