Nga Aleksandër Marku -Vetëm disa orë pas ngjarjes së pazakontë në Bularat, ku 35 vjeçari minoritar Konstandinos Kaçifas mbeti i vdekur nga plumbat e forcave speciale të repartit RENEA, u shkruan shumë faqe për profilin e këtij të riu, duke u munduar cilido redaktor apo reporter, të hamendësojë se cili ishte shkaku që ai morri një armë dhe filloi të qëllonte në mes të njerëzve, në një ditë të shënuar për fshatin e tij dhe komunitetin grek të cilit ai i përkiste.
Si gjithnjë gazetarët e zellshëm filluan të rrëmonin në labirintet e rrjeteve sociale dhe zbuluan prirjet e tij, ideologjitë e tij, ato për të cilat ai besonte. Një djalë i varfër, i ndarë dhe baba i një vajze të vogël, por me bindje të caktuara për Vorio Epirin, bashkimin e tij me Greqinë dhe mënyrat me të cilat do të ndodhte ky bashkim.
Fakte të mirëqëna konsiderohen nga shtypi fotografitë e tij në Facebook si dhe postimet e shumta të tij. Madje pati shkrime që e lidhin 35 vjeçarin edhe me qarqe paramilitare, me stërvitje të tij me forca speciale. Të tjerë shkruajnë se ndoshta ai ka lidhje edhe me ekstremistët e Agimit të Artë.
Por deri tani policia greke nuk ka dhënë një version zyrtar që të sqarojë vërtetësinë apo jo të këtyre informacioneve. Përkundrazi ajo që pohojnë zyrtarisht burime pranë policisë greke është një arrestim i Kaçifës dhjetë vjet më parë.
Me dosje penale Konstandinos Kaçifas
Lajmin se 35 vjeçari është arrestuar në vitin 2008 për trafikim droge nuk e kanë publikuar shumë media, por burime të policisë greke pohojnë për “Si” se Kaçifas është arrestuar në vitin 2008, në kuadrin e një operacioni të madh të policisë së Antidrogës, në lagjen Halandri të Athinës. Sipas të njëjtave burime bashkë me të janë arrestuar disa persona që i përkisnin një rrjeti trafikantësh të lëndëve narkotike, ndërsa vetë atij ju gjet në cilësinë e provës materiale gjysëm kilogrami canabis sattiva.
Informacioni tepër i kufizuar nuk sqaron se sa është dënuar ai pas këtij arrestimi, përveç se bëhet me dije se është një person me dosje penale dhe i njohur për policinë greke.
Çështja Kaçifas diskutohet në parlamentin grek
Nuk kishte se si të mos diskutohej vrasja e homogjenit grek dhe rrethanat në të cilat ndodhi kjo ngjarje tragjike edhe në seancën parlamentare në Athinë në Komisionin për Administratën Publike.
Mesazhi i përbashkët i të gjitha palëve ishte që kjo çështje serioze të mos funksionojë si dinamit për ta shfrytëzuar qarqet ekstremiste dhe nacionaliste në Shqipëri dhe Greqi.
Ministri i Brendshëm Aleksandros Haritsis duke theksuar se qeveria greke që ka çuar edhe notë proteste ndaj Tiranës zyrtare, po e ndjek nga afër zhvillimin e këtij rasti dhe ky monitorim nuk është teorik, por do të fitojë rëndësinë e tij praktike shumë shpejt.
Qëndrim të njëjtë kanë shprehur deputetët grekë nga të gjitha partitë opozitare për deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të cilat i kanë konsideruar të papranueshme dhe i kanë dënuar.
Ndërsa si përfaqësues i qeverisë ministri i Brendshëm Haritsi ka folur për një ngjarje të dhimbshme, deputeti i Demokracisë së Re Makis Voridis, vërtet është distancuar nga pozicionimi i Agimit të Artë, por ka dënuar edhe ai deklaratat dhe qëndrimet e kryeministrit shqiptar. "Këtu ka një vrasje, ka një padi nga familja e viktimës ndaj Policisë Shqiptare. Përderisa ka një proces gjyqësor në zhvillim, deklarata e kryeministrit shqiptar Rama me të cilën pozicionohet është absolutisht e papranueshme", tha ai. Zoti Voridis ka theksuar se duhet që në hetim duhet të marrin pjesë ekspertë për të parë se si ishin të shtënat, nga kush dhe në çfarë drejtimi u qëllua, të shihen analizat balistike dhe të hetohet gjithë çështja në tërësi.
Edhe deputeti tjetër i partisë qeveritare SYRIZA Theodori Dritsas ka theksuar se vdekja e çdo qënie njerëzore shkakton ndjeshmëri dhe se nuk ka asnjë dyshim që edhe një vdekje e ardhur nga forcat policore greke, ngre pyetje që kërkojnë përgjigje nga çdo qytetar i ndjeshëm.
Deklarata e kryeministrit Rama i ka hedhur më shume benzinë zjarrit, ka theksuar edhe deputetja e Koalicionit Demokratike Evi Christofylopoulou, që ka kërkuar jo vetëm hetim të çështjes, por edhe masa për mbrojtjen e minoritetit, ndërsa ka bërër thirrje për gjakftohtësi, pasi në rast të kundërt u krijohet terren ekstremistëve.
Urrejtje, fyerje dhe kërcënime në rrjetet sociale
Por ndërsa politikanët duket se po kuptojnë që duhen mbajtur tone të ulta, në rrjetet sociale nuk ndodh e njëjta gjë. Të ndarë në shumë grupe, grekët hedhin mendime nga më ekstreme e deri në ato më të llogjikshme. Kërcënimet shkojnë në adresë të vetë emigrantëve dhe vijnë kryesisht nga persona që për vite tashmë mbështesin qarqet e Agimit të Artë apo organizatave të ekstremit të djathtë. Ata më të përmbajturit vërtet që dënojnë me forcë grupin e parë, por njëkohësisht shprehen, nëse do të ishte e mundur të arrestohej Kaçifas dhe jo të vritej.
Njëanshmëri në shumë medie
Por më shqetësues është fakti i pasqyrimit nga ana e shtypit. Ishin të shumta gazetat greke dhe portalet që theksuan faktin se policia shqiptare qëlloi mbi 35 vjeçarin minoritar për ta detyuar të ulë flamurin grek. Ndërsa kur policia greke pohoi zyrtarisht se nuk ka pasur diçka të tillë, përsëri të njëjta media bënë një vesh të shurdhët. Ndodhi gjithashtu i njëjti fenomen me atë që ka ndodhur edhe me mediet shqiptare në të kaluarën, duke e bëre hero një keqbërës.
Platon-Mos gjyko para se të dëgjosh argumentat e të dy palëve
Por ka edhe qëndrime për tu veçuar. Dua të citoj ketu tekstualisht cfarë shkruan një prej gazetarëve të njohur grekë në Bruksel, Athanasios Athanasiou.
"Një qytetar, armatoset dukshëm dhe qëllon kundër forcave policore të një shteti fqinj. Pasojnë akuza të errëta për flamuj dhe kurora patriotike që askush nuk e di se kush në fakt i nxit. Policia greke i mohon të gjitha këto me një deklaratë me shkrim. Duhet të jemi të qartë se:
- 1) Nëse mbani një armë dhe kjo është e dukshme, përgatituni për t'u arrestuar.
- 2) Nëse hapni zjarr, pavarësisht se ku, përgatituni se edhe juve do tu qëllojnë.
- 3) Nëse e ktheni armën tuaj kundër autoriteteve të policisë, jeni i mbaruar, kjo është një diçka e thjeshtë.
- 4) Asnjë qytetar nuk ka të drejtë të bëjë politikë të jashtme.
- 5) Asnjë qytetar nuk ka të drejtë të bëjë sulm në një shtet fqinjë.
- 6) Për flamurin në një territor të huaj, përgjegjëse janë autoritetet diplomatike greke dhe askush tjetër.
Sa për mënyrën se si mediat greke paraqitën incidentin ... çfarë të themi ... Ashtu siç ka thënë edhe Platoni –Mos gjyko para se të dëgjosh argumentat e të dy palëve. Por kjo thënie nuk njihet ende në Greqi".
Ajo që vërtetohet gjithnjë e më shumë është fakti që ripërsëritet shpesh në qaret gazetareske greke, se në Ballkan ka mjaft lëndë djegëse që ndodhet pranë sipërfaqes, mjafton një gërvishtje dhe një shkëndijë për të shpërthyer një zjarr i madh e pse jo, për të shkuar deri në konflikte katastrofale. Në rastin konkret, marrëdhëniet greko-shqiptare që kishin arritur në një nivel të kënaqshëm dhe dukej sikur po zgjidheshin probleme të trashëguara historike, tashmë për fat të keq, duket se janë kthyer nga kjo ngjarje në nivelet e dikurshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.