Treg

‘Një histori horror’: Çmimet e banesave po bien në të gjithë botën. Po në Shqipëri pse po kapin qiellin?!

Nuk do të hedhë në erë sistemin financiar, por do të jetë e frikshme

Gjatë dekadës së shkuar, posedimi i një shtëpie do të thoshte “para e lehtë”. Çmimet u rritën mjaftueshëm gjatë viteve dhe ranë drastikisht gjatë pandemisë. Por nëse sot pasuria jote lidhet me tulla e llaç, është koha të bëhesh nervoz. Çmimet e shtëpive po bien në nëntë ekonomi të pasura. Rënia në Amerikë është ende e vogël, por tregjet më të egra janë dramatike.

Në Kanada, shtëpitë po shiten 9% më pak se në shkurt. Me zhvillimet në inflacion dhe recesion, edhe agjentët imobiliarë janë frikësuar. Edhe pse kjo nuk do të shpërthejë bankat globale si në 2007-09, ajo do të intensifikojë rënien, do të lërë një grup njerëzish me financa të rrënuara dhe do të nisë një stuhi politike.

Shkaku i rënies është rritja e interesave: në SHBA blerësit potenciale janë të tmerruar duke parë se interesi i një kredie 30 vjeçare ka shkuar 6.92%, sa dyfishi i një viti më parë dhe më i larti që nga viti 2002. Miniflluska e pandemisë u krijua nga rënia e normës së interesave, parave që u shpërndanë dhe “gjuetisë” për banesa në periferi. Tani këto po ecin mbrapsht.  

Një vit më parë, dikush që ishte i aftë për të paguar një këst mujor 1.800 dollarë për një kredi 30-vjeçare, do të merrte 420 mijë dollar kredi. Sot aq këst është mjaftueshëm vetëm për 280 mijë dollar, 33% më pak. Nga Stokholmi në Sidnei, fuqia blerëse e huamarrësve po shembet. Kjo e bën ë të vështirë për blerësit e rinj që të marrin shtëpi, mbyt kërkesën dhe dëmton financat e pronarëve, që detyrohen të shesin çdo gjë.

Lajmi i mirë është se rënia e çmimit të shtëpive nuk do të shkaktojë ndonjë kaos si ai 15 viteve më parë. Ka më pak kredi me probleme dhe banka me kapital më të mirë që nuk janë siguruar në fonde të dyshimta. Xhaxhi Sam (qeveria e SHBA) tani siguron 2/3 e kredisë së re. Humbësit e mëdhenj janë taksapaguesit. Ndërsa normat rriten, ata janë të ekspozuar ndaj humbjeve nëpërmjet Rezervës Federale, e cila zotëron 1/4 e letrave me vlerë të mbështetura nga kredia hipotekore.

Në vende të tjera si Koreja e Jugut dhe vendet Nordike, ka pasur rritje të frikshme të kredimarrjes me një borxh familjar sa rreth 100% e PBB-së. Ata mund të përballen me humbje destabilizuese nëpër banka apo firma financiare fantazmë. Kreu i bankës qendrore në Suedi e ka quajtur këtë situatë, njësoj sikur të ulesh mbi një vullkan.

Por kriza më e keqe e banesave do të ndodhë në Kinë, ku problemet janë në kufi, nga rritja e kredive, shpenzimet e shtuara, parapagim të banesave që nuk janë ndërtuar ende.

Megjithatë, edhe pa një përplasje të sinkronizuar globale, rënia e ccmimit të banesave do të jetë e zymtë. Së pari, sepse tregjet e prishura të pronave janë një pengesë në tregun e punës. Ndërsa normat rriten dhe çmimet rregullohen gradualisht, pasiguria i bën njerëzit të hezitojnë të lëvizin. Shitjet e shtëpive ekzistuese në Amerikë ranë me 20% në gusht nga viti në vit, dhe Zilloë, një firmë strehimi, raporton 13% më pak listime të reja banesash se norma sezonale.

Në Kanada vëllimet e shitjeve mund të bien me 40% këtë vit. Kur njerëzit nuk mund të lëvizin, ajo ul dinamikën e tregjeve të punës, një shqetësim i madh kur kompanitë përpiqen të përshtaten me mungesën e punëtorëve dhe krizën energjetike. Dhe kur çmimet bien, pronarët e shtëpive mund të zbulojnë se shtëpitë e tyre vlejnë më pak se kreditë e tyre, duke e bërë edhe më të vështirë shpërnguljen, problem që ka prekur shumë ekonomi pas krizës financiare globale.

Çmime më të ulëta do të lëndojnë edhe në një mënyrë tjetër: ata do t’i bëjnë konsumatorët edhe më të mjerueshëm. Në të gjithë botën, shtëpitë vlejnë 250 trilion dollarë, tregu i aksioneve p.sh vlen vetëm 90 trilion.

Ndërsa ndërtesa e kapitalit shembet, konsumatorët ka të ngjarë të shkurtojnë shpenzimet. Megjithëse një ekonomi më e ftohtë është ajo që bankat qendrore synojnë të sjellin duke rritur normat e interesit, kolapsi i besimit mund të marrë një vrull më vete.

Një tjetër problem është përqendrimi i dhimbjes në një minoritet pronarësh shtëpish. Më të ekspozuarit janë ata që nuk janë në norma interesi fikse dhe përballen me rritje të herë pas hershme të faturës së kredisë. Ka shumë pak që merren me norma fikse të kredive. Por 4 në 5 kredi në Suedi kanë norma fikse deri në 2 vite.

Kombinuar me një shtrydhje të kostos së jetesës, familjarët në stres financiar janë shtuar. Në Australi 1/5 e kredive i përket familjarëve që do të shohin se paratë e tyre do të bien me 20% nëse normat vazhdojnë të bien. Në Britani, 2 mln familje do t’u shkurtohen paratë me 10%. Ata që nuk i përballojnë dot, duhet të nxjerrin shtëpinë në treg përsëri.

Këtu futet dimensioni politik. Tregu i banesave është tashmë një fushë betejë. Rritja e burokracisë e bën shumë të vështirë ndërtimin e shtëpive të reja në qytetet e mëdha, duke çuar në mungesa. Një brez të rinjsh në botën e pasur mendojnë se janë përjashtuar padrejtësisht nga pronësia e shtëpisë.

Megjithëse çmimet më të ulëta të banesave do të ulin depozitën e nevojshme për të marrë një kredi, janë blerësit për herë të parë ata që varen më shumë nga financimi i borxhit, i cili tani është më i shtrenjtë. Dhe një klasë krejt e re e pronarëve të shtëpive të cenuar financiarisht do t’i bashkohen radhëve të të pakënaqurve.

Prona të rrezikshme

Pasi kanë shpëtuar ekonominë në mënyrë të përsëritur në 15 vitet e fundit, shumica e qeverive perëndimore do të tundohen të vijnë në shpëtim përsëri. Në Amerikë, frika për një fatkeqësi strehimi ka bërë që disa t’i kërkojnë Fed-it të ngadalësojë rritjen e normës së saj jetike.

Spanja raportohet se po shqyrton kufizimin e rritjes së pagesave të hipotekave dhe Hungaria e ka bërë tashmë këtë. Prisni që më shumë vende të ndjekin të njëjtën linjë.

Kjo mund të bëjë që borxhet e qeverive të rriten edhe më tej dhe të inkurajojë idenë se pronësia e shtëpisë është një bast i njëanshëm i mbështetur nga shteti. Dhe gjithashtu do të bënte shumë pak për të zgjidhur problemet themelore që dëmtojnë tregjet e banesave të botës së pasur, shumë prej të cilave janë për shkak të ndërhyrjes së padrejtuar dhe të tepruar të qeverisë.

Ndërsa një epokë e normave të ulëta të interesit po i vjen fundi, një krizë e çmimeve të banesave po vjen dhe nuk ka asnjë garanci për një treg më të mirë të banesave në fund të gjithë kësaj./The economist

Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Nga ana tjetër, plotësisht e kundërta po ndodh në Shqipëri, ku çmimet e banesave vijojnë të rriten.

Sipas Indeksit të KeyData, pjesë e Çelësi Media Group, në tremujorin e parë 2022, çmimet mesatare përllogariten në 1.143 Euro/m2, me një rritje prej 3.2% në krahasim me fundin e vitit të kaluar. Në zonën brenda unazës çmimet po arrijnë mesatarisht 1.300 Euro/m2. Në zonën e Bllokut, çmimet i kanë kaluar 1.600 euro/m2. Edhe jashtë zonës së Unazës, mesatarisht një apartament kushton rreth 1 mijë euro/m2.

Banka e Shqipërisë raportoi se në 6 mujorin e parë 2022, ato ishin shtrenjtuar me 40% në raport vjetor.

Përpos sezonalitetit, sipas kreut të Shoqatës së pasurive të patundshme në vend, Narea, Reinaldo Pipiria tha për Gazetasi.al se po ndodh për shkak të disbalancës kërkesë-ofertë. Sipas tij, kërkesa për shtëpi është e lartë dhe në treg mungon oferta e tyre.

Të njëjtën gjë raportoi dhe Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë. Për 6 muajt e parë të këtij viti, ka pasur rënie të numrit të banesave të regjistruara për shitje apo qira. Ndërkohë numri i lejeve të dhëna apo ndërtimeve të reja është në rritje.

Një tjetër tregues që shkon në kontrast me zhvillimet në tregjet botërore, është ai i rritjes së këkresës për kredi ndonëse ajo është shtrenjtuar. Rritja e normës së interesit nga BSH synon pikërisht reduktimin e kredimarrjes , por kjo nuk ka dhënë ende një efekt të tillë.

Njësoj si matjet e BSH-së, Pipiria tregon se kërkesa dhe oferta gjatë kësaj periudhe ka qenë e lartë për blerje banesash dhe se bankat kanë vazhduar financimin e tyre, ndonëse normat e interesit janë rritur.

Gjithsesi, në muajt e fundit, bankat tregtarë kanë shtrënguar standardet e kreditimit për banesa dhe jo vetëm, duke luhatur pak kërkesën për kredi, si nga individë edhe nga biznese.

Më herët, Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar nga Banka e Shqipërisë, tha për Gazetasi.al se për shkak të kushteve ekonomike, norma e interesit mund të vazhdojë të rritet deri në 7% për të dhënë efektet e pritshme në kreditim. Afat që shfaqet i vështirë për t’u parashikuar edhe nga vetë BSH se kur mund të ndodhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë