Politike

As sot nuk ka dekret për Ministrin e Brendshëm

Dekreti për emërimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi do të qëndrojë “pezull” të paktën deri të martën.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet me një vizitë zyrtare në Stamboll të Turqisë dhe për këtë arsye, sipas burimeve pranë Presidencës, nuk pritet që të ketë një zhvillim sa i përket çështjes së dekretimit të ministrit të ri të Brendshëm, Sandër Lleshi.

Kreu i shtetit pritet që të kthehet nesër nga vizita e tij në Turqi. Arsyeja e vizitës zyrtare është ftesa e presidentit Erdogan për të marrë pjesë në ceremoninë inaugurimin e aeroportit të ri të Stambollit.

Në këtë event mësohet se marrin pjesë disa kryetarë shtetesh,  ku mes tyre është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Simbolika e inaugurimit të këtij aeroporti përkon me 95-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë.

Presidenti Ilir Meta pas mbërritjes në Stamboll

Sipas burimeve mësohet se ftesa për këtë ceremoni ka qenë edhe për kryeministrin Edi Rama, por shefi i qeverisë shqiptare për arsye të angazhimeve nuk ka udhëtuar drejt Stambollit, duke shmangur një përballje me presidentin Meta.

Kryeministri Edi Rama i ka paraqitur në fundjavë Presidentit Meta propozimin për të shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe emërimin në vend të tij, të gjeneral Sandër Lleshin, i cili aktualisht është këshilltar i kryeministrit për Çështjet e Sigurisë.

Presidenti të shtunën në mënyrë të menjëhershme firmosi dekretin numër 10922 për shkarkimin si ministër të Fatmir Xhafajt.

Ndërsa për emërimin e pasardhësit në krye të këtij dikasteri ende nuk është shprehur.  Në bazë të nenit 98 të Kushtetutës “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.

Edhe më parë ka pasur përplasje në lidhje me dekretet e ministrave. Kujtojmë se konflikti më i fundit ka qenë ai i dy viteve më parë, ku presidenti Nishani tejkaloi afatin kushtetues për t’u shprehur për propozimet e paraqitura për shkarkim e emërim ministrash. Nishani firmosi shkarkimin e Shkëlqim Canit dhe të Arben Ahmetaj, si ministra të Financave dhe të Ekonomisë, por la pezull propozimet për emërime ministrash.

Një përplasje e tillë ndodhi në shkurt 2016. Nishani asaj kohe iu drejtua dhe Gjykatës Kushtetuese për interpretim, pasi Kuvendi nuk mori votoi dekretin për shkarkimin e ministrave, duke pritur dekretet për emërimet, për të realizuar votim njëherësh. Por Nishani në letrën drejtuar Kushtetueses argumentonte se duhej të votoheshin dekretet e shkarkimit dhe më pas ato të emërimit të ministrave të rinj.

Por më pas kreu i shtetit papritmas u tërhoq nga “kokëfortësia” e tij, duke firmosur për emërimin e Arben Ahmetajt dhe të Milva Ekonomit. Ndërsa votimi u bë në 25 shkurt.

Nuk ka ndonjë paralelizëm me këtë rast me dekretin e ministrit të Brendshëm, por konstitucionalistët gjatë përplasjes së ndodhur mes mazhorancës socialiste dhe presidentit Nishani, deklaronin se një bllokim i tillë ishte i panevojshëm, pasi dekreti për ministrat ishte thjesht një formalizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë