Ekonomi

BB: Kriza energjitike presion shtesë mbi Shqipërinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore parashikon rritje të mëtejshme të inflacionit në Shqipëri për shkak të luftës dhe krizës energjitike, shoqëruar me probleme në zinxhirët e furnizimit dhe luhatje në tregjet financiare që mund të pengojnë parashikimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Për vitin 2023, BB parashikon rritje ekonomike 2.3% për Shqipërinë dhe 2.7% për 2024-n, duke mbetur përsëri poshtë niveleve të para tërmetit.

“Ndërkohë që qeveria po planifikon të vijojë me konsolidimin fiskal, kostot më të rritura në ofrimin e shërbimeve publike mund të krijojnë presione shtesë në rritjen ekonomike, pasi për të garantuar furnizimin me energji nga importet mund të nevojiten më shumë shpenzime”, – thuhet në raportin e Bankës për Ballkanin Perëndimor, prezantuar sot në Tiranë.

Mbështetja për sektorin energjetik në Shqipëri ka kapur shifrën e 7.9 mld lekë deri tani.

Sipas raportit janë pasojat e luftës që po vënë nën presion qytetarët më të varfër në çmimet e ushqimeve dhe energjisë. Bashkimi i këtyre problemeve do të krijojnë një treg pune të dobët dhe ulje të fuqisë blerëse.

Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore tha për Shqipërinë se do të ketë rritje ekonomike në nivele të ngjashme të rritjes me ato para pandemisë, por kjo varet nga reformat strukturore të saj, konsolidimit fiskal dhe ekonomia botërore.

Zgjerimi i pritshëm ekonomik parashikohet të ndodhë nga rritja në investime, konsum dhe eksporte. Programi i rindërtimit pritet të ketë po ashtu një ndikim pozitiv. Pas një rritje të nivelit të punësimit, BB pret një ngadalësim të tregut të punës deri në fund të 2022-shit dhe për 2023-shin. Kërkesa e huaj ka të ngjarë të ngadalësohet duke ndikuar në kontributet e eksporteve neto.

Në afat të mesëm konsumi privat parashikohet të kthehet si një shtytës kryesor i rritjes ekonomike. Investimet private mund të ofrojnë më tej mbështetje për rritjen nëse reformat e klimës së biznesit zbatohen.

Varfëria në vend pritet të bie me 2 pikë përqindje deri në mbyllje të vitit edhe pse ekziston rreziku i uljes së rritës reale të të ardhurave, sidomos tek të varfërit.

Në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë edhe në ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor po ndikohen nga tensionet globale.

I gjendur përballë goditjeve aktuale, BB sugjeron që Ballkani Perëndimor t’i japë përparësi politikave mbështetëse për shtresat e cënueshme, duke siguruar që masat të jenë të fokusuara dhe të kufizuara në kohë me qëllim minimizimin e rreziqeve fiskale. Rajoni duhet t’i japë gjithashtu përparësi dhe reformave që nxisin rritjen ekonomike në periudhë afatmesme, dhe me kosto të kufizuar fiskale.

Sipas raportit, reforma të tilla do të përfshinin masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave të hyrjes në treg për biznesin, nxitjen e mbajtjes së investitorëve të huaj ekzistues dhe riinvestimeve të tyre, zvogëlimin e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në forcën e punës, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e standardeve të qeverisjes, përfshirë digjitalizimin.

“Kriza aktuale thekson gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon për kalimin nga përdorimi i hidrokarbureve të paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe drejt modeleve më të gjelbërta të prodhimit dhe konsumit”, – thuhet në raportin e vjeshtës për Ballkanin Perëndimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë